RCCOLA

Rexhepi: Policët e Kosovës jo edhe të Serbisë

/ 2 minuta lexim

Informacionet e publikuara nëpër media që disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri, të nacionalitetit serb, kanë nënshkruar kontrata pune edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, ende mbesin të pa verifikuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, ka deklaruar për Indeksonline se, ka përpjekje nga Serbia që policët e Kosovës të punojnë edhe për MUP-in serb, mirëpo sipas tij, ende nuk ka informacione që është nënshkruar ndonjë kontratë e tillë.

“Kemi disa informacione që dikush i ka ftuar Policët e Kosovës, të nacionalitetit serb, që të nënshkruajnë kontrata pune edhe me MUP-in serb, mirëpo nuk kemi informacione që dikush nga policët tanë e ka bërë një gjë të tillë”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi ka deklaruar se, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, janë vetëm të Kosovës dhe nuk do të mund të punojnë për asnjë shtet tjetër. “Nëse vërtetohet se dikush nga policët ka dy marrëveshje pune, atëherë sigurisht që do të ndërmarrim masa me largim nga puna”, ka thënë ministri Rexhepi.

Fundamenti

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, toger Besim Hoti, ka deklaruar se nëse një gjë e tillë ka ndodhur, atëherë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, do të iniciojë menjëherë procedurë të Inspektorati Policor i Kosovës për hetime të mëtutjeshme.

Sikurse Rexhepi, edhe zëdhënësi i policisë nuk ka asnjë informacion që dikush nga policët e Kosovës ka firmosur edhe me MUP-in serb.

Vite më parë, kur policët serbë nuk kanë respektuar zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, ndaj tyre është marrë masa largim nga puna, madje kjo edhe ndaj komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës./Indeksonline/