Robert Ukaj, nga Zvicra drejt Kuvendit të Kosovës me vizion për bashkimin e potencialit kombëtar
Viti – Për kandidatin e LDK-së për deputet, Robert Ukaj, mërgata shqiptare nuk është vetëm një burim i rëndësishëm ekonomik për Kosovën, por një pjesë e pandashme e identitetit, zhvillimit dhe së ardhmes së vendit. Pikërisht për këtë arsye, ai beson se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet adresa politike që historikisht e ka kuptuar më së miri rolin dhe peshën e diasporës shqiptare. Sipas Ukajt, LDK-ja ka qëndruar gjithmonë pranë mërgatës, duke e konsideruar atë pjesë të pandarë të proceseve kombëtare dhe shtetformuese. Ai vlerëson se çdo aktivist i LDK-së duhet të ndihet krenar për këtë traditë politike, e cila ndër vite ka ndërtuar ura të fuqishme bashkëpunimi me shqiptarët kudo në botë.
Në këtë rrugëtim, Ukaj vlerëson lart edhe kontributin e kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti, të cilin e konsideron një nga liderët më të përkushtuar të Anamoravës në forcimin e lidhjeve me diasporën. Sipas tij, Haliti ka luajtur rol të rëndësishëm në aktivizimin, organizimin dhe afërsimin e mërgimtarëve me vendlindjen, duke krijuar një model bashkëpunimi që sot po jep rezultate konkrete.
Emri i Robert Ukajt po spikat gjithnjë e më shumë si një prej përfaqësuesve më autentikë të diasporës shqiptare në garën për deputet në Kuvendin e Kosovës.
I ardhur nga Zvicra, por i lidhur pandashëm me vendlindjen dhe me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukaj konsiderohet si një nga aktivistët më të përkushtuar të LDK-së në mërgatë. Për vite me radhë ai ka qenë pjesë aktive e Nëndegës së LDK-së në Frauenfeld dhe e Degës së parë të LDK-së në Zvicër, duke kontribuar në organizimin, zgjerimin dhe fuqizimin e strukturave të partisë në diasporë.
Mbështetja e fuqishme që ai gëzon nga bashkatdhetarët në Zvicër dhe nga aktivistët e shumtë të LDK-së është rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm, integritetit personal dhe besimit që ai ka ndërtuar ndër vite. Për shumë veprimtarë të mërgatës, Robert Ukaj përfaqëson urën lidhëse ndërmjet Kosovës dhe diasporës, duke sjellë në politikë një frymë të re, profesionale dhe zhvillimore.
Në paraqitjet e tij publike, Ukaj ka theksuar vazhdimisht se mërgata shqiptare nuk duhet parë vetëm si kontribuuese financiare për vendin, por si një potencial i jashtëzakonshëm njerëzor dhe profesional që mund të luajë rol vendimtar në zhvillimin e Kosovës.
Sipas tij, kapitali më i madh i diasporës nuk janë vetëm investimet ekonomike, por edhe përvoja, dija, profesionalizmi dhe rrjetet ndërkombëtare që shqiptarët kanë ndërtuar në shtetet më të zhvilluara të Evropës dhe botës.
“Qëllimi ynë duhet të jetë ndërtimi i urave më të forta ndërmjet Kosovës dhe mërgatës. Duhet të sjellim jo vetëm kapitalin ekonomik, por edhe kapitalin njerëzor – dijen, përvojën dhe suksesin e bashkatdhetarëve tanë për një Kosovë më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për të gjithë”, ka theksuar Ukaj.
Ai e konsideron diasporën si një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës, duke kujtuar kontributin historik të mërgimtarëve në periudhat më të vështira të vendit dhe rolin që vazhdojnë të kenë në forcimin e ekonomisë dhe imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Një nga prioritetet e tij mbetet edhe ruajtja e identitetit kombëtar përmes forcimit të shkollave shqipe në diasporë. Ukaj vlerëson se gjuha, kultura dhe tradita shqiptare duhet të ruhen dhe të kultivohen te brezat e rinj që po rriten jashtë vendit, sepse ato janë themeli i identitetit kombëtar.
Përkrahësit e tij vlerësojnë se kandidimi i Robert Ukajt përfaqëson një mundësi që diaspora të ketë një zë më të fuqishëm në institucionet e Kosovës. Ata e shohin atë si një figurë që mund të sjellë në Kuvend përvojën e fituar në Perëndim, kulturën e përgjegjësisë institucionale dhe një vizion konkret për zhvillimin ekonomik, arsimin, investimet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe mërgatës.
Me një angazhim të gjatë në LDK dhe me mbështetje në rritje si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, Robert Ukaj po paraqitet si një nga kandidatët që synon ta kthejë energjinë, përvojën dhe suksesin e mërgatës në vlerë të drejtpërdrejtë për zhvillimin e Kosovës./rajonipress/


