Eko Higjiena

Rexhep Sadiku një atdhetar iluminist

/ 10 minuta lexim
GRANDEMALL

Nga Sinan Sadiku – Rexhep Sadiku një atdhetar iluminist me aftësi të jashtëzakonhsme oratorike që e ka thithë dhe e ka shpërnda nektarin e mencurisë popullore. Në mesin e personaliteteve të cilët kanë kontribuar në disa fusha në të mirë të njerëzve të kësaj anë dhe të një hapësire më të gjerë, pamëdyshje është Rexhep Sadiku apo Rexhë Gjyrisheci siç njihet nga një pjesë e popullatës.

Rexhep Sadiku u lind me 1 janar 1928 në fshatin Gjyrishec, të Malësisë së Gallapit, komuna e Dardanës. Babai i tij Hyseni, një pleqnar i mençur, kishte dhënë kontribut në pajtimin e mosmarrëveshjeve dhe kontesteve midis familjeve shqiptare të trevës së Gallapit dhe të Anamoravës. Fëmijërinë, Rexhepi, sikurse edhe moshatarët e tij, nuk e kishte kaluar në bankat e shkollës, sepse shkolla në gjuhën shqipe nuk kishte , por e kishte kaluar nëpër fusha dhe kodra duke i ruajtur bagëtinë. Megjithatë në vitin 1941 në Hogosh u hap shkolla në gjuhën shqipe.

Atëherë i kishte 13 vjet. Prej shtëpisë ku jetonte e deri në Hogosht ishte një distancë prej më tepër se 7 kilometra, vetëm njëri drejtim, por kjo nuk ishte pengesë që Rexhepi i ri të mos shkonte në shkollë për të mësuar shkrim-lexim. Ishte varfëri e madhe, shumica e nxënësve nuk kishin mjete për ta blerë as nga një fletore dhe ai, bashkë me aktorin e shkrimtarin e njohur Muharrem Shahiqi dhe poetin tanimë të afirmuar në suaza mbarëkombëtare Ali Huruglica, i shkruanin shkronjat nëpër lisa dhe kështu mësuan të shkruajnë.

Kjo falë vullnetit të madh , dëshirës dhe përkushtimit për të dalë nga analfabetizmi, etjes së madhe për dituri. Shpeshherë fliste për gëzimin e madh që kishte ndier kur e kishte blerë abetaren e parë. Në vitin 1947 e marrin në obligim ushtarak 38 muaj rresht. Në moshën 25 vjeçare, pra në vitin 1953 punësohet në Kuvendin komunal të Lisockës , më vonë Zyrë e Vendit, ku punon deri në vitin 1962, kur filloi të punonte si referent për çështjet e invalidëve në Komunën e Dardanës. Po atë vit shpërngulet me familje në Koretin, ku jeton deri në vitin 1965, kur vendoset në Dardanë. Si referent punoi prej vitit 1962 deri në vitin 1978 e pastaj 5 vite punoi në “Bankos” në Kamenicë , ndërsa prej viti 1983 në “BanKos” në Gjilan , ku punoi deri në vitin 1990, kur pensionohet. Prej vitit 1986 vendoset me familje në Fushë Kosovë. Aty jeton deri në vdekje më 14.11.2005.

Siç e shkrova më lart baci Rexhë punoi në administratën komunale në Dardanë prej vitit 1962 deri në vitin 1978. Në fillim të viteve të gjashtëdhjeta pak familje shqiptare jetonin në qendrën komunale. Pjesa dërmuese jetonin në fshatrat e kësaj komune, qofshin ato fshatra të Malësisë së Gallapit apo të Anamoravës. Shumica e shqiptarëve që ishin zot shtëpie , pra pak më të moshuar, ishin analfabetë që nuk dinin shkrim-lexim dhe nuk kishin mundësi ta shkruanin as edhe një lutje të thjeshtë e të mos flasim për shkresa të tjera. Po ashtu shumica jetonin në varfëri të skajshme, udhëtonin këmbë nga 3 e 4 orë për ta rregulluar ndonjë dokument dhe ktheheshin në shtëpi pa ngrënë as bukë thatë. Administrata komunale, në të cilën serbët ishin shumicë, i keqtrajtonin , i sillnin nga njëra zyrë në tjetrën pa ju kryer punë. Në këto rrethana Baci Rexhë ishte i papërtueshëm dhe sa herë kishte mundësi iu dilte në ndihmë. Po mendoj ua kryente të gjitha punët që kishte mundësi, ani pse nuk ishin punë të tij.

