RCCOLA

Rexhep Shala doktori gjilanas që po bënë emër të respektuar në klinikat gjermane

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Mjeku gjilanas Rexhep Shala që tani punon në Goppingen të Gjermanisë dhe është kryemjek në spitalin e shtetit, ka bërë emër të njohur dhe po kërkohet nga të gjithë qytetarët pa dallim. Puna e tij e mirë profesionale, rastet e trajtuara në mënyrë shumë profesionale dhe dëshira e tij që të jetë taman mjek profesionist e kanë bërë Rexhep Shalën një mjek të dashur, të afërt dhe të sinqertë me klientët e tij edhe në spitalin shtetëror, por edhe në ambulancën e tij private. Si e sheh mjekësinë kosovare Rexhep Shala dhe cila është ëndrra e tij për të investuar në Kosovë.

Rexhep Shala në dukje të parë është një tip i qetë, i edukuar dhe i arsimuar ashtu siç veprohet në klinikat dhe spitalet më të njohura perëndimore. Nuk është vetëm kjo cilësi që e veçon doktor Rexhep Shalën. Ai është i lidhur me Kosovën, Gjilanin dhe vendlindjen e tij Poneshin. “Jam i lidhur emocionalisht dhe shpirtërisht me vendlindjen dhe kjo ka ndikuar që të vij edhe më shpesh në Kosovë” nis rrëfimin e tij Shala.

Shala nuk e ka pasur të lehtë ecjen e tij as profesionale e as familjare në Gjermani pasiqë është detyruar pothuajse që nga fillimi të kryej fakultetin dhe të përfundojë doktoraturën me rezultate shumë lakmuese në Gjermani.

Shala thotë për rajonipress se ka pasur një vullnet të madh që të përfundojë studimet dhe të punojë si specialist në Gjermani. “Fillimisht jam përballur me probleme të natyrave të ndryshme, derisa arrita të përfundojë studimet dhe tash si specialist i urologjisë jam kryemjek dhe kryej të gjitha operacionet e mundshme që lidhen me urologji. Kam shumë kërkesa nga pacientët shqiptarë dhe jam në dispozicion të të gjithë klientëve. Sigurisht që puna ime profesionale dhe kërkesat e shumta nga persona e personalitete me ndikim në Gjermani, më kanë bërë edhe më të njohur dhe më të afërt me klientët gjerman dhe të nacionaliteteve tjera” shprehet Shala.

Tani Rexhep Shala (1967) është mjek shumë i njohur në një spital të madh në Gypingen (Goppingen), rrethina e Shtutgardit (Gjermani) ku jeton me familje prej më shumë se njëzet vitesh. Në spitalin ku punon, që është ndër më të mëdhenjtë në rrethinat e Shtutgardit, tetë katesh, me disa reparte, atij i është besuar pozita e kryemjekut në departamentin e urologjisë.

Eco Higjiena

Rruga jetësore dhe profesionale e Shalës, që e ka dërguar deri këtu, është e mbushur me sfida e suksese. Ndihet i lumtur që tani e ka përmbushur ëndrrën e rinisë. Dëshira e tij është që të kthehet në Kosovë dhe të ndihmojë shëndetësinë e këtushme, e cila ka ngecur parapa mjekësisë botërore në trajtimin e avancuar të sëmundjeve urologjike. Në këtë drejtim, është duke menduar seriozisht “mjeku i burrave”, siç njihen ndryshe urologët. Specializimi i tij është trajtimi i tumoreve të prostatës dhe gurët në veshka. Mjekësia bashkëkohore u jep shumë përparësi mjeteve endoskopike, që nënkupton operim pa prerje. Laseri përdoret për gdhendjen e tumorit të prostatës dhe thyerjen e gurëve në veshka. “Për të pasur një jetë cilësore, shumë e rëndësishme është mënyra e ushqimit, llojet e ushqimit, barnat dhe terapitë tjera që janë të nevojshme pas operimit. Kontakti me mjekun është i domosdoshëm”, thotë mjeku Rexhep Shala.

Se nuk është shkëputur krejtësisht nga vendlindja tregon fakti se Rexhepi vjen çdo verë në Kosovë. Tani ka filluar të bëjë edhe plane tjera, që në Kosovë të mos kthehet vetëm për pushime. ”Po planifikoj ngapak për ardhur kohë pas kohe në Kosovë. Fillimisht mund të bashkëpunoj me një koleg timin, i cili është duke hapur një klinikë në Prizren. Më vonë të shohim, ndoshta mund të hap një klinikë timen”, thotë mjeku shqiptar.

Ai është në gjendje të sjellë në Kosovë herë pas here edhe mjekë të tjerë të huaj, që kanë emër në Gjermani. Edhe për kolegët e tij në spitalet dhe klinikat e Kosovës, ka fjalë të mira, për aq sa i njeh disa prej tyre, por thotë se mjekësia kosovare ka nevojë për përvoja të reja. Këtu ende praktikohen ndërhyrjet e hapura, ndërkaq mjekësia e avancuar botërore nuk i favorizohen më këto lloj operimesh. Tërheq vërejtjen për më shumë kujdes nga stresi, që është bërë një “vrasës i fshehur”, si pasojë e presionit dhe dinamikës së jetës. Përndryshe, dr Rexhep Shala ka bërë edhe një studim mbi psikotraumat e fëmijëve të luftës në Kosovë, në gjuhën gjermane, ku ka punuar mjaft gjatë në terren. Planifikon që ta botojë edhe në shqip. Në Gjermani, titullin doktor nuk mund ta fitosh pa punim shkencor, thotë ai.

Rexhep Shala është njëri nga shqiptarët e shumtë që në ato vite të vështira në Kosovë, u detyruan të marrin botën në sy për të siguruar ekzistencën e familjes, por është i vetmi ndoshta prej tyre që arriti të realizojë ëndrrën e tij dhe të bëhet një emër i njohur dhe i respektuar në mjekësinë gjermane. Por ëndrra e tij për të investuar vet në Gjilan e Kosovë është synim i tij./rajonipress/