Fundamenti

Rezoluta, mashtrim i Kuvendit për murin

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Përpjekja e kundërshtimit të ndërtimit të murit ndarës në veri të Mitrovicës me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, po cilësohet nga analistët politikë si një cirk i llojit të vet, që po bën politika kosovare, një lojë pa efekt e ligjvënësve kosovarë dhe, sipas tyre, ky është kulmi i dështimit dhe pafuqisë që po tregojnë institucionet dhe politika kosovare karshi provokimeve serioze të strukturave paralele serbe në veri të vendit.

KOSOVA PËSON FIASKO NË DIALOGUN ME SERBINË

Spahiu: Asgjë tjetër, pos shkarkimit të ekipit që përfaqëson Kosovën në Bruksel, nuk ka kuptim

Përpjekja e kundërshtimit të ndërtimit të murit ndarës në veri të Mitrovicës me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, po cilësohet nga analistët politikë si një cirk i llojit të vet, që po bën politika kosovare, një lojë pa efekt e ligjvënësve kosovarë dhe, sipas tyre, ky është kulmi i dështimit dhe pafuqisë që po tregojnë institucionet dhe politika kosovare karshi provokimeve serioze të strukturave paralele serbe në veri të vendit. Madje, kjo formë e reagimit të institucioneve të shtetit po shihet edhe si një fiasko e madhe që ka pësuar pala kosovare në procesin e deritanishëm të dialogut në Bruksel. “Kjo është vetëm një përpjekje për t’i hedhur hi syve opinionit publik, për të kamufluar papërgjegjësinë dhe injorancën e përfaqësuesve të Kosovës në dialogun me Beogradin. Asgjë tjetër, pos shkarkimit të ekipit që përfaqëson Kosovën në Bruksel, nuk ka kuptim”, u shpreh analisti politik Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”.

Qeveria duhet të obligohet për ta hequr murin

Edhe eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se rezolutat nuk është mjet për të prishur murin atje, se kjo temë mbetet me një trajtim jo të mjaftueshëm dhe pa zgjidhje, kurse pozitive në këtë situatë është vetëm debati i organizuar në Kuvend si qasje dhe asgjë më tepër. “Kjo rezolutë nuk sjell asnjë solucion e as ndonjë çështje tjetër të hapjes së rrugës për zgjidhje të problemit. Kuvendi është dashur ta obligojë Qeverinë që të marrë masa që ta heqë murin, duke hequr këtë mur të cirkut atje. Kjo shpjegohet vetëm si paaftësi, pazotësi dhe pamundësi për të ushtruar kontrollin e shtetit në tërë territorin e Kosovës”, është shprehur Burjani.

UBT

Një vlerësim të tillë pothuajse të ngjashëm ka edhe analisti Albrim Badallaj. “Të gjitha këto veprime defensive janë si rezultat e një politikë përkëdhelëse karshi Serbisë, kur dihet që Serbia dëshiron dhe duhet t’i tregohen dhëmbët, ashtu siç e meriton. Ne e dimë që bisedimet me Serbinë pa kushtëzime kanë sjellë ndarjen legale të Mitrovicës së Veriut dhe e kanë rritur ndikimin e Serbisë në atë pjesë. Derisa këto rezoluta nuk zbatohen, atëherë kot që miratohen, meqë po bëhen sa për konsum mediatik”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.

Rezolutë që nuk do të zbatohet

Dokument të pavlerë e quan miratimin e rezolutës, e cila nuk do të zbatohet asnjëherë nga Kuvendi, edhe analisti Arsim Haziri. “Konsideroj se përpjekja e Kuvendit për një rezolute në shenjë kundërshtimi ndaj”murit”në Mitrovicë , përbën neglizhencën e radhës që institucionet e Kosovës e drejtojnë karshi strukturave paralele. Institucionet, si lokale ashtu edhe qendrore, do të duhej që këtë çështje ta trajtonin me prioritet, në mënyrë që strukturat paralele të mos mund të zhvillojmë veprimtarinë dhe t’i zënë në gjumë shtetin e Kosovës”, u shpreh ai. Shton se institucionet e Kosovës e kanë humbur kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë, për të pamundësuar kreatura të tilla,çfarë minojnë qëndrueshmërinë politike dhe juridike të Kosovës.

Edhe sipas analistit Hidajet Ahmetit, dialogu me Serbinë që nga fillimi është i dështuar, duke konsideruar për një qasje të mbrapsht dhe të gabuar pa një strategji afatgjate. ” Servilizimi i palës kosovare ka qenë në kontinuitet duke lejuar Serbinë të përcaktojë agjendat e temave politike. Pafuqia e palës kosovare po dëshmohet çdo ditë e më shumë, duke u subordinuar deri në servilizëm”, u shpreh ai.

(Kosova Sot)