Reuters: FMN e brengosur me rritjen e pagave

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Rritja e fundit e pensioneve dhe e pagave të shërbyesve publikë prej 25 për qind do të vë presion të dukshëm ndaj buxhetit të Kosovës dhe do ta dëmtojë sektorin privat në vend, i ka thënë agjensisë Reuters një zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Më 2011, FMN-ja kishte anuluar një program paraprak me Kosovën, kur kryeministri Hashim Thaçi i kishte rritur pagat e sektorit publik për 50 për qind, vetëm për të mbajtur premtimin gjatë fushatës parazgjedhore.

Muajin e kaluar, kabineti i Thaçit ngriti pagat për 240 000 mësues, policë, mjekë, për administratën shtetërore, pensionistët dhe për përfituesit e ndihmës sociale.

Ky veprim erdhi pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen në mes të qershorit dhe shtatorit.

Opozita ka akuzuar Thaçin se po e përdorë paranë publike për ta përmirësuar pozitën e tij.

“Rritja e fundit e pagave dhe pensioneve është brengosëse”, ka thënë Jose Sulemane, përfaqësues rezident për Kosovën në FMN, transmeton Koha.net.

Mobi Casa

“Kjo rritje do të vë presion domethënës mbi buxhetin dhe do ta dëmtojë sektorin privat. Një rritje më e moderuar në paga dhe përfitimet më pak bujare do të ishin më të përshtatshme”.

FMN dhe Kosova janë pajtuar për një rritje prej 14 për qind në paga, vetëm për administratën publike, ku janë të punësuar rreth 80,000 persona. Në marrëveshje nuk është përmendur asnjë rritje tjetër.

Kjo rritje e re e pagave dhe pensioneve do të ketë nevojë për rreth 100 milionë euro shtesë për nëntë muajt e ardhshëm të vitit 2014 dhe rreth 130 milionë euro tjera për tërë vitin e ardhshëm.

E qeveria asnjëherë nuk është deklaruar se prej nga do të vijnë këto para.

Një delegacion i FMN-së që qëndroi në Kosovë javën e kaluar, mirëpo një zyrtar qeveritar i ka thënë Reuters-it se FMN-ja nuk do t’i nisë bisedimet për huadhënie të re për Kosovën para mbajtjes së zgjedhjeve. /Telegrafi/