KKGJILAN

Ringjallja e Poetit

/ 5 minuta lexim

Nga Muharrem Halimi – Shpirtrat e poetëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnor. Prandaj, ti vetëm u çlodhe pak dhe prapë u ktheve, sepse fjala jote e zjarrtë dhe vargu yt magjik kurrë nuk vdesin. Dhe, sikur në legjenda, para nesh u ringjallë poeti Alush Canaj, me vëllimin poetik, ”Mbrëmë e putha Lirinë”.

Sa shumë më ka gëzuar botimi i këtij vëllimi poetik. Po e mbajë në duar si një margaritar të çmuar, dhe duke e lexuar më duket se jam në ëndërr, sepse më kthen në kohën kur isha nxënës. Para syve më del poeti Alush Canaj, duke lexuar poezi në orët letrare. Poezia e tij nuk dilte vetëm nga goja, por dilte edhe nga sytë, edhe nga zemra edhe nga shpirti i tij poetik, sepse ai ishte poeti i lindur, dhe talenti i tij ishte zhvilluar në muajt e vitet e para të lindjes, qysh me qumështin e nënës. Me poezitë e tij frymëzuese dhe fjalët e tij të zjarrta shumë shpejt u bë idol i rinisë shkollore Gjilanase. Prandaj, ogurzitë të cilët kishin hequr dorë nga drita e përcjellin dhe e vëzhgonin në çdo hap poetin e njomë, duke gërmuar edhe përtej natës, madje edhe në shpirtin e poetit.

Dhe, sikur në tragjeditë antike, ora e ndarjes arriti. Unë duhet të vdesë tha poeti, dhe piu gotën e helmit, të cilën ia kishin përgatitur ogurzitë pos torturave të shumta fizike dhe shpirtërore. Të mjerët, nuk menduan se me dorën e tyre ia dhanë pavdekësinë, sepse vdekja në këto raste mund të jetë bekimi më i madhërishëm njerëzor. Dhe ironia është se përgjegjësitë për këtë vdekje ose pasaardhësitë e tyre, sot thonë se ata kanë vepruar sipas ligjeve të kohës, duke pranuar tërthorazi, se ajo ishe koha e shtazërisë njerëzore dhe ato sikur shtazët ishin udhëhequr nga instikti. Por, ja u ringjall poeti, dhe tani ndriçon edhe më fortë, në qiellin e pafund të poezisë. Poezi siç thoshte një poet i shekullit të shkuar, lind aty ku ka dhimbje. Unë do të shtoja se poezia e Alush Canajt, lind edhe aty ku ka mall, brengë, trishtim, buzëqeshje, lot apo qiej të praruar pas tyre. Mendimet e tij lëvizin lirshëm gjithçka, ku fryejnë erërat e dimrit bie shi, rrëzohen ylberat e pasditeve, ku fluturojnë zogjtë bashkë me shpirtin e poetit duke puthur lirinë.

Duke e ndjekur stilin e tij të pavarur, Alush Canaj, spikat tema të larmishme por të integruara, prandaj ai i dha jetë bukurisë poetike të kësaj vepre. Ai gërmon thellë me shpirtin e tij krijues, duke e bashkuar me një element ëndrrën dhe realitetin. Ai shqetësohet, vuan, mendon përtej kufijve të mendjes dashurinë për të shkruar e kishte të pashuar, ashtu si nata që hënës i duket e përjetshme. Tek ai shohim poetin mendimtarë, mendje kthjellur, që me kokën lart beson në poezinë e tij, me vështrimin e sigurtë tregon natyrën e pavarur dhe karakterin dhe vullnetin e tij të fortë.

Mobi Casa

Në poezitë e tij ka diçka shpirtërore si e ardhur nga bota e ëndrrave, ajo rrethon personazhet i plotëson edhe i kthen në dëshmitarë të domosdoshëm, për praninë dhe veprimet e tyre në jetë. Penda e tij është ngjyrë në rrezet e diellit, me ngjyrat e ylberta, e frymëzuar në shqetësimet e përjetshme të jetës së njeriut, dhe më një gjuhë pikturore, të jashtëzakonshme i paraqet në çaste dashurie, dhimbjeje, zhgënjimi, gëzimi si dhe të stoicizmit të rrallë. Poezia e tij ka diçka që i ngjan muzikës, ka hovin e saj, butësinë dhe të duket se vargjet hedhin valle, prandaj mund të themi se poezia e tij këndon. Alush Canaj, me vëzhgimin e hollë, me imagjinatën e lirë, frymëzimin e zjarrtë, e ndoqi udhën e vet e të shkruarit në heshtje, duke iu bindur talentit të vet dhe asaj çka i diktonte shpirti frymëzues.

Me ndërthurrjen organike të kësaj vepre, vepra fiton tiparet e plota të një stili logjik dhe harmonik, dhe duke u qëndruar besnik koncepteve të stilit të tij shpërthen si një uragan në veprat e poezisë.

Poezi e tij të bënë për vete me sigurinë e vargut me ndenjën e rrallë të fjalëve, e në të njëjtën kohë me lehtësinë emocionale e sidomos atë shpirtërore shprehjet e sinqerta të ndjenjave poetike, nxjerrin në pah karakterin dhe veprën e tij me frymën e dukshme madhështore që rrezaton. Në fund me bindje të plotë mund të themi se ky libër kur lexohet njëherë vështirë të mos pëlqehet, por kur lexohet për herë të dytë vështirë të mos pajtohemi se është libër që do të qëndron në panteonin e poezisë dhe sa më shumë që kalon koha gjithnjë e më shumë do të bëhet pjesë e lavdisë poetike. Por, do të ndija zbrazësi në shpirt, sikur mos të falënderoja poetin Avdush Canaj, poezitë e të cilit janë bërë ushqim i përditshëm shpirtëror i fëmijëve. Faleminderit Avdush Canaj që na e ringjalle poetin!/rajonipress/