Ai i udhëzonte, i mësonte, i orientonte, ua shkruante lutjet, kërkesat , ua plotësonte formularët, i inkurajonte dhe ua shtonte besimin që t`i kryenin punët. Andaj njerëzit filluan ta çmojnë dhe vlerësojnë shumë. Me qindra njerëz të të gjitha fshatrave të komunës së se Dardanës me të cilët kam pasur rastin të bisedoj ma kanë thënë këtë. Secili duke folur për ndihmën që ia ka dhënë baci Rexhë, për pritjen që ua ka bërë, për punët që ua ka kryer. Është e thuajse e pabesueshme por nuk kam pasur rastin ta takoj ndonjë njeri i cili e ka njohur dhe që nuk ka thënë fjalë të mira e shumë të mira për të, duke treguar lloj-lloj rastesh kur ai ju ka dalë në ndihmë.

Ndihmën Baci Rexhë ua jepte njerëzve, bashkëkombësve nga se ushqente një dashuri të madhe për popullin që kishte shumë halle, për atdheun i cili ishte i okupuar. Andaj ai bënte çmos duke i ndihmuar dhe duke i këshilluar njerëzit që të shkolloheshin, sepse ishte i bindur që arsimimi, e bashkë me të edhe ngritja e vetëdijes kombëtare e sjellin lirinë. Si fëmijë më kujtohet kur vinte te ne në fshat dhe na udhëzonte të mësojmë të shkollohemi, se vetëm arsimimi thoshte na e mundëson përparimin në të gjitha fushat e jetës. U gëzohej si fëmija rezultateve tona në shkollim, duke kërkuar nga prindërit tanë që edhe mjetet e fundit t`i investojnë për shkollimin e fëmijëve.

Nëpër ndeja të ndryshme, në dasma, në raste të tjera, e veçmas në përpjekjet e suksesshme për t`i pajtuar njerëzit dhe për t`i shuar mosmarrëveshjet i shfrytëzonte njohuritë e shumta, aftësinë e jashtëzakonshme oratorike për ta mbjell tek njerëzit dashurinë ndaj atdheut dhe lirisë, duke i bindur se nuk jemi popull i lirë, siç thoshin propaganduesit e patriotizmit socialist jugosllav.

Këtë e bënte me një gjuhë të përsosur, duke e përcjell mesazhin tek qytetarët dhe duke mos i dhënë argumente për ta burgosur pushteti. Pikërisht në shtëpinë e tij, që ishte në qendër të Dardanës, më 15 tetor 1968 në ora 23 e 45 minuta nga atdhetari Abdullah Kastrati, të cilit i kishte ndihmuar edhe nipi i bacit Rexhë, Asllani ishte ngritë dhe kishte valuar flamuri kombëtar shqiptar. Abdullah Kastrati, pjesëtar i familjes patriotike të Kastratëve të Hogoshtit, nip i atdhetarit Muharrem Fejza, në atë kohë në Dardanë e kishte një dyqan në të cilin punonte këpucëtar.

FITORJA

Banonte në shtëpinë e Bacit Rexhë dhe kishte vendosur që aty ta ngritë flamurin kombëtar. Për këtë e kishte marrë pëlqimin e zotit të shtëpisë dhe ndihmën e nipit (djalit të vëllait) të tij, Asllanit i cili jetonte në një shtëpi me axhën. Të nesërmen para orës 6 ishin tubuar një turmë e madhe e serbëve për ta shqyer flamurin, por në fund nuk kishin pasur guxim t`i afrohen dhe ta realizojnë dëshirën e tyre, edhe pse në qytet asokohe ishin shumicë. Menjëherë Komiteti Komunal në Kamenicë kishte mbajt mbledhje të jashtëzakonshme dhe Bacit Rexhë i kishin dhënë vërejtje parapërjashtim nga partia, duke e kërcënuar edhe me largim nga puna. Përkundër të gjitha këtyre flamuri kombëtar kishte valuar në atë shtëpi për 4 ditë rresht.

Rrjedhat politike në Kosovë quan te ajo që pas një muaji të lejohet përdorimi i flamurit kombëtar dhe Baci Rexhë mbeti në punë.

