Hidromorava

Riformatimi i dialogut pensionon Editën

/ 6 minuta lexim

Fillimi i raundeve të reja të dialogut me Serbinë, në formatin e ri të përfaqësimit më të lartë institucional, nga presidenti dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, që pritet të vazhdojë edhe më tutje si fazë finale deri në përmbylljen e tij, gjykuar nga këndvështrimi i analistëve politikë e bën krejtësisht të panevojshëm funksionimin e mëtutjeshëm të Ministrisë për Dialog, e cila konsiderohet si një ministri e tepërt.

FUNDI I PASHMANGSHËM I NJË MINISTRIE TË KOTË

Shpenzimi i buxheti për ministren e dështuar të marrë fund

“Ministria për Dialog, si dikaster i veçantë i Qeverisë së Kosovës, nuk ka më asnjë kuptim. Në këtë vijë edhe diplomatja Edita Tahiri e ka të mbaruar misionin e saj, e i cili mision pa dyshim është i dështuar, kurse në rrethana të tjera ajo do të duhej të jepte përgjegjësi, dhe më e vogla është largimi i saj”, theksoi analisti Albinot Maloku

Fillimi i raundeve të reja të dialogut me Serbinë, në formatin e ri të përfaqësimit më të lartë institucional, nga presidenti dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, që pritet të vazhdojë edhe më tutje si fazë finale deri në përmbylljen e tij, gjykuar nga këndvështrimi i analistëve politikë e bën krejtësisht të panevojshëm funksionimin e mëtutjeshëm të Ministrisë për Dialog, e cila konsiderohet si një ministri e tepërt.

Fundamenti

Sipas analistëve politikë, tanimë është koha që kjo ministri të shuhet sa më parë, dhe koordinimi i vazhdimit të dialogut t’i delegohet Ministrisë së Jashtme, ngase edhe ashtu kabineti qeveritar është tepër i ngarkuar. Vetëm në politikën e jashtme, Kosova paraqet modelin e pazakontë të ndonjë vendi tjetër, duke pasur të angazhuara 4 ministri, Ministrinë e Jashtme, atë të Diasporës, Ministrinë për Integrime dhe këtë të Dialogut. Kjo Ministri për Dialogun është e panevojshme dhe mjaft e kushtueshme, kur kihet parasysh sa para harxhohen për shëtitjet e Edita Tahirit në Bruksel dhe pa rezultate, kurse një ministri të tillë nuk e ka pasur as Serbia, por e ka krijuar vetëm Kosova për ta rehatuar me një post Edita Tahirin si pjesë e koalicionit parazgjedhor me PDK-në nga një subjekt i veçantë politik. Analisti politik, Albinot Maloku konsideron se me vetë faktin që tani procesit po i prijnë liderët e shtetit, historia e deritashme e Edita Tahirit duhet të jetë mision i mbaruar. “Ministria për Dialog, si dikaster i veçantë i Qeverisë së Kosovës, nuk ka më asnjë kuptim. Në këtë vijë edhe diplomatja Edita Tahiri e ka të mbaruar misionin e saj, i cili mision pa dyshim është i dështuar, e që në rrethana të tjera ajo do të duhej të jepte përgjegjësi, por më e vogla është largimi i saj”, theksoi Maloku, shkruan gazeta Kosova Sot.

Aventurat e Thaçit

Analisti Jeton Kelmendi thotë se që në fillim ka qenë i gabuar vendimi i Hashim Thaçit, që e ka formuar Ministrinë për Dialog, dhe akoma shumë më kot ka emëruar një ministre, personin më të papërgjegjshëm që ka Kosova. “Që kur është formuar ky dikaster, Kosova është poshtëruar nga vetë Qeveria kosovare. Edita Tahiri ka shërbyer si marionetë e Hashimit dhe të gjitha negociatat e kësaj ministrie kanë qenë në shërbim të Serbisë. Mirëpo, nuk ka qenë e vetmja kjo që e ka ndihmuar Serbinë në integrimet evropiane, sepse shefi i saj shpirtëror dhe politik, Hashim Thaçi, me shumë sukses e ka ndihmuar shtetin fqinj drejtë BE-së. E, tash që ka nisur me iu djegur bishti gjarprit po mendon se u dogj krejt dynjaja dhe po do të lidhë çdo gjë me lëkurën e tij”, theksoi ai. “Thaçi vazhdon aventurat e tij politike me fatin e Kosovës, duke e marrë sërish vetë në duar punën e negociatave me Serbinë. Ministria e Editës është gabim që ka ekzistuar dhe do duhej shuar tani, sepse po e dëmton buxhetin e Kosovës me një ekip ministrie që është duke shëtitur vazhdimisht në relacionin Prishtinë- Bruksel”, tha Jeton Kelmendi. Ai ndan mendimin se negociatat me Serbinë duhet rishikuar dhe duhet ridizajnuar rrënjësisht, ngase deri tani është bërë vetëm dialog për Serbinë dhe tani duhet bërë edhe për Kosovën, por, sipas tij, kjo kurrë nuk ndodh me trinomin tragjik për Kosovën, Thaçi-Mustafa-Veseli.

Fuzionimi i ministrive

Edhe sipas profesorit universitar Nexhmedin Spahiut, Ministria e Dialogut është fare e kotë. “Megjithëse në dialog po marrin pjesë nivelet më të larta të përfaqësimit, roli i ndërmjetësuesve të përhershëm është i rëndësishëm dhe krucial, sikur janë Edita Tahiri, Blerim Shala dhe ekipi që merr pjesë dhe bën koordinimin e këtyre bisedimeve, të cilat që moti kanë dështuar dhe është dashur që të largohen megjithatë këta njerëz nga kjo detyrë. Tanimë po del sikur Kosova ka mbetur vetëm në Editën dhe nuk ka tjetër, derisa dështimet janë të njëpasnjëshme e sukseset askund”, potencoi ai. “Mendoj që tani Edita Tahiri duhet të zëvendësohet, të ndryshohet ky sistem dhe që natyrisht sa i përket edhe çështjes së ministrive ato duhet të zvogëlohen, sepse Kosova nuk e ka komoditetin që t’i ketë katër Ministri të Jashtme, sepse Ministria e Integrimeve, Ministria e Diasporës dhe ajo e Dialogut duhet të integrohen në Ministrinë e Jashtme, dhe në kuadër të saj të përcaktohet personi i cili do të bëjë edhe dialogun me Beogradin, që nuk do të thotë se duhet të jetë ministri, por dikush i emëruar nga ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, dhe ta kryejë atë detyrën që tani po e kryen Edita Tahiri”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.