Uji Dea

Rexhep Selimi: Qysh t’i besojmë Gjykatës Kushtetuese kur as Isa Mustafa s’i besonte dikur

/ 2 minuta lexim

​Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka thënë se çelësi i stabilizimit politik dhe institucional në Kosovë është në dorën e kryeministrit Isa Mustafa.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për të gjitha palët është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’. “E vetmja zgjidhje për kryeministrin, për Qeverinë, për opozitën e, para së gjithash, për Kosovën, është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’, për shkak se kjo marrëveshje është antikushtetuese dhe është kundër interesave të shumicës së qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Selimi.

Ai ka thënë se marrëveshja për “Zajednicën” fare nuk do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese meqë, sipas Selimit, kjo gjykatë është në duart e politikës si dhe kredibiliteti i saj nuk është i mjaftueshëm për ta bindur opozitën që t’i besojë.

“Kryeministri i Kosovës kërkon nga ne t’i besojmë një Gjykate Kushtetuese së cilës për një çështje të caktuar nuk i ka besuar ai vetë. Prandaj, Gjykata Kushtetuese është në duart e kryeministrit dhe të politikës. Duke qenë e tillë, fare nuk do të duhej të dërgohej marrëveshja për ‘Zajednicën’ në këtë gjykatë”, ka theksuar ai.

RCCOLA

Selimi ka bërë me dije se pas ratifikimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim opozita do të vazhdojë ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sa më kryeneçe të jetë Qeveria, aq më i madh do të jetë reagimi opozitar.

“Sa më tepër që të ketë masa represive për ta mposhtur opozitën, aq më tepër do të ketë përshkallëzim. Nuk ka variant të kthimit prapa të opozitës si pasojë e trysnisë nga pozita”, ka deklaruar Selimi.

Po ashtu, ai i ka komentuar edhe reagimet e zyrtarëve serbë për mundësinë e pezullimit të marrëveshjes për “Zajednicën”. Selimi ka thënë se ky reagim do të duhej të ishte një argument shtesë për ta kundërshtuar edhe më shumë marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe.