Fundamenti

Rexhep Qosja kundër kreut të Akademisë së Shkencave dhe kreut të Kuvendit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar ndaj takimit të sotëm të kryeparlamentarit Kadri Veseli me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, që ka qenë kritik ndaj veprimeve të opozitës, Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e tij.“Sot pasdite, në medie elektronike dëgjova dy deklarata që u dhanë me rastin e vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

E para ishte deklarata e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i cili tha, me një gramatikë prej analfabeti, se problemet e Asociacionit të Komunave Serbe dhe të Demarkacionit me Malin e Zi nuk zgjidhen ashtu si po shohim në televizione, domethënë si po kërkon opozita, por zgjidhen me institucione ashtu si po kërkon kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, domethënë ashtu si duan Serbia dhe Mali i Zi! Unë kuptoj pse kryeministri i Kosovës pajtohet të krijohet edhe një shtet serb në Kosovë dhe t’i jepet një pjesë e Kosovës Malit të Zi. Njëkohësisht, unë kuptoj pse me këtë pajtim të kryeministrit të Kosovës pajtohen edhe shërbëtorët e tij të Akademisë, të cilët e kanë bërë akademik pa kurrfarë meritash shkencore dhe pa kurrfarë vlerash intelektuale!

Meqenëse kuptoj se kryetari i qeverisë së Kosovës dhe kryetari i Akademisë pajtohen me dy marrëveshje që cenojnë rëndë interesat e përtashme dhe historike të Kosovës më duhet të kuptoj edhe pajtimin e mendjes katërkëmbëshe të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me burgosjet politike të anëtarëve, të deputetëve e të deputeteve, të opozitës!

Mobi Casa

Deklarata e dytë ishte ajo e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se ligji për Akademinë e Shkencave e të Arteve, i cili është në procedurë, do të miratohet ashtu siç do Akademia! Në këtë mënyrë kryetari i Kuvendit të Kosovës shpërfilli dhe përbuzi opinionin e Kosovës, institucionet e ndryshme shkencore, fakultetet, studiuesit shkencorë dhe krijuesit e arteve, që para miratimit të tij kanë të drejtën të shfaqin mendimin për këtë ligj. Për të qenë puna edhe më zi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shpërfilli plotësisht edhe vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët do të duhej ta diskutojnë e ta miratojnë atë ligj jo ashtu si do ajo Akademi private, të cilën qe 20 vjet e sundon, e shfrytëzon, e korrupsionon një klan mafioz, por ashtu si e duan interesat e Republikës së Kosovës.

Askund në botë në shtetet demokratike kuvendet nuk miratojnë ligje duke shpërfillur ata që ka zgjedhur populli për vlerësimin dhe miratimin e tyre.

Demokracitë e tilla, ku ligjet aprovohen siç tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, në botën moderne quhen demokraci skllavopronare”, ka shkruar Qosja.