Rita zemëron fansat
Rita Ora ka zemëruar fansat e vet, pasi ajo ka kërkuar njerëz për paraqitje pa pagesë në videon e saj më të re. Ylli i hitit ‘How We Do’ ka njoftuar për rekrutimin e vajzave dhe djemve të të gjitha formave trupore, madhësive dhe etnive të moshës mes 18 dhe 35-vjeçe, për t’u paraqitur në produksionin e saj të ri, por ka kërkuar që kjo të bëhet në baza vullnetare, pra pa pagesë.
Në konkursin e saj, i cili është postuar në ueb-faqen e ekipit, shkruan: “Ta keni me dije; ky është një xhirim pa pagesë dhe ju do të merrni pjesë vullnetarisht. Ky është rasti juaj që të ndani sheshxhirimin me Ritën dhe të jeni pjesë e hitit të saj të ardhshëm të madh”. Fansat e zemëruar të këngëtares kosovare, shumë shpejt kanë përdorur rrjetin social Twitter, për të dënuar këtë vendim për angazhin të valltarëve pa pagesë. Në njërin prej tyre thuhej: “Angazhimi i valltarëve për videon e re të Rita Orës. Pa pagesë. E papranueshme”.
Tjetri thoshte: “Rita Ora me të vërtetë? Kompania juaj e produksionit kërkon valltarë pa pagesë. Kjo është shaka, apo jo”. Në anën tjetër, zëdhënësi i biondes së bukur, thotë se ajo nuk dëshiron të angazhojë valltarë profesionistë dhe thjeshtë po u jep mundësi fansave të saj që të paraqiten në këtë video. “Kjo është një mundësi e mirë për fansat që të jenë bashkë me Ritën”, ka thënë ai.


