Rexhepaj: Hapëm me dhjetëra rrugë, ruajtëm jetën dhe pasurinë e qytetarëve

Gjilan – Drejtoria e Mbrojtjes dhe shpëtimit në pjesën e parë të këtij viti ka pasur një angazhim mjaft të madh, për shkak të kushteve klimatike që kanë mbretëruar, por edhe si pasojë e nevojës së angazhimit të Brigadës së zjarrefikjes në shumë raste.
Kjo drejtori ka mbikëqyrur projektin e mirëmbajtjes së rrugëve lokale gjatë sezonës së dimrit, ndërsa në fillim të pranverës është angazhuar në menaxhimin e situatave të vërshimeve nëpër lokalitete të ndryshme.
Drejtori Faik Rexhepaj, tha për rajonipress se suksesi i kësaj drejtorie bazohet në vullnetin për të qenë në shërbim të qytetarëve.”Në të gjitha rastet kemi qenë të gatshëm t`u përgjigjemi thirrjeve të qytetarëve për ndihmë si në rreziqet nga uji, zjarret ose bllokimi i rrugëve. Gjatë vërshimeve kemi punuar me ditë të tëra pa ndërprerje për të ruajtur pasurinë dhe jetët e qytetarëve tanë. Vetëm me lopatën ngarkuese në gjashtë muajt e parë kemi realizuar 17 projekte në të cilat janë kryer qindra orë punë për të zhbllokuar rrugët nëpër fshatra të ndryshme të komunës, poashtu kemi ndihmuar në eliminimin e deponive të mbeturinave dhe kemi marrë pjesë aktive në aksionet për pastrimin e ambientit” tha drejtori Rexhepaj.
Drejtori Faik Rexhepaj e ka vlerësuar në përgjithësi si të mirë angazhimin e stafit të drejtorisë. “Jam shumë i kënaqur me një pjesë të zyrtarëve të të drejtorisë ndërsa pres që në vazhdim edhe të tjerë të jenë më të motivuar për punë dhe të tregojnë suksese e rezultate më të mira në punë” tha Rexhepaj
Brigada e zjarrëfikjes përballet me një teren të gjerë të fushës së përgjegjësisë por deri më tani ka arritur që me sukses të kryej detyrat e veta.”Ne si brigadë e mbulojmë tërë Kamenicën por edhe komunën e Ranillugut e cila nuk ka zjarrëfikës. Për shkak të terrenit të gjerë ne presim që objekti i zjarrëfikësve në Muqiverc të jetë i gatshëm deri në fund të këtij viti dhe atje të funksionoj një pjesë e zjarrëfikësve të Kamenicës” tha drejtori Rexhepaj./rajonipress/