UBT

Rexhep Selimi: Çdo ditë do të ketë aksione, nuk po e sulmojmë Mustafën

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Lëvizja “Vetëvendosje” do të organizojë çdo ditë aksione kundër Qeverisë së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për “zeri.info” deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi.

Sipas tij, dëmtimi i veturave dhe sulmi me ngjyrë në drejtim të veturës së kryeministrit të Republikës, Isa Mustafa, është legjitim. Selimi ndër të tjera thotë se është e padrejtë të bëhet krahasimi i dëmeve materiale eventuale me dëmet çfarë po i bën ekzekutivi i vendit.

“Kjo Qeveri me Gjykatën Speciale po e dëmton të ardhmen tonë, me qasjen çfarë po i lejojnë Serbisë për ta penguar shtetin e Kosovës. Sidoqoftë, aksionet e ‘Vetëvendosjes’ janë shumë legjitime, madje do të jenë të përditshme. Edhe nëse shfryhen gomat e veturës së kryeministrit, unë nuk e kam këtë hall”, ka thënë ai.

Ndërsa gjuajtjen me ngjyrë nga aktivistët e LVV-së ndaj automjeteve zyrtare të Mustafës, sipas Selimit, nuk është sulm, por protestë. “Askush nuk e ka sulmuar kryeministrin, s’kemi qëllim ta sulmojmë, por ta ndalojmë”, ka potencuar ai për “zeri.info”

Ndryshe, aktivistët e partisë së Visar Ymerit kanë realizuar sot një aksion, në të cilin tentuan të vendosin disa fleta në veturat zyrtare, ku shkruhej “jofunksional”, ka përfunduar me arrestimin e disa aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

RCCOLA

Por, ata nuk u lejuan nga Policia e Kosovës, të cilëve më vonë i erdhi në ndihmë edhe Njësia Speciale, e cila për një kohë qëndroi e barrikaduar para oborrit të ndërtesës së Qeverisë së re.

Megjithatë, aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë arritur të shpërthejnë disa goma të veturave zyrtare. “Vetëvendosje” thotë se 40 veturave u janë shpërthyer gomat, duke i bërë jofunksionale, ashtu siç do të bëhet Kosova jofunksionale me “Zajednicën”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në një komunikatë për media thotë se rreth 40 persona, aktivistë të Lëvizjes ‘Vetëvendosje” kanë hyrë me dhunë brenda oborrit të objektit të ish-Rilindjes. Policia e Kosovës konfirmon se ata kanë filluar që t’i dëmtojnë gomat e veturave me targa zyrtare, ku rreth 55 veturave iu janë dëmtuar gomat.

Polica e Kosovës në bazë të detyrave dhe autorizimeve të përgjithshme ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të menaxhuar me këtë situatë dhe gjatë kryerjes së detyrës një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore.

“Gjatë këtyre zhvillimeve janë shoqëruar për në Stacion Policor 15 persona, të cilët po intervistohen sipas proceduarve të parapara dhe të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të kryhen në pajtim me ligjin”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Zëri/