Rexhepi: Komuna e Kllokotit po injoron shqiptarët

Gjilan – Xhelal Rexhepi këshilltar komunal në Kllokot thotë për rajonipress se kryetari aktual serb Sreqko Spasiq nuk i respekton ligjet e Kosovës sepse ende komuna është pa stemën dhe flamurin e Kosovës, mungon fotografia e presidentes, derisa fshatrat shqiptare janë të anashkaluara nga investimet.
Xhelal Rexhepi këshilltar komunal në Kllokot ndihet i revoltuar me sjelljet e kryetarit të Komunës së Kllokotit i cili sipas tij këtë komunë e ka shndërruar në një institucion që po ndikohet çdo ditë nga strukturat paralele serbe raporton rajonipress.
Rexhepi thotë se Komuna e Kllokotit ende s`ka stemën , s`ka flamurin e as foton e presidentes së Republikës. “Kryetari serb nuk e respekton komunitetin shqiptar derisa i ka anashkaluar tërësisht investimet në fshatrat shqiptare. Kryetari është i ndikuar nga strukturat paralele serbe. Kllokoti është bërë “shah” në vete dhe po punohet në dëm të shqiptarëve” thotë ai.
Rexhepi thotë se nënkryetari i komunës i cili është serb jeton në Paraqin, derisa merr pagë nga buxheti i Kosovës. Të gjitha këto vërejtje dhe lëshime i kam bërë publike edhe në Asamble, por kryetari Spasiq nuk po i përfillë këto kritika tha Rexhepi. /rajonipress/