Eko Higjiena

Riformatizimi, propagandë qeveritare!

/ 2 minuta lexim

Tash e sa muaj është paralajmëruar një riformatizim i Qeverisë së Kosovës, ku do të ndërroheshin dhe do të zëvendësoheshin disa prej ministrave e zëvendësministrave, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Madje, tash e sa kohë kanë mbetur vakante disa pozita shumë të rëndësishme, si mungesa e ministrit të Financave, që prej se Bedri Hamza dha dorëheqje për të shkuar në krye të Bankës Qendrore të Kosovës.

Megjithatë, zërat për riformatizimin e ekzekutivit kishin nisur që prej largimit të ministrit të FSK-së, Agim Çeku nga Partia Socialdemokrate, që ishte pjese e Koalicionit për Kosovë të Re, në Partinë Demokratike të Kosovës, ku KKR-ja e udhëhequr nga Behgjet Pacolli kërkoi edhe një ministri shtesë, shkruan “Zëri”.

Që nga ajo kohë, Pacolli në secilën paraqitje publike i jep ultimatume kryeministrit Thaçi, por që asnjëherë deri më tani nuk është marrë seriozisht. Deputetët opozitarë dhe analistët politik mendojnë se riformatizimi i ekzekutivit nuk po ndodh për shkak të bisedimeve. Por, sipas tyre edhe nëse ndodh nuk presin diçka pozitive nga kjo qeverisjeje.

“Edhe nëse ka riformatizim, asgjë nuk pres të ndryshohet për mirë, për shkak se kemi të bëjmë komplet me një keq qeverisje. Arnimet e kësaj qeverie aktuale nuk do të sjellin asgjë”, tha Skënder Hyseni, deputet i LDK-së.

Mobi Casa

Ai shtoi se vetë fakti që kjo qeveri tash sa kohë e ka lënë Ministrinë e Financave me zëvendës, tregon se sa të papërgjegjshëm janë.

Më herët u pati thënë se ndryshimet duhet edhe për shkak të keqqeverisjes, dhe pozita pati kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, shkaku i skandaleve në këtë ministri, e pastaj edhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, për shkak faturave të rrymës.

Por, Hyseni mendon se edhe nëse bëhen këto ndryshime, nuk ka kohë për përmirësime.“Nuk ka kohë përmirësimi, sepse zgjedhjet më së largu do të jenë vitin e ardhshëm”, tha ai. /Telegrafi/