Rinegocimi i mundshëm i Marrëveshjes për Asociacionin
Nga Augustin Palokaj dhe Agron Bajrami – Diplomatë perëndimorë hezitojnë të flasin për çështjen, duke theksuar se nuk duan të ndikojnë në vendimin që pritet ta marrë Gjykata Kushtetuese, por disa e thonë qartë se në rast se marrëveshja del të jetë në shpërputhje me Kushtetutën, atëherë ajo do të rinegociohet.
Mundësia që Gjykata Kushtetuese të nxjerrë vendim që rrëzon së paku pjesërisht Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë tashmë po merret parasysh seriozisht nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sipas burimeve diplomatike perëndimore, me të cilat ka komunikuar “Koha Ditore”, nëse Kushtetuesja shpall jokushtetuese ndonjë pjesë të Marrëveshjes së kontestuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë kjo marrëveshje e arritur në Bruksel do të rinegociohet.
Sipas një zyrtari të lartë të një shteti perëndimor, një gjë e tillë nuk flitet haptas, për shkak se nuk dëshirohet që kjo gjë të shihet si inkurajim për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë Marrëveshjen e Asociacionit si antikushtetuese.
Megjithatë, zëra të ndryshëm tashmë kanë folur edhe hapur se pjesë të Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duken të jenë në harmoni me idenë e një shteti multietnik, që synon të funksionojë me standarde demokratike evropiane dhe se ajo edhe mund të ndryshohet.
Muajin e kaluar, zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, gjatë një vizite në Prishtinë, tha se nëse Gjykata Kushtetuese gjen se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë marrëveshja duhet të ndryshohet. Ndërsa eksperti amerikan për rajonin, Daniel Serwer, në një koment të postuar menjëherë pasi është arritur marrëveshja në gusht të këtij viti, shkroi se ka arsye për të dyshuar nëse Marrëveshja për Asociacionin është ide e mirë. “Për shkak se është e definuar etnikisht – jo politikisht apo gjeografikisht – (marrëveshja) mund të shndërrohet në farsë për struktura të ndara qeverisëse serbe në Kosovë”, pati shkruar Serwer. “Kjo, sigurisht, është frika: një entitet i ndarë serb në Bosnjë dhe Hercegovinë tashmë e ka bërë shtetin jofunksional”.
Megjithatë, jo të gjithë në Perëndim kanë dyshime rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Disa burime diplomatike perëndimore i kanë thënë “Kohës Ditore” se edhe nëse Kushtetuesja konstaton shkelje te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë rrugë për ta zbatuar marrëveshjen e nënshkruar pa e rinegociuar atë, “por duke i përshtatur vendimet e saj në atë mënyrë që të jenë të pranueshme nga aspekti ligjor në Kosovë, e që në praktikë të mos ndryshojë asgjë nga obligimet që janë marrë në dialog”.
Diplomatët perëndimorë me të cilët ka folur “Koha Ditore” nuk duan të sqarojnë as hollësi rreth formës juridike të marrëveshjeve nga dialogu, sepse ato nuk janë formalisht marrëveshje ndërkombëtare. Po të ishin marrëveshje klasike ndërkombëtare, as Beogradi nuk do t’i pranonte e problem do të kishte edhe BE-ja në cilësinë e lehtësuesit, e cila nuk guxon ta trajtojë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, thonë burimet perëndimore.
Sipas tyre, marrëveshjet më shumë shihen si pranim i obligimeve politike nga ana e palëve, të cilat, pastaj, duke u miratuar përmes ligjeve vendore, bëhen edhe juridikisht obliguese.
Disa burime diplomatike llogarisin se nëse do të jetë nevoja që të ndihmohet Qeveria e tashme e Kosovës të dalë nga situata aktuale politike, edhe Serbia do të pranojë një rinegocim të Marrëveshjes për Asociacionin, me premtimet se në praktikë nuk do të ndryshohet asgjë, por vetëm do të kërkoheshin formulime që Marrëveshjen ta bëjnë të pranueshme juridikisht për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
http://koha.net/?id=31&o=1041


