Fundamenti

Riciklimi i “Eqës”

/ 4 minuta lexim

Nuk i preferon riciklimet. Ka qenë i vetmi në LDK, që i ka shpallur publikisht “luftë” këtij termi. Në fund ka pranuar vetë të riciklohet. Arsyetohet se ka pasur shumë presione që të pranojë këtë riciklim. Eqrem Kryeziu, do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit. Ai ka pranuar që t’i mikthet garës për Prizren.

“Ju e dini se unë kam qenë kundër riciklimeve, por ishte kërkesa e Kryesisë që të garojë për Prizrenin. Përkundër rezistencës dhe vullnetit tim u deshtë të pranoj këtë kërkesë, e besa edhe presion”, tregon Kryeziu.

Ai thotë se personalisht nuk ka pasur dëshirë që të riciklohet për kryetar të Prizrenit.“Unë kam qenë që Hanifi Muharremi të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit. Unë e falënderoj Muharremin për guximin që ka treguar që të pranojë të jetë kandidat për Prizrenin, sepse nuk është punë e lehtë”, shprehet Kryeziu, transmeton PrizrenPress.

Ai thotë se rikthimi i tij, do t’i sjellë fitore LDK-së në këtë qytet.” Unë jam i sigurt se LDK-së do t’ia sjelli fitoren në Prizren, por jo edhe para e tendera.Unë kurrë LDK-së nuk i kam sjellë para e tenderë. Në këtë aspekt LDK-ja do të ma sheh sherrin prapë, sepse unë nuk i sjelli as para e as tendera”, shprehet Kryeziu.

Bindjen në fitore, Kryeziu e mbështet në qeverisjen 7 vjeçare që ka treguar pas luftës. “Qeverisja jonë ka qenë një befasi edhe për ndërkombëtarët. Ju e dini se kemi qeverisur me duar të pastra”, shprehet Kryeziu.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqerem Kryeziu, shprehet i bindur se LDK-ja në këto zgjedhje do të hyjë më e organizuar edhe sa i përket aspektit të ruajtjes së votës.” Në këto zgjedhje do të jemi më të organizuar edhe në vjeljen e votës, por edhe në ruajtjen e saj”, premtoi ai.

Mobi Casa

Kryeziu nuk është i shqetësuar për përçarjet e brendshme të LDK-së. Të gjitha kundërshtimet dhe akuzat që drejtohen kundër tij i merr normale. Dega e LDK-së në Zhurë dhe mbi 20 nëndegë kanë kundërshtuar kandidaturën e Eqrem Kryeziut për kryetar të Prizrenit.

Ato kanë kërkuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa që të mos e kandodoi Kryeziun për kryetar të Prizrenit. Dega e Zhurit pat propozuar edhe kandidatin e vetë, Nijazi Ademajn për kryetar të Prizrenit. Përkundër këtyre kundërshtimeve, Kryesia e LDK-së në Prishtinë, vendosi që Eqrem Kryeziu të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit. Kryetari i Degës në Zhur, Shukri Vezaj tregon se janë të injoruar nga Kryeziu. Ai thotë se në takimin e së shtunës nuk kanë qenë të ftuar.“ Nuk na kanë ftuar në takimin e së shtunës”, tregon Vezaj.

Ndërkaq, Kreziu thotë se përçarjet në jetën politike janë normale. “Nuk e shoh shumë problem. Kur të ofrohen zgjedhjet, ambienti do të ndryshojë dhe besoj se në atë ambient do të shkrihen të gjithë “, shprehet Kryeziu.

LDK-ja në Prizren brenda javës do të përpilojë listën me emra të kandidatëve për Asamblenë Komunale. Kryeziu kërkon nga përfaqësuesit e nëndegëve që të kenë kujdes në caktimin e emrave. Ai dëshiron që në listën zgjedhore të përfshihen më shumë të rinj. “LDK-ja si anëtare e Partisë Popullore e Evropës, e ka përgjegjësi më të madhe për imazhin e listës”, tha Kryeziu.

Kryeziu ndryshe nga herëve tjera, tash ka respekt për çdo kandidatë të partive tjera që do të garojnë për kryetar të Prizrenit. Ai nuk e nënçmon me “qyfyre”, asnjërin prej kandidatëve që kanë shpallur kandidaturën për kryetar të Prizrenit.

“Unë nuk kam çka të thamë për ta, kjo është një garë dhe përce respektit nuk kam tjetër çka të shtoj për asnjë kandidat tjetër”,thotë Kryeziu.