RCCOLA

Rexhepi: Projektbuxheti nuk mund të konsiderohet dokument përfundimtar

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi aprovimin e Projektbuxhetit për vitin 2015 nga Qeveria e konsideron vetëm si një përmbushje e obligimit ligjor nga ana e ekzekutivit. Sipas Rexhepit, ky projektbuxhet nuk mund të konsiderohet si dokument përfundimtar, ngase ende nuk dihet se kush do ta formojë Qeverinë e re

“Ndoshta ky draftbuxhet duhet të hyjë edhe njëherë në procedurë të rishikimit, për shkak se një qeveri tjetër mund të ketë edhe aspirata tjera, orientime tjera dhe qasje tjera ndaj buxhetit dhe ndaj shpenzimeve buxhetore”, tha Rexhepi për RK.

Edhe në aspektin përmbajtjesor, Rexhepi thotë se në këtë projektbuxhet nuk janë dhënë shumë detaje se ku mbështetet rritja ekonomike që është paraparë.

KKVITI

“Për mua të gjitha janë të dyshimta dhe vështirë të realizueshme, duke pasur parasysh kemi vitin 2014 i cili në aspektin ekonomik është vit i humbur dhe ka sjellë një degradim të ekonomisë. Për shkak se edhe rritjen ekonomike do ta kemi minimale, kanë dështuar shumë projekte kapitale, investime kapitale dhe nuk di prej nga do të arrijë që të hyrat të rriten në një masë 6 apo 8 për qind sa parashihet”, tha Rexhepi.

E vetmja mundësi që të arrihet kjo rritje, sipas Rexhepit, është që të ulet informaliteti. Për vitin 2015 të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë 1 miliard e 576 milionë euro, përkatësisht një rritje prej 8.1 për qind krahasuar me vitin 2014. Në kuadër të këtyre të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore, pritet të rriten me rreth 7 për qind, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme, pritet të rriten me rreth 17 për qind. Ndërsa rritja ekonomike parashihet të jetë 4.1 për qind.