Fundamenti

Robërit e luftës, rasti i fotografit Shaip Dubova, zhvilloi mbi 400 fotografi vetëm gjatë një dite

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Shaip Dubova fotograf e kameraman profesionist ka vdekur në shtator të vitit 2021 ndërsa për rajonipress ai kishte rrëfyer për kohën sa ishte zënë rob lufte nga policia serbe. E kishte të vështirë të kujtonte fotot që kishte parë njerëz të vrarë, të plagosur, pa duar, pa këmbë, pa organet gjenitale. “Kam parë foto ku paramilitari shihet duke e vrarë viktimën shqiptarë. Të gjitha këto foto i kam ruajtur me shumë rrezik dhe pas luftës i kam dorëzuar në OSBE dhe në organet e Qeverisë së përkohshme, por kurrë nuk e di se ku kanë shkuar ato fotografi” kishte deklaruar Dubova.

Ushtria dhe policia serbe pos vrasjeve të civilëve të pafajshëm ka ditur që të kap peng edhe njerëzit që kanë pasur profesione të veçanta. Të njohur si robër lufte, një rast që e vlen të shkruhet është padyshim zënia rob-peng e fotografit Shaip Dubova.

Shaip Dubova fotograf e kameraman ka vdekur në shtator të vitit 2021, ndërsa nga rrëfimi i tij vetëm për rajonipress ka deklaruar se forcat serbe e kanë detyruar me dhunë që të punojë për ushtrinë dhe policinë serbe nga data 9 maj 1999 deri në ditën e hyrjes së forcave të NATO-së.

Mobi Casa

“Për punën e dhunshme që kam bërë gjatë luftës e kam njoftuar edhe degën e LDK-së në Gjilan. Unë isha i zënë robër dhe me sytë e mi kam parë e zhvilluar mbi 400 fotografi vetëm gjatë një dite. Të gjitha vrasjet e ndodhura në Kosovë nga forcat serbe i kam zhvilluar unë” rrëfen Shaipi.

Ai madje e ka të vështirë të kujtojë fotot që ka parë njerëz të vrarë, të plagosur, pa duar, pa këmbë, pa organet gjenitale. “Kam parë foto ku paramilitari shihet duke e vrarë viktimën shqiptarë. Të gjitha këto foto i kam ruajtur me shumë rrezik dhe pas luftës i kam dorëzuar në OSBE dhe në organet e Qeverisë së përkohshme, por kurrë nuk e di se ku kanë shkuar ato fotografi”, kishte sqaruar Dubova.

“Fotot e para që i kam zhvilluar janë masakra e Krushës dhe vrasjet në Zhegër. Të gjitha fotot e zhvilluara nga serbët janë bërë në shtatë kopje dhe janë dërguar menjëherë për në Beograd” kishte deklaruar ai./rajonipress/