Revoltohet Kadriu: Gjilani po vendnumëron

Gjilan – Rexhep Kadriu kryetar i AAK-së në një prononcim për rajonipress thotë se pritjet që po bënë Lutfi Haziri për grupe qytetarësh e kanë kaluar çdo kufi. Gjilani nuk është në një pozitë luksi për të humbur kohë me falënderime e pritje koti. Me këso veprime po tregohet se Gjilani po vendnumëron tha Kadriu.
Kreu i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu është i shqetësuar me mënyrën se si Lutfi Haziri harxhon energji dhe humb kohë duke pritur për më shumë se një muaj grupe të qytetarëve. “Gjilani nuk është në një situatë luksi kur duhet të priten çdo ditë qytetarët e të falënderohen ata. Këto pritje janë humbje kohe kurse i kushtojnë shumë Gjilanit” tha Kadriu, raporton rajonipress.
Kadriu thotë se Gjilani ka shumë probleme të pazgjidhura derisa qytetarët kanë pritur shumë nga ky ndërrim i pushtetit. “Shyqyr zotit që s`ka borë sepse Gjilani ende është pa kontratë të mirëmbajtjes dimërore. Tani kemi probleme edhe me mungesën e ujit të pijshëm dhe disa lagje kanë probleme me kanalizime e ujëra të zeza. Karshi të gjitha këtyre ankesave e kërkesave emergjente kryetari i ri po rri duarkryq” tha Kadriu.
Kadriu tha se është e pafalshme që institucioni i Komunës të shndërrohet në odë të pritjes për falënderime.”Qeveria e re ka premtuar shumë dhe realisht qytetarët kanë pritur shumë, por në fakt s`ka ndryshuar asgjë sepse shërbimet publike pothuajse janë paralizuar. Qeveria e re komunale s`ka ide sepse po i mungojnë iniciativat konkrete kurse qytetari i thjeshtë ka pritur më shumë dinamizëm. Realisht Gjilani vetëm po vendnumëron dhe po shkon mbrapa” tha Kadriu./rajonipress/