Uji Dea

Riatdhesimi mbetët sfidë për kosovarët

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Ulrike Lunaçek kërkoi angazhim të shtuar të institucioneve të Kosovës në çështjen e riatdhesimit dhe riintegrimit.

Njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave dhe afrimit të Kosovës me BE-në, është kthimi i kosovarëve që jetojnë pa leje qëndrimi në shtetet e Bashkimit Evropian dhe riintegrimi i tyre në shoqëri. Madje, dy javë më parë ky parim është zyrtarizuar si kushti themelor për liberalizim të vizave.

Ky proces konsiderohet njëri nga kriteret më të vështira, madje është konceptuar si procesi më i dhimbshëm i integrimit evropian, sepse mijëra kosovarë, pas qëndrimit disa vjeçar në shtetet perëndimore, duhet të kthehen në vendlindje.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar tashmë marrëveshje riatdhesimi me 17 shtete, ndërsa deri në fund të vitit, është parashikuar të nënshkruhen edhe disa të tjera. Me ato vende që janë arritur marrëveshjet, procesi i kthimit tashmë po vazhdon me intensitet të kontrolluar.

Ajo që konsiderohet më e vështirë në këtë proces, është riintegrimi i të kthyerve në shoqërinë kosovare. Shumica që kthehen kanë qëndruar disa vite në perëndim, duke bërë një shkëputje të gjatë me vendin tonë, prandaj edhe e kanë të vështirë të ambientohen në Kosovën e pavarur.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, austriakja Ulrike Lunaçek kërkoi angazhim të shtuar të institucioneve të Kosovës në çështjen e riatdhesimit dhe riintegrimit

Uji Dea

“Kjo mund të marrë disa vite, por kjo varet nga përpjekjet e Qeverisë në terren”, ka thënë për REL Lunaçek.

Bazuar në të dhënat zyrtare, që nga viti 2010, Qeveria e Kosovës ka riintegruar mbi 11 mijë kosovarë, pjesa me e madhe prej të cilëve u takojnë komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian. Pjesa më e rëndë e riatdhesimit bie, ndërkaq mi komunat e Kosovës, të cilat duhet të kujdesën për shkollimin dhe riintegrimin në komunitet.

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku shprehet e kënaqur me punën që kanë bërë komunat kosovare, ndërsa e pranon se ato janë të sfiduara nga obligimet që i kanë karshi liberalizimit të vizave.

Ajo tha se muajin e ardhshëm do të fillojë t’i takojë një nga një kryetarët e komunave. “Çështja e riatdhesimit ka qenë sfidë deri më tani dhe tash është e rëndësishme që ky proces të mirëmbahet dhe të avancohet”, ka thënë ajo.

Ndryshe, problemi më i madh për institucionet e Kosovës mbetet sistemimi dhe risocializimi i fëmijëve në shoqëri, kryesisht për ata fëmijë që kanë lindur në vende të BE-së dhe kanë vijuar shkollimin fillor atje. Kthimi në origjinë, konsiderohet sakrificë në vete edhe pse shumica e të riatdhesuarve, prapë i mbajnë sytë kah perëndimi.