Në vitin 1978 me rastin e njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Dardanë një grup i të rinjve, nxënës dhe studentë, e themeluan grupin ilegal “Para Agimit” , qëllimi i të cilit ishte bashkimi në një shtet i të gjitha territoreve të banuara me shumicë shqiptare. Në mesin e themeluesve ishte edhe vajza e bacit Rexhë Mihanja.

Mihanja ishte një vajzë shembullore, në mësime, në sjellje… një vajzë shembull për të rinjtë dhe të rejat e Dardanës. Grupi pati shtrirje të gjerë. Në vitin 1979 u zbulua ekzistimi dhe veprimtaria e grupit dhe filloi ndjekja e anëtarëve të tij. Mihanja disa herë u burgos, u izolua, u mor në biseda informative. Në tërësi familja e Bacit Rexhë u vu e në shënjestër të pushtetit dhe pasuan burgosjet, izolimet, bisedat informative, bastisjet, diferencime ideopolitike të familjes dhe anëtarëve të saj. Kjo vazhdoi edhe pas shpërnguljes në Fushë Kosovë.

Duke e ditur urrejtjen që kishin serbët si ndaj tij ashtu dhe ndaj familjes së tij, Baci Rexhë me familje më 24.03.1999 e lëshojnë shtëpinë në Fushë Kosovë, dhe gjatë asaj kohe të luftës, disa ditë qëndrojnë në Marec, pastaj në Krilevë, derisa arrijnë në Gjyrishec, ku qëndrojnë deri në përfundimin e luftës. Shtëpinë në Fushë Kosovë ia kishin bërë shkrumb e hi.

Baci Rexhë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pajtimin e ngatërresave dhe në faljen e gjaqeve midis familjeve shqiptare. Një kohë këtë aktivitet e ka zhvilluar në territorin e komunës së Dardanës, ndërsa më vonë ka ardhur duke e zgjeruar deri sa e ka shtrirë në nivel të Kosovës. Një aktivitet më të ngjeshur në këtë lëmi e ka zhvilluar gjatë viteve të nëntëdhjeta e edhe pas çlirimit, gjithnjë deri në vdekje. Falë njohurive të tij të gjera, njohjes së shpirtit të popullit, aftësisë së jashtëzakonshme oratorike, ka arrit t`i bind njerëzit dhe të jetë shumë i suksesshëm në këtë fushë. Duke i njohur aftësitë e tij për ta bërë pajtimin e gjaqeve e kanë ftuar dhe e kanë marrë nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Baci Rexhë ka qenë një njeri që ka lexuar shumë, ka mbajt në mend shumë, ka ecë shumë, është takuar më shumë njerëz të të të gjitha kategorive dhe prej të gjitha këtyre ka mësuar shumë. E ka njohur në gjerësi dhe në thellësi shpirtin e shqiptarit dhe ka ditur ta thithë nektarin e mençurisë popullore. I ka njohur me përpikëri zakonet dhe moralin e shqiptarit, mentalitetin dhe krijimtarinë shpirtërore të popullit. Ka ditë shumë ngjarje, tregime, anekdota, mesele, përralla, fjalë të urta… dhe të gjitha këtyre ka ditë t`ua gjej si momentin ashtu edhe vendin për t`i treguar, duke ua përshtatur edhe nivelit të ngritjes intelektuale të njerëzve, në mënyrë që ato të jenë interesante e ta rrëmbejnë vëmendjen e të pranishmëve.

Dhe atë, jo vetëm ta rrëmbejnë vëmendjen e të pranishmëve, por edhe të jetojnë një kohë të gjatë në mendjen e tyre, duke ushtruar ndikim pozitiv. Ka qenë një orator i lindur, i jashtëzakonshëm. Ka qenë mjeshtër i fjalës të cilin njerëzit e kanë dëgjuar me ëndje madje edhe nga disa orë, pa u lodhë nga monotonia. Oda ku ka qëndruar baci Rexhë ka qenë plot me njerëz të etshëm për ta dëgjuar. Po të kishte qenë ndonjë intelektual, ndonjë gazetar apo shkrimtar i zoti për t`i vjel, për t`i sistemuar e seleksionuar ato që ka ditë t`i tregojë baci Rexhë, duke e shkruar një libër, lexuesit do ta kishin në dorë një libër të mrekullueshëm , një margaritar të mençurisë dhe të shpirtit shqiptar. Fatkeqësisht asnjëri prej nesh nuk e kemi bërë këtë./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.