Riformatimi ‘herr’ ministrat e Thaçit, sjell të dëgjueshmit e Veselit

Riformatimi i Qeverisë, i përmendur ditëve të fundit nga kryeministri i vendit, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, por edhe opozitarëve të vendit, nuk pritet që të sjellë asgjë të mirë për qytetarët e vendit, ngase sipas tyre, deri tek ky riformatim po vjen si rrjedhojë e vullnetit të kryeparlamentarit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit, i cili përmes të ashtuquajturit “Riformatim” i Qeverisë synon të përmbushë apetitet e veta me vendosjen e njerëzve të tij në krye të ministrive që i dirigjon PDK-ja.
“Riformatimi nuk shpresoj se është në interes dhe në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj, por në interes të individëve dhe grupeve të caktuara. Njerëzit, që i ka emëruar Hashimi dikur në mënyrë graduale, Kadriu po i zëvendëson me njerëz të vet, andaj kjo mund të shihet si njëlloj përplasjeje e heshtur, por jo në interes të qytetarëve të vendit”, ka deklaruar deputeti Zafir Berisha për gazetën “Kosova Sot”
Riformatimi i Qeverisë, i përmendur ditëve të fundit nga kryeministri i vendit, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, por edhe opozitarëve të vendit, nuk pritet që të sjellë asgjë të mirë për qytetarët e vendit, ngase sipas tyre, deri tek ky riformatim po vjen si rrjedhojë e vullnetit të kryeparlamentarit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit, i cili përmes të ashtuquajturit “Riformatim” i Qeverisë synon të përmbushë apetitet e veta me vendosjen e njerëzve të tij në krye të ministrive që i dirigjon PDK-ja.
Ndaj është shtruar edhe pyetja se pse riformatimi i Qeverisë nuk do të sjellë asnjë të mirë për qytetarët dhe a është kjo edhe një formë e përplasjes së HashimThaçit me Kadri Veselin, ku ky i fundit synon të bëjë ministra njerëzit e vet?
Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se këta pushtetmbajtës të klanit “Pronto” kanë dëshmuar tash e sa herë me aferat e tyre të njohura për publikun e gjerë, se nuk qeverisin me duar të pastra dhe me përgjegjësi e përgjegjshmëri, ashtu siç ishte interesi i vendit, ngase, sipas tij, ata udhëhiqen nga klanet e rrjetit mafioz, pjesë e të cilave janë vetë. Kelmendi tha se këta mbase janë edhe ndërtuesit e këtyre klaneve mafioze, që tash e 16 vite po qeverisin Kosovën, derisa po shihet se në çfarë gjendje e kanë sjellë vendin. “Prandaj, edhe riformatimi i kësaj Qeverie nuk i sjellë asgjë të mirëvendit, pos që bëhet për interesa të ngushta të këtyre pushtetmbajtësve, e pikë së pari për njerëzit e Kadri Veselit dhe të klanit të tij. Dihet se ai që erdhi nga nëntoka e SHIK-ut në krye të parlamentit dhe të PDK-së gjithashtu ende nuk ka dhënë së pari përgjegjësitë para publikut për veprimtarinë e SHIK-ut, në kohën kur ai ka qenë në krye të tij dhe kanë ndodhur të gjitha ato vrasje politike. Ai tashmë sa kohë po instalon logjikën e nëntokës në qeverisje dhe institucione. Pra, riformatimi i Qeverisë do të duhej bërë sigurisht për ndryshime kualitative në qeverisje dhe përgjegjësi në udhëheqje institucionale, dhe për interes të qytetarit e të vendit, por as që mund të ndodhë për interesa të vendit ky riformatim i kësaj Qeverie të korruptuar e të kriminalizuar, por sigurisht se vetëm për të përmbushur interesat e tyre të ngushta dhe ndoshta për të rehatuar në pozita udhëheqjesh në ministri e resorë institucionesh njerëzit e rrjetit të tyre, pra njerëzit e interesave të tyre të ngushta, e jo për interesa të vendit në asnjë mënyrë. Ndërsa, se si e kanë logjikën e qeverisjes me vendin dhe me institucionet e shtetit, këta pushtetmbajtës, është dëshmuar shumë, e saktësisht tek afera e përgjimeve “Pronto”, andaj me të njëjtit njerëz në krye të Qeverisë dhe institucioneve të shtetit asgjë më mirë nuk mund të pritet as këtu e tutje”, është shprehur Kelmendi.
Zeqa: Mustafa, marionetë e Veselit
Analisti tjetër Florim Zeqa ka pohuar për gazetën “Kosova Sot” se riformatimi i Qeverisë, i përmendur ditëve të fundit nga kryeministri i vendit, nuk pritet të sjellë asgjë të mirë për qytetarët e vendit, ngase, siç tha, deri tek kjo po vjen jo si shprehje e dëshirës, vetëdijes apo ndërgjegjes së kryeministrit Mustafa, por si rrjedhojë e vullnetit të kryeparlamentarit dhe kreut të PDK-së, zotit Kadri Veseli, i cili përmes të ashtuquajturit “Riformatim” i Qeverisë synon të përmbushë apetitet e veta me vendosjen e njerëzve të tij në krye të ministrive që i dirigjon PDK-ja. “Njëherësh, kjo do të shkaktojë përplasje të fuqishme mes tij dhe Hashim Thaçit, duke ia larguar këtij të fundit njerëzit e vet nga të gjitha ministritë. Në anën tjetër Hashim Thaçi nga posti i presidentit po tenton edhe më tutje të ushtrojë ndikimin e vet në partinë e tij, mirëpo fuqia e kryeparlamentarit Veseli në kreun e PDK-së është në rritje e sipër, krahasuar me imazhin në rënie të presidentit Thaçi.
Ndërsa, Riformatimi i Qeverisë nuk do t’i kursejë as ministritë e LDK-së, kur dihet ndikimi ekstrem i Veselit ndaj kryeministrit Mustafa, të cilin ditaditës është duke e shtrydhur sikurse limonin dhe përdorur si vegël pune për realizimin e qëllimeve të tija personale dhe partiake. Shprehur edhe më qartë, aktualisht Kadri Veseli është shndërruar në figurën numër 1 të politikës vendore, i mbështetur fuqishëm edhe nga ndërkombëtarët, mbështetja e të cilëve për Veselin është “Thikë me dy teha” për PDK-në në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, derisa në të njëjtën kohë, Kadri Veseli LDK-në është duke e përdorur si marionetë, shkaku i rënies së imazhit të saj dhe paaftësisë qeverisëse të kryeministrit Mustafa”, është shprehur Zeqa./kosova sot/