Riadi pyet: Ku është ligji e shteti që nuk guxon tua prishë tymin bosëve të objekteve kolektive
Gjilan – Riad Rashiti padyshim që është këshilltari më aktiv në Asamblenë e Gjilanit. Riadi kësaj radhe është marrë me bosët e ndërtesave kolektive të cilët maksimalisht e kanë shkatërruar hapësirën urbanistike duke krijuar një kantier të krimit. Riadi pyet me të drejtë: Ku është ligji e shteti që nuk guxon tua prishë tymin bosëve të objekteve kolektive. Kjo pyetje sigurisht i adresohet Lutfi Hazirit e kryeprokurorit të Gjilanit.
Riad Rashiti ka shprehur shqetësimin e tij për shkatërrimin e përditshëm që po ndodhë në hapësirat urbanistike të Gjilanit.
Rashiti thotë se Gjilani për dy vite është shkatërruar shumë dhe realisht është shndërruar në një kantier të krimit ku çdokush ndërton ku do të dojë e si të dojë.
Duke parë këtë shkatërrim masiv Riad Rashiti në formë të ironisë ka bërë disa pyetje duke përkujtuar gjilanasit se si ishte dhe si duket tash Gjilani, si ishin dhe si duken tani fabrikat e dikurshme.
Në pyetjen e parë drejtuar qytetarëve Riadi thotë: Kush mund ta dijë, se ku e ka hyrjen fabrika e bukës në Gjilan. Në Gjilan dikur ekzistonte fabrika e njohur e bukës, pas procesit të privatizimit kësaj fabrike i ka humbur hyrja dhe nuk i ka mbetur asnjë derë fatkeqësisht, në katër anët e saj janë ndërtuar objekte pa leje dhe pa plan rregullues urbanistik. Tutje Riadi shtron dilemën: Kush janë investitorët-pronarët (Bosët) e këtyre objekteve kolektive, të cilët nuk njohin ligj e shtet dhe të cilëve kush nuk guxon e mundet t’ua prish tymin?
Sa mund të jetë vlera e investimeve dhe fitimi e pasurimi eventual i këtyre pronarëve?
Kush e din, sa është larg shtëpia e kryetarit të komunës së Gjilanit nga këto objekte pa leje dhe pa plan rregullues urbanistik, dhe sa janë dëmet që janë bërë me shuarjen e kësaj fabrike dhe me prishjen e infrastrukturës komunale që janë bërë nga këto ndërtime të egra?
Riad Rashiti kuptohet se pyetjet ia adreson edhe Lutfi Hazirit e kryeprokurorit të Gjilanit Jetish Malokut. Janë dy institucione të rëndësishme që nëse heshtin realisht janë bashkëpjesëmarrës të krimit të shumëfishët që po ndodh para syve tanë./rajonipress/

