UBT

Rezerva për prefiksin

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Institucionet kosovare shprehen me rezerva rreth rezolutës për kodin telefonik me Shqipërinë. Në ART thonë se teknikisht kjo mund të ndodhë, derisa në MZHE janë skeptikë rreth modaliteteve të zbatimit. Rezoluta u miratua dhe kjo obligon Qeverinë ta bëjë zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale me atë të Shqipërisë +355.

Rezoluta e fundit e Kuvendit, që Kosova ta shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë, teknikisht mund të ndodhë, por jashtëzakonisht vështirë për t’u realizuar. Kështu thonë zyrtarë të institucioneve në lidhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila e obligon Qeverinë ta bëjë zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale +377, +381 dhe +386 me kodin telefonik të Shqipërisë +355.

Kjo rezolutë, e paraqitur nga deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, u miratua të enjten me shumicë votash 47 për, 9 kundër dhe 2 abstenim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Zyrtarë të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit kanë thënë se nuk u takon atyre ta komentojnë këtë vendim, por kanë pranuar se janë të gatshëm për t’i kryer ndryshimet e nevojshme nëse për këtë vendosin institucionet kompetente.

“Në rast se shteti e përvetëson një kod shtetëror brenda afateve të arsyeshme, do e ndryshojë legjislacionin sekondar dhe do saktësojë afatin transitor për jetësimin e bartjes se numeracionit nga prefikset në përdorim në prefiksin unik”, ka shprehur qëndrimin e ART-së një zyrtar brenda këtij institucioni.

Sipas tij, nëse Qeveria e përvetëson një kod nga shteti tjetër, atëherë ART-ja i ndërmerr veprimet e nevojshme, që fillohet me ndryshimin e rregullores mbi planin e numeracionit. Kjo rregullore do të saktësojë pastaj edhe periudhën e bartjes se numeracionit nga prefikset në përdorim në prefiksin unik.

Ai ka shtuar se një gjë e tillë teknikisht është e mundur të ndodhë.

“Teknikisht ka mundësi me ndodhë, por do të merrte kohë disa muaj deri të ndryshimi i legjislacionit sekondar”, ka thënë ai.

Mobi Casa

Ndërkaq, këshilltari në Ministrinë e Zhvillimit e Ekonomik, Gezim Baxhaku, thotë se kjo ministri nuk mund ta komentojë nxjerrjen e kësaj rezolute nga deputetët.

Por, burime brenda kësaj ministrie thonë se mbeten shumë dilema rreth modaliteteve se si do të arrihej një marrëveshje me Shqipërinë.

“Realisht prishja e kontratave me operatorët aktualë do t’i kushtonte shumë Kosovës. Po ashtu, në rezolutë nuk sqarohet se si do të jenë modalitetet e zbatimit të kësaj rezolute”, ka thënë ai.

Pas miratimit te rezolutës ka reaguar edhe kompania telekomunikuese IPKO.

Në komunikatën për media thuhet se si operator i licencuar i telefonisë mobile në Kosovë, IPKO është duke e analizuar këtë proces, të cilin është ende herët ta komentojë, pasi që i njëjti fillimisht duhet të definohet nga autoritetet përkatëse të vendit.

“Gjatë procesit, IPKO do të bashkëpunojë me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), institucion të cilin gjithsesi se do ta përkrahë për zgjidhjen e ofruar. Si çdo vendim tjetër institucional, IPKO në tërësi do t’i zbatojë të gjitha obligimet ligjore, të cilat mund të dalin nga ky proces i ndryshimeve në tregun e telekomunikacionit në Kosovë ”, thuhet në komunikatën e IPKO-s.

Aktualisht Kosova i shfrytëzon 3 kode për shërbime telefonike, +377, +386 për shërbime të telefonisë mobile dhe +381 për shërbime te telefonisë fikse.

Sipas njohësve të kësaj fushe, shfrytëzimi i 3 kodeve shtetërore për telefoni ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë probleme në shumë aspekte, që nga zvogëlimi i atraktivitetit për investime në sektorin e telekomunikacionit, humbje financiare dhe vështirësitë e mëdha për të menaxhuar sistemin e enumeracionit nga ana e rregullatorit dhe operatorëve që ofrojnë shërbime telekomunikuese në Kosovë.(express)