FIDANISHTJA

Riformatimi i Opozitës!

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Beqë Cufaj – Çfarë po ngjet me Opozitën e Kosovës? Është kjo pyetja së cilës as vet Opozita në këtë çast s’mundet t’i përgjigjet. Prandaj, dalin sa të kota aq edhe tragjikomike krejt përpjekjet e kalemxhinjve të kartelit PDK-LDK apo edhe të profetëve neutralë të Prishtinës që në njërën anë t’i fërkojnë duart e në anën tjetër të ndjehen të vërtetuar në profecitë e tyre.

Me të parët as me të dytët s’duhet humbur kohë.

Sepse janë faktet ato që dëshmojnë se aktivitetet politike të VV!-së, AAK-së dhe Nismës shënojnë opozitbërjen e parë, të fortën dhe seriozën, prejse Kosova është çliruar. E nëse lëmë anash rezistencën dhe luftën për liri nga zgjedha serbe prej fundviteve 80 të shekullit të kaluar atëherë marr guximin të vij tek konstatimi që Kosova në historinë e saj të pluralizmit riosh për herë të parë arriti të nxjerrë xixat e para të ballafaqimeve të brendshme politike në relacionin pushtet dhe rezistencë kundër një garniture politike e cila qeverisë tash e dy dekada e gjysmë me radhë. Herë ndaras e herë së bashku (LDK/PDK).

Nuk ka ngjarë asnjëherë në historinë e Kosovës pluraliste që rrugëve dhe shesheve të Kryeqytetit politik të dalin 100.000 qytetarë të cilët kundërshtojnë politika qeveritare. Ata që këto lëvizje, demonstrata, protesta- t’i quajnë si të duan, i konsideruan dhe alarmuan si rrezikim të shtetësisë a demokracisë atëherë dijeni që ata janë pjellë e pushtetit aktual. Ata që Gazin Lotësjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës e shohin si prishje të imazhit duhet ta dijnë që ai gaz së paku e ka dekontaminuar frymën korruptive të jo pak ministrave e deputetëve të pushtetit të cilët duket që të mësuar me jargavitjet kundruall shefave të tyre duhet të kujtojnë që kur janë aty, brenda sallës plenare, duhet të bëjnë më me kujdes. Sepse përskajt kanë kolegë të tyre të cilët për premtimet që u kanë dhënë votuesve por edhe idealet e tyre janë në gjendje të hedhin edhe më shumë se gaz lotsjellës. Pallavrave të ambsadorëve perëndimorë që “po rrezikohet” demokracia kurrë mos u besoni: në vendet prej të cilave ata vijnë për demokraci janë vrarë dhe kanë vdekur jo veç deputetë por edhe presidenta të vendeve të tyre! Keq që Kosova po i përjeton këto fërkime të brendshme kaq vonë nga prizmi perëndimor- por më mirë vonë se kurrë. Ose më mirë tash sesa të ketë shtirje për “harmoni” e cila politikën në këto raste kur ka ndërmjetësime perëndimore atëherë bëhet edhe më e shpifur. Siç ka qenë në Kosovë për një dekadë e gjysmë me radhë. Apo siç momentalisht po e shohim në Maqedoninë e Shqipërinë fqinje. Të parën me zgjedhjet. Të dytën me “reformën” në “drejtësi”.

Duhet thënë krejt këto sepse nuk zbulojmë Amerikën nëse themi që me veç 30 deputetë të VV!, AAK, e Nismësë arritën që jo veç t’ua ndalin përqeshjen e vjeshtës së vitit 2014 koalicionistëve qeveritarë- Komandantëve të PDK-së, Doktorave të LDK-së e ish-Çetnikëve të Srpska-s, por edhe i lanë të struken qyshqeve të Kuvendit dhe restoraneve të Kryeqytetit gjithnjë me ankthin mos e hanë ndonjë vezë si ndëshkim për arrogancën dhe prepotencën e tyre politike.

Opozita pra, për të folur pak me Hashimin, ka bërë deri më tashti një punë të shkëlqyeshme. Atavizmat e fshehura tashmë edhe u shfaqën por them që s’ka vend as për gëzim e aq më pak panikë që mund të prishet ky projekt.

Uji Dea

Sepse pas zgjedhjes së Presidentit të ri, për të folur me gjuhën bajate politike, Opozita është në stad të ri dhe duhet vet t’i eksplorojë mundësitë e hartimit të planeve të reja dhe shkallën e shtrirjes së saj .

Dhe ato do të jenë me bollëk. Sepse shtyrja e ekzekutivit nga Qeveria në Presidencë prej datës 8 Prill veç sa do të shpërfaqë përmbajtjen thellësisht manipulative, korruptive, banale e autokratike të koalicionit PDK-LDK.

Riformatimi i Opozitës është i nevojshëm sidomos në planin ideor. Albini duhet që njëherë e përgjithmonë të lëvizë nga dy pikat e tij që quhen Anti-Asociacion dhe Pro-Bashkim me referendum. Ramushi e Fatmiri do të duhej që edhe nga ëndërrat e tyre të heqin çdo kooperim të mundshëm me PDK-në a LDK-në. Dhe të tre këta së bashku duhet që thjesht ta prekin më shumë pulsin e popullit të Kosovës që mbaroi për ta kapur për dore për ta shkundur e rrëzuar këtë pushtet që një vend e ka marrë peng. E ka izoluar dhe varfëruar, korruptuar dhe demoralizuar më shumë se edhe pushtuesit barbarë të dekadave e shekujve të shkuar.

Albini, Ramushi e Fatmiri duhet të vendosin: nëse e duan Kosovën më shumë se idetë dhe pushtetin duhet të mendojnë para së gjithash si ta rrëzojnë këtë pushtet. Krah për krah me popullin. Dhe kjo ngjet vetëm nëse adresohen problemet që populli i ka: nga papunësia e korrupsioni dhe deri tek izolimi.

/© GazetaBlic.com/