Mobi Casa

Rishqyrtohen problemet e uzurpimeve të pronave publike

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Komiteti për Pronë, Banim e Rindërtim (KPBR) e ka trajtuar të mërkurën çështjen e uzurpimit të pronave komunale në Gjilan dhe i ka kërkuar drejtorisë së linjës që të zbatojë vendimin ekzistues të Kuvendit Komunal, për t`i ngarkuar me qira rastet ku ndërtimet nuk bien ndesh me projektet zhvillimore të komunës, por kjo nuk nënkupton legalizim të tyre në asnjë mënyrë, ndërkaq atje ku ndërtimet pengojnë, duhet të aktivizohen ekskavatorët.

Komiteti për Pronë, Banim dhe Rindërtim ka shqyrtuar edhe raportin e regjistrit të ngastrave në lagjen “Dardania 1”, ku megjithëse ekziston një vendim i mëhershëm i Kuvendit Komunal për legalizim të trojeve, gjysma e tyre nuk janë regjistruar as tani pas 8 vitesh.

KPBR i rekomandoi Kuvendit Komunal shkëmbin e pronës komunale me pronën private, në dy raste, si dhe të një pronë komunale me pronën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilat u prezantuan para Komitetit nga Sali Fazliu, shef i sektorit të Pronës.

Sa i përket uzurpimit, Fazliu tha se ka raste në qytet dhe fshatra ku janë uzurpuar pronat komunale, që si dukuri nuk është e re. Mbi 80 raste janë në qytet, ndërsa mbi 30 të tjera në zonat rurale. Deri tani janë ekzekutuar 19 raste dhe prona është kthyer në gjendjen e mëparshme.

Ali Arifi, kryesues i KPBR ka thënë se ky problem është trajtuar edhe më herët dhe i kemi rekomanduar Kuvendit Komunal masa konkrete te veprimit në rastet e uzurpimeve, duke iu dhënë një afat prej 100 ditësh të gjithë atyre që kanë përvetësuar pronën publike, për ta kryer atë në gjendjen e mëparshme në mënyrë vullnetare.

RCCOLA

Sipas Fazliut janë identifikuar 44 raste që mund të futen në qira, por shprehu frikë se në këtë mënyrë mund të trimërohen uzurpuesit, por siç u tha nga Arifi, vendimi është i qartë dhe nuk i legalizon në asnjë mënyrë uzurpimet.

Ndërkaq, gjysma e trojeve në lagjen “Dardania 1” mbeten të pa regjistruara në emër të pronarëve edhe pse Kuvendi Komunal ka nxjerrë një vendim qysh në vitin 2004. Sali Fazliu ka thënë se ekzistojë gjithsej 604 troje dhe vetëm 303 prej tyre janë regjistruar. Në shumicën e rasteve, nuk përputhet sipërfaqja e caktuar në aktvendime me gjendjen faktike.

I pa zgjidhur ka mbetur edhe problemi i kompensimit të pronarëve, të cilëve u janë marrë pronat për ndërtimin e rrugës qarkore. Komuna nuk është në gjendja ta bart me buxhetin e saj këtë obligim të trashëguar, prandaj i është drejtuar Ministrisë së Transportit për shpronësimin e këtyre pronarëve.

Meqenëse ligji e lejon tani këmbimin e pronave, drejtoria ka identifikuar dy raste ku ky këmbim mund të realizohet dhe i ka rekomanduar Komitetit që pas shqyrtimit të kërkesës, ta procedojë tutje në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe Kuvend Komunal.

Po ashtu Komiteti i rekomandoi Kuvendit Komunal edhe këmbimin e një prone komunale me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila komunës i nevojitet për ndërtimin e një qendre rinore. Kuvendi Komunal i ka dhënë në shfrytëzim MPMS sipërfaqen prej 50 ari te vendi i quajtur “Gllama”, ndërsa si kompensim do të marrë hapësirën ku tani gjendet Qendra Regjionale për Punësim. /rajonipress/