KKVITI

Riza Halimi e Galip Beqiri vizitojnë Medvegjën

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Deputeti popullor shqiptar në parlamentin e Republikës së Serbisë, njëherit lideri i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Galip Beqiri, kanë qëndruar për vizitë pune në Medvegjë. Me këtë rast ata janë takuar me zëvendëskryetarin e komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, me anëtarët e Këshillit Kombëtar nga Medvegja dhe me kryetarin e degës së PVD-së në Medvegjë z.Femi Beha.

Delegacionin e ka pritur zëvendëskryetari Florim Sahiti me ç’rast ka shprehur kënaqësi për bashkëpunim të mirë me Këshillin Kombëtar, ndërsa të gjitha sukseset e deritanishme të arritura në Medvegjë i ka quajtur suksese të të gjithë shqiptarëve.

Ndër të tjera, Sahiti në takim ka informuar delegacionin me problemin aktual të mungesës së nxënësve shqiptarë, gjë që rrezikon mbylljen e shkollave. Sipas tij, është momenti i fundit që të ndërmerren hapa konkretë në drejtim të kthimit të popullatës së zhvendosur dhe se për këtë ekziston nevoja edhe për mbështetje institucionale, në të kundërtën siç tha ai “do të jemi në rrezik”. Duke folur për këtë çështje është përshëndetur kthimi i një familje shqiptare, pesë anëtarësh, e cila është vizituar pas takimit dhe e cila është ndihmuar me mjete financiare në shumë prej 15.000 dinarë dhe me gjëra ushqimore.

Në takim po ashtu është folur për zbatimin e dygjuhësisë në Medvegjë dhe për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Kryetari i Këshillit Kombëtar, Galip Beqiri e ka bërë të ditur se ka pasur ankesa tek avokati i popullit lidhur me zbatimin e dygjuhësisë në Medvegjë duke shprehur interesim për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu është theksuar problemi aktual i shlyerjes nga evidenca në organet e punëve të brendshme të qytetarëve të cilët përkohësisht nuk jetojnë në Medvegjë. Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar, kjo dukuri paraqet një shqetësim të madh dhe se ekziston frika se pushteti ka dorë në këtë. Problemi më i madh, tha ai, paraqitet në rastet kur qytetarët të cilët dëshirojnë të kthehen tani nuk kanë dokumente as të Kosovës e as të Medvegjës. Sipas tij, kjo praktikë duhet të ndërpritet, ndërsa përveç kësaj duhet punuar edhe në ndryshimin e strukturës së punësimit në Medvegjë me qëllim që të ketë më shumë shqiptarë të punësuar në polici dhe në gjykatë.

FIDANISHTJA

Deputeti popullor shqiptar vizitën e sotme e quajti vizitë të rregullt në cilësi të liderit të PVD-së e cila është pjesë e pushtetit lokal në Medvegjë, ndërsa si deputet, vizitë me votuesit të cilët nuk janë të paktë në Medvegjë. “Problemet aktuale, problemet jetësore me të cilët ballafaqohen shqiptarët e komunës së Medvegjës janë pjesë e problemeve të Luginës së Preshevës por në Medvegjë janë më të theksuara, janë të një natyre më të ndjeshme duke e ditur se kemi pasur një pastrim etnik në këto 12 vjet në komunën e Medvegjës, nga 1/3 e popullatës sa ka qenë më herët në 700 shqiptarë sa kanë mbetur sot që është një përqindje shumë më e ulët dhe unë si deputet këtë çështje në parlament vazhdimisht e potencoj”, deklaroi pas takimit Halimi.

Vizitën e sotme deputeti Halimi e quajti shumë të dobishme nga fakti se të martën pritet një takim i madh i ambasadorëve të OSBE-së në Vjenë. OSBE-ja sipas tij ka pasur një rol të madh në arritjen e marrëveshjeve paqësore si dhe në zbatimin e tyre ndërsa takimi ka mundësuar sigurimin e informatave burimore nga terreni të cilat do t’i prezantohen delegacionit të lartë të OSBE-së. Objektiv kryesor pritet të jetë çështja e kthimit të popullatës së zhvendosur pas konfliktit të armatosur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Unë si deputet në parlamentin republikan fare nuk jam i kënaqur me dinamikën e zgjidhjes së problemeve apo me qasjen e qeverisë republikane, në përjashtim të tre viteve të para të qeverisë së Zoran Gjingjiqit kur kishte aktivitete dhe rezultate më konkrete.

Të gjitha qeveritë më vonë nuk kanë pasur qasje serioze dhe kanë barriera së pari politike, do të thotë ende nuk janë në gjendje të tejkalojnë disa komplekse apo ngarkesa politike për të zgjidhur në mënyrë të drejtë çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar Halimi. Sipas tij, shpresë mbetet fitimi i datës për Serbinë për procesin konkret të integrimeve evropiane në janar të vitit të ardhshëm ku pritet ndihmë serioze nga të gjitha fondet përgatitore edhe për Serbinë si për të gjitha shtetet tjera për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, proces ky në të cilin pritet të çmohen të gjitha vlerat evropiane.

Në këtë kuptim pritet për një kohë të shkurtër të ndryshojë kjo qasje joserioze e deritanishme dhe atëherë të vijë në shprehje problemi i kthimit të popullatës së zhvendosur, integrimi i plotë i shqiptarëve në institucione shtetërore, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një atmosfere të volitshme apo perspektive për një jetë normale, tha Halimi./medvegja.net/