Rifilluan punimet për ndërtimin e stadiumit të futbollit në Pozheran
Viti – Kanë rifilluar sot punimet në ndërtimit e stadiumit të futbollit “Ibrahim Kurteshi” në Pozheran. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Kuvendit komunal Naim Pira, kanë parë nga afër fillimin e punimeve në fushë.
Haliti ka folur rreth punës së institucioneve komunale dhe për angazhimin e tyre në ndërtimin e këtij stadiumi, duke potencuar se kjo fushë do të jetë e gatshme në fillim të sezonit vjeshtor kur edhe fillojnë ndeshjet futbollistike. “Në këtë projekt përfshihen të rregullohet fusha, tribunat dhe zhveshtoret, ndërkaq shpresojmë që fusha të jetë e gatshme më 15 gusht. Ne si Institucione komunale, mbetemi të përkushtuar që të krijojmë hapësira të mira për zhvillimin e disiplinave sportive”, ka thënë Haliti.
Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Naim Pira, është shprehur i kënaqur me fillimin e punimeve në këtë stadium.
Ai gjithashtu ka theksuar se shpresojmë që të punohet me dinamizëm që Klubit “Vllaznia” t`i mundësohet që sa më parë të zhvilloj ndeshjet në këtë fushë të veten. Ndërkohë administratori i Pozheranit Ilir Zuka, ka vlerësuar rifillimin e punimeve të ndërtimit të stadiumit, ka potencuar se lojtarët e KF “Vllaznia”, nuk do të kenë më nevojë që ndeshjet t`i luajnë në terrene të komunave fqinje, por t`i zhvillojnë para shikuesve të vet. Në këtë stadium deri me tani stërvitjet dhe ndeshjet i ka zhvilluar KF. “Vllaznia” e Pozheranit, e që tani bënë gara në Ligën e Parë të Kosovës.
Ndërtim i stadiumit në Pozheran, është pjesë e memorandumit mes komunës së Vitisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në të cilin projekt ishte i përfshirë edhe Stadiumi i Qytetit të Vitisë./rajonipress/


