Fundamenti

Rohde: Policia e tregoi kapacitetin e saj në Veri, Kosova të angazhohet për themelimin e Asociacionit

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Gjermania është shteti që e ka kualifikuar pa asnjë mëdyshje si sulm terrorist vrasjen e policit të Kosovës, të dielën në Banjskë, kur një grup i armatosur u shfaq në pjesën veriore të vendit. Në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde tregohet i rezervuar për ngjarjen që cenoi sigurinë e Kosovës për të cilën kujdeset edhe NATO.

Qeveria e Kosovës ka publikuar një video që tregon për praninë e Milan Radojiçiq të uniformuar dhe të armatosur brenda Manastirit të Banjskës, por Rohde thotë se duhen pritur hetimet për këtë. Po ashtu, ky diplomat nuk komenton as rreth deklaratave të Vuçiqit që mohojnë involvimin e tij dhe shtetit serb.

I pyetur se cila do të jetë qasja e Perëndimit ndaj Listës Srpska pas dyshimeve se nënkryetari i saj është përfshirë në një sulm të tillë, Rohde thotë se hetimet do të japin pasqyrë më të qartë. “Nuk nxjerrim përfundime bazuar në një video apo postime në rrjetet sociale. Kur të përfundojë hetimi dhe do të kemi një pasqyrë të plotë dhe të qartë, që do të na lejojë të nxjerrim përfundimet e nevojshme”. Rohde i jep pikët maksimale policisë së Kosovës për sjelljen e saj në ditën kritike, duke thënë se e parandaloi gjakderdhjen e mëtejshme duke u koordinuar me EULEX’in dhe KFOR’in.

Ai është i bindur se pas këtij incidenti Policia e Kosovës dhe institucionet tjera janë në gjendje të ofrojnë mjedis të sigurt. Por, diplomati gjerman është i prerë rreth rrugës që duhet të ndiqen pas 24 shtatorit në fushën e dialogut -zbatimi i marrëveshjes së Ohrit që përfshin edhe angazhimin e palës kosovare për themelimin e Asociacionit.

I pyetur nëse Emisari gjerman Manuel Sarrazin ka kërkuar menjëherë një takim Kurti-Vuçiq, Rohde thotë se nuk mund të komentojë rreth takimeve konfidenciale.

Gazeta Express: Gjermania pa asnjë hezitim e cilësoi akt terrorist sulmin ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Veri. Fatkeqësisht, aty një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga ky grup i armatosur. Çfarë flet për ju futja e një grupi kaq të madh me arsenal të madh armatimi brenda territorit të Kosovës?

J. Rohde: Sulmi i tmerrshëm vrasës dhe terrorist ndaj policëve kosovarë që pamë të hënën mbrëma ishte absolutisht i papranueshëm. Policia e Kosovës (PK) është agjenci e përgjegjshme e zbatimit të ligjit për të garantuar dhe zbatuar sundimin e ligjit në të gjitha pjesët e vendit. E përgëzojmë profesionalizmin suprem të trajtimit të situatës nga Policia e Kosovës, e cila shmangi gjakderdhjen e mëtejshme. E gjithë kjo u arrit duke qenë në koordinim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Ajo që tani po ndodh është një hetim i vazhdueshëm policor i mbështetur nga EULEX-i për ngjarjet, duke përfshirë identifikimin e të gjithë autorëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë të përfshirë. Autorët duhet të sillen para drejtësisë. Ngjarjet tregojnë gjithashtu se progresi në Dialog është urgjentisht i nevojshëm. Zbatimi i shpejtë dhe i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit dhe Aneksi i saj është ajo që nevojitet për të garantuar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe në mbarë rajonin.

Gazeta Express: Të hënën në Prishtinë ishte emisari gjerman, Manuel Sarrazin, i cili edhe e solli qëndrimin e Gjermanisë se ajo që ndodhi në Veri ishte një akt terrorist. Pse, sipas mendimit tuaj, ka dallime tek shtetet e QUINT’it sa i përket kualifikimit të rastit? Jo të gjithë e quajnë sulm terrorist.

J. Rohde: Ajo që pashë ishte se të gjitha vendet e QUINT-it, BE-ja dhe shumë partnerë të tjerë dënuan pa mëdyshje dhe ashpër ngjarjet e së dielës mbrëma dhe shprehën solidaritetin e tyre me viktimat, familjet e tyre dhe mbarë vendin. I gjithë mesazhi ynë ishte i qartë: Ky sulm terrorist dhe vrasës ndaj Policisë së Kosovës ishte absolutisht i papranueshëm.

Gazeta Express: Qeveria e Kosovës të martën publikoi pamje ku pretendohet se shihet zëvendëskryetari i Listës Srpska brenda Manastirit të Banjskës, të dielën. A do të jetë Lista Srpska një forcë në të cilën komuniteti ndërkombëtar do të llogarisë ende?

J. Rohde: Ne nuk nxjerrim përfundime bazuar në një video apo postime në rrjetet sociale. Kur të përfundojë hetimi dhe do të kemi një pasqyrë të plotë dhe të qartë, që do të na lejojë të nxjerrim përfundimet e nevojshme.

Gazeta Express: Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq refuzoi të marrë përgjegjësinë, duke thënë se ai nuk qëndron prapa gjithë kësaj?

J.Rohde: Shihni përgjigjen më lartë

Gazeta Express: A mendoni që ngjarjet në Veri do ta afektojnë për të keq dialogun apo mund t’i japin një shtytje të re për ta nxjerrë në binarë të duhur dhe për t’i bindur palët që të zbatojnë marrëveshjen?

Uji Dea

1)A e kanë ndryshuar agjendën këto zhvillime, kur mund të flitet sërish për vazhdim të dialogut, zgjedhje në Veri apo implementim të marrëveshjes?

2) A jeni në dijeni a ka ndonjë konkluzion nga takimi i Lajçakut me këshilltarët e Kancelarit Scholz, Presidentit Macron e Kryeministres Meloni dhe Emisarit amerikan Gabriel Escobarit se në çfarë drejtimi duhet të ecet tash?

J. Rohde: Më lejoni t’u përgjigjem këtyre pyetjeve së bashku. Ngjarjet e së dielës theksojnë fuqimisht se ne kemi nevojë urgjente për përparim thelbësor në dialog. Pavarësisht se sa të vështira do të jenë bisedimet e mëtejshme pas një incidenti të tillë: ne kemi nevojë urgjente për një zgjidhje politike. Ecja përpara me dialogun është mënyra e vetme për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në mbarë rajonin. Vetëm këtë javë, këshilltarët kryesorë diplomatikë nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA (Bonne, Plötner, Talo dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar) u takuan me Përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak për të diskutuar rrugët e mundshme përpara dhe për të qëndruar në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin në mënyrë që të koordinojnë hapat e ardhshëm.

Gazeta Express: A kërkoi Emisari Sarrazin një takim të ri të dialogut në Bruksel dhe cili ishte reagimi i Kryeministrit Kurti?

J. Rohde: Ju lutem të keni parasysh se nuk do të shpalos detaje të takimeve konfidenciale.

Gazeta Express: BE e ka miratuar si plan të saj propozimin e Borrellit që ia bëri më 14 shtator palëve. Kryeministri Kurti e ka refuzuar atë. A është ky dokument i negociueshëm, a mund të ndryshojë radhitja e gjërave, që është kërkesë e palës kosovare?

J. Rohde: Ne kemi besim të plotë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si dhe në Përfaqësuesin e Lartë dhe Përfaqësuesin Special. Ne vazhdojmë në mënyrë aktive të kërkojmë rrugë përpara, siç mund ta shihni nga takimi i së hënës i këshilltarëve diplomatikë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian. Jini të sigurt: Gjermania do të qëndrojë e përkushtuar për ta bërë dialogun të suksesshëm.

Gazeta Express: Kërkesa e Perëndimit që Kosova të prezantojë propozimet e saj për Asociacionin është strikte. A shihni disponim te Qeveria e Kosovës se mund të lëvizë?

J. Rohde: Deri më tani nuk kemi parë ambicie të mjaftueshme të Kosovës për hapa thelbësorë drejt ASMM. Fakti i thjeshtë mbetet: Progresi substancial në dialog do të thotë se Kosova i përmbush obligimet e saj, duke përfshirë angazhimin në themelimin e ASMM. Nga ana tjetër është gjithashtu e qartë se dialogu nuk kufizohet vetëm në ASMM, por përfshin edhe shumë obligime për Serbinë. Ne kemi nevojë për një zbatim gjithëpërfshirës dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj nga të dyja palët. Kosova ka për të fituar dhe do të fitojë shumë nga zbatimi i plotë i marrëveshjeve.

Gazeta Express: Si e vlerësoni shqetësimin e kryeministrit Kurti se ndërmjetësit evropianë janë në anën e Serbisë? A ka ndonjë bazë për këtë?

J. Rohde: Siç thashë edhe më parë: Ne vazhdojmë të kemi besim të plotë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ndërmjetësuesit evropianë. Ne kemi nevojë për përparim thelbësor në Dialog.

Gazeta Express: Pyetja e fundit, a mendoni se strukturat e sigurisë së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare mund ta mbajnë nën kontroll situatën në veri që të mos ketë shpërthim të mëtejshëm të dhunës?

J. Rohde: Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të Kosovës treguan qartë kapacitetin e tyre për të trajtuar një incident kaq të rëndë të sigurisë me profesionalizëm dhe vendosmëri të thellë dhe në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in e KFOR-in si reagues të dytë dhe të tretë të sigurisë, si dhe kam besim të plotë se ata vazhdojnë ta bëjnë këtë. Të gjithë ofruesit e sigurisë në terren janë të gatshëm të ndërmarrin gjithçka që nevojitet për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët.