Rexhepi: LDK-ja do ia kthejë dinjitetin Anamoravës e Gjilanit

Gjilan – Fatmir Rexhepi kandidat i LDK-së për deputet paraqitjen e tij të parë para elektoratit të LDK-së e ka nisur me akuza kundër Qeverisë në ikje. I njohur si njëri nga themeluesit e LDK-së dhe përkrahës i madh i presidentit historik Ibrahim Rugova, Fatmir Rexhepi po synon ta fitojë edhe një mandat të deputetit për t`ia kthyer siç thotë ai dinjitetin rajonit të Anamoravës dhe Gjilanit në veçanti, raporton rajonipress.
Fatmir Rexhepi nuk është emër i panjohur për njohësit e politikës në Gjilan dhe në veçanti për rrjedhat dhe zhvillimet në LDK.
Ai njihet si njëri nga themeluesit e LDK-së në Gjilan, përkrahës i madh i Ibrahim Rugovës në ditët më të vështira të okupimit, pastaj ishte ministër i Punëve të Brendshme, zyrtar me pozita të larta në LDK, kandidat për kryetar të Gjilanit, për tu larguar pastaj nga skena për një kohë, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet që ndodhën atëherë në LDK e Gjilanit.
Por kjo “shkëputje” për Rexhepin nuk ishte pengesë që ai tani të kandidojë për mandatin e deputetit. Të shtunën në një tubim elektoral Rexhepi u paraqit para elektoratit të tij dhe fokusin kryesor e drejtoj kah e ardhmja e Anamoravës duke e kritikuar Qeverinë në ikje për premtimet e parealizuara dhe për mos zhvillim të Anamoravës.
Fatmir Rexhepi e akuzoj Qeverinë aktuale se harroi të bëjë investime në Gjilan dhe Anamoravë. “Kjo qeveri i harroi premtimet, e harroi Gjilanin, por më 8 qershor qytetarët do të vendosin për projektin e ri të ndryshimeve për t’ua bërë jetën më të mirë. LDK-ja përfundimisht do ia kthejë dinjitetin Anamoravës dhe qytetarëve të saj. Mos humbni kohë e as mos hezitoni, por përkrahni kandidatët e LDK-së, e ta dërgojmë atje ku e ka vendin kjo garniturë e politikanëve” tha Rexhepi./rajonipress