ARKATANA

Robert Ukaj në qendër të vëmendjes në tubimin e madh të LDK-së në Viti, Abdixhiku dhe Osmani e vlerësojnë si vlerë të shtuar që vjen nga diaspora

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Tubimi i madh i LDK-së në Viti u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve dhe mobilizim i lartë i strukturave partiake, por një nga emrat që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte kandidati për deputet, Robert Ukaj, i cili mori mbështetje dhe vlerësime të veçanta nga figurat qendrore të partisë.

Gjatë aktivitetit, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësuan kandidaturën e Ukajt si një shembull të angazhimit të diasporës në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Sipas tyre, përfshirja e profesionistëve dhe aktivistëve që kanë krijuar përvojë jashtë Kosovës përbën një vlerë të shtuar për përfaqësimin politik dhe zhvillimin e vendit.

Në mesin e qindra pjesëmarrësve, Robert Ukaj u prit me duartrokitje dhe mbështetje nga qytetarët, ndërsa shumë prej tyre e konsideruan kandidaturën e tij si një mundësi për ta fuqizuar zërin e Vitisë dhe diasporës në Kuvendin e Kosovës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ukaj shprehu mirënjohjen për besimin që po merr gjatë kësaj gare zgjedhore.

KKVITI

“Jam mirënjohës për mbështetjen, besimin dhe vlerësimin që po marr nga kryetari Sokol Haliti, bashkëpunëtorët dhe të gjithë miqtë e përkrahësit tanë. Ky besim është përgjegjësi e madhe dhe motivim për të vazhduar me përkushtim, ndershmëri dhe punë në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit tonë. Bashkë po ndërtojmë një rrugëtim të bazuar në vlera, përgjegjësi dhe vizion për Kosovën”, deklaroi ai.

Njohës të zhvillimeve politike në Anamoravë vlerësojnë se Robert Ukaj është një nga kandidatët që ka arritur të krijojë lidhje të forta me elektoratin, duke kombinuar përvojën e fituar në diasporë me angazhimin e vazhdueshëm në çështjet që preokupojnë qytetarët e Vitisë dhe rajonit.

Në tubim u prezantuan edhe kandidatët e tjerë të degës së Vitisë për deputetë, Vjollca Kadolli Halili, Arta Ajeti dhe Ibush Beqiri, për të cilët u kërkua mbështetje si përfaqësues të komunës në institucionet qendrore.

Përkrahësit e LDK-së në Viti vlerësuan se kandidatura e Robert Ukajt përfaqëson një ndërthurje të përvojës së diasporës, energjisë së re politike dhe përkushtimit ndaj zhvillimit lokal, ndërsa mbështetja që ai mori në këtë tubim u konsiderua si një tregues i qartë i besimit që po fiton në prag të zgjedhjeve./rajonipress/