Riciklim për një Epokë tjetër
Nga Sahit Abazi – Kanë kaluar 14 vjet të Çlirimit të Kosovës, po bëhen 5 vite radhazi të festimit edhe të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe ende nuk po arrijmë të kënaqim ndërkombëtarët me nivelin e demokracisë që mbretëron në Kosovë.
S’më lë përshtypje pakënaqësia e ndërkombëtarëve për nivelin e demokracisë tek ne, sa demokracia për vet neve që pretendojmë të jetojmë në Republikën e Kosovës në shtetin më të ri në Evropë, vend në të cilin dua që gjenerata ime dhe e pasardhësve të jetojnë të lumtur, krenar dhe koherent me evropianët tjerë.
Kosova ka kaluar lloj lloj testi ndërkombëtar, duke filluar me integrimin e minoritarëve në shoqëri e institucione, bile duke u dhënë shumë herë më shumë se ç’ju takon, ka bashkëpunuar me besnikëri me Gjykatën ndërkombëtare të Hagës duke dalë fituese edhe ne GjND-së, ka pranuar sistemin pluralist politik duke ndërtuar standardet me të mira në rajon, ka qenë dhe vazhdon të mbetet shtet që realizon tregtinë e lire CEFTA-n, ka ndërtuar institucionet e shtetit, ka themeluar më shumë gjykata e prokurori se çdo vend në rajon, ka realizuar fqinjësinë e mirë me të gjitha shtetet në rajon përjashto Serbinë me te cilën po dialogon tani e një kohë të gjatë, të gjitha këto ngjarje dhe shumë të tjera kanë qenë historike dhe në të njëjtën kohë edhe teste ndërkombëtare të pafundme për Kosovën. Në të gjitha ja kemi dalë mbarë, por ende kemi shumë për të bërë, mendoj më shumë për ne se për ndërkombëtarët.
Zgjedhjet e shkuara nuk u lanë shumë përtypje ndërkombëtarëve ndonëse e pranuan rezultatin përfundimtar, por as qytetarëve të zakonshëm të Kosovës nuk ju pëlqyen. Më shumë u kontestuan nga vet garuesit brenda partive por në disa qytete edhe u përsëritën zgjedhjet në tërësi. Krejt ky zhvillim la shije të keqe për demokracinë e shtetit më të ri në Evropë.
Me 3 Nëntor, Kosova do të zhvilloj zgjedhjet lokale në tërë territorin e shtetit. Duket se edhe ndërkombëtarët sërish janë këtu, por edhe zërat brenda nesh janë shtuar për një proces të lirë demokratik ku lexohet çdo votë e tillë çfarë është shkruar dhe në adresë të kujt ka dhënë besimin për përfaqësim në 4 vjetet e ardhshme, në secilën asamble komunale. Duket se edhe vet institucioni që i organizon zgjedhjet në Kosovë e ka kuptuar se nuk luhet me rezultatin e as një vote. KQZ-ë ka arritur edhe një marrëveshje me Gjykatën dhe Prokurorinë e Policinë e Kosovës për t`i arrestuar dhe dënuar të gjithë ata që prekin rezultatin e zgjedhjeve të secilit subjekt politik, dhe të secilit kandidat brenda subjektit politik, bile flitet për dënime të rënda me vite të tëra prapa grilave. Kjo më jep shpresë se ketë herë vullneti i njerëzve të zakonshëm do të lexohet drejt dhe i tillë siç e vizaton votuesi vet.
Ndershmëria e këtij procesi më jep të drejt të besoj që pas zgjedhjeve, ndërkombëtarët e sidomos krerët e Evropës ta thonë vet, që Kosova ka kaluar edhe një test të rëndësishëm të demokracisë dhe shpërblimi të jetë jo më pak se Liberalizimi i vizave për shtetin më të ri në Evropë dhe të vetmin me regjim vizash.
Këtij rezultati duhet t`i kontribuojmë të gjithë, vet garuesit, partitë politike, institucionet e drejtësisë, shoqëria civile, mediat e sidomos ata që e lexojnë rezultatin.
Autori është njëri nga kandidatët për asamble Komunale.


