Fundamenti

Rinovohet Shtëpia e Kulturës në Perlepnicë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi për investime në renovimin e Shtëpisë së Kulturës në Përlepnicë. Me këtë memorandum MKRS dhe Komuna e Gjilanit, zotohen të investojnë rreth 70 mijë euro, me participim të barabartë, për renovimin e objektit. Pas kësaj marrëveshjeje, Komuna fillon menjëherë procedurat e parapara të tenderimit. Memorandumi në emër të MKRS-së, e ka nënshkruar Sekretari i Përgjithshëm, Veton Ferizi, ndërkaq për Komunën e Gjilanit, Kryetari Qemajl Mustafa.

Para nënshkrimit të Memorandumit, kryetari Mustafa është pritur në një takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Ministri ka thënë se investimet në jetën kulturore, sportive e rinor në Gjilan nga ana e MKRS-së janë rritur në vitet e fundit.

Uji Dea

Ai ka thënë se përveç këtij investimi, tashmë pritet që me fondet e MKRS-së të ndërtohet një qendër moderne rinore në Gjilan, e para e këtij lloji në Kosovë.

Ai tha po ashtu se përveç kësaj, ka pasur investime dhe subvencionime të projekteve të ndryshme në Gjilan qoftë në kulturë dhe trashëgimi. Duke shprehur përkrahjen e vazhdueshme për këtë komunë, Ministri Krasniqi tha se komunat në përgjithësi duhet të bëjnë më shumë për jetën kulturore e sportive, për të krijuar kështu sa më shumë kushte të favorshme për aktivitete të ndryshme.

Ndërkaq Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka falënderuar ministrin Krasniqi për mbështetjen që ka dhënë për këtë komunë në këto vjet, me investime në sport, kulturë dhe rini. Ai i vlerësoi si tejet të rëndësishme renovimin e shtëpisë së kulturës në Përlepnicë dhe ndërtimin e qendrës rinore. Me këtë, tha ai, rinia e Gjilanit ka ambient shumë të favorshëm për aktivitete të shumta. /rajonipress/