Rexhepi: Kontrolli joefikas lejon mallrat e dyshimta
Mungesa e kontrollit të duhur në kufij bën që në Kosovë të depërtojnë mallra me cilësi të dyshimtë. Depërtimi i tyre në tregun e Kosovës faktohet me numrin e madh të mallrave që asgjësohen dhe heqjen e produkteve me vonesë nga tregu.
Kështu ka thënë drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale-STRAS, Ibrahim Rexhepi, në një intervistë për “Kohën Ditore”.
“Ka shumë raste të asgjësimit të produkteve të ndryshme, që do të thotë se në treg po hyjnë artikuj të dyshimtë”, ka thënë ekonomisti Rexhepi.
Ndërsa, vonesa në heqjen e produkteve të dyshimta nga tregu krahasuar me vendet e rajonit, sipas tij, po ashtu është argument për dështimin e institucioneve përgjegjëse.
“Kontrolli në kufij nuk është aq efikas në zbulimin e mallrave të dyshimta që orientohen për në tregun e Kosovës, dhe, e dyta, mungon bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse në rajon, së paku në shkëmbimin e informatave paraprake për rreziqet që i kanosen tregut”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka thënë se numri i vogël i inspektorëve ia pamundëson atyre të mbulojnë gjithë territorin e Kosovës, duke lënë shumë hapësira që në qarkullim të futën artikuj të dyshimtë dhe të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Drejtori i STRAS-it ka folur edhe për rolin e konsumatorëve në rregullimin e tregut. Si dhe për nevojën që shteti dhe BE-ja t’i përkrahë prodhuesit që ata të ngrenë cilësinë e produkteve të tyre.


