Rexhep Kadriu, merr edhe një mandat udhëheqjen e AAK-së në Gjilan
Gjilan – Kryetar i deritanishëm i AAK-së, me vota unanime të anëtarëve të Këshillit Drejtues, iu besua udhëheqja e partisë edhe për një mandat.
Në Kuvendin e VII-të Zgjedhor të AAK-së në Gjilan, i cili u mbajt të mërkurën pasdite është bërë ristrukturimi i instancave të larta partiake, ku u votua për zgjedhjen e Këshillit Drejtues të partisë, këshill ky që zgjodhi edhe kryetarin e Degës.
Me vota unanime dhe pa ndonjë kundërkandidat, kryetar i AAK-së në Gjilan u rizgjodh Rexhep Kadriu.
Kadriu falënderoi Këshillin Drejtues për besimin që po i japin atij, ndërsa ka premtuar se bashkëpunimi dhe sukseset nuk do të kenë të ndalur.
“Unë ju premtojë që përkushtimi im për Aleancën në Gjilan, nëse jo aq sa ka qenë deri tani, do të jetë vetëm se më i madh. Unë edhe pas përfundimit të proceseve zgjedhore e deri më tani, kam punuar vazhdimisht që t`i dalë në krye premtimeve dhe kërkesave tuaja dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë, deri atëherë kur të gjithë të jemi të kënaqur”, ka thënë Kadriu.
Kuvendi i VII-të Zgjedhor i AAK-së në Gjilan, ka ardhur si rrjedhojë e strukturimit të brendshëm që po bëhet në Aleancë në nivel vendi, me vendimin e kryetarit Ramush Haradinaj, që fryma demokratike dhe kurajo për të punuar për vendin tonë, të jetë pika më e fuqishme për të punuar për vendin tonë thuhet në njoftimin e AAK-së./rajonipress/


