Respektimi i etikës ilaçi më i mirë për mediat online

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Imer Mushkolaj, Nehat islami dhe Musa Sabedini pjesë të bordit të Mediave të Shkruara të Kosovës kanë bashkëbiseduar në një debat të mbajtur në Gjilan për sfidat që kanë portalet dhe në përgjithësi mediat online. U tha se respektimi i kodeve të etikës është ilaçi më i mirë për ta sfiduar gazetarinë joprofesionale.

Në kuadër të debateve me përfaqësues të portaleve dhe në përgjithësi medieve të shkruara, KMSHK kësaj radhe zbarkoi në Gjilan për të debatuar me gazetarët dhe për të parë problemet dhe hallet me të cilat ballafaqohen ata.

Nehat Islami nga KMSHK tha se edhe mediet online kanë telashet e veta dhe ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme.”Lajmet e rreme janë sëmundja më e rëndë e shoqërive të civilizuara. Andaj etika e gazetarisë është ilaçi më i mirë për ta sfiduar gazetarinë joprofesionale” tha Islami.

Islami tha se KMSHK i tubon gazetarët e të gjitha medieve të shkruara dhe synojmë që përmes këtyre forumeve të ndikojmë pozitivisht tek portalet.

Musa Sabedini nga bordi i KMSHK dhe themelues i Rajonipress tha se që të respektohet etika dhe kodet e saja gazetarët duhet të jenë të edukuar dhe të arsimuar. “Etika është ombrellë mbi kokat tona e cila na vëzhgon çdo ditë dhe na mëson si të sillemi në raport me të gjitha finesat që bartë gazetaria e mirë dhe ajo profesionale. Mediet online janë përgjegjëse për kursin që ato mbajnë në raport me lajmet e transmetuara të prodhuara nga vet portalet, por edhe ato që merren si të huazuara” ka thënë Sabedini.

Hidromorava

Sabedini ka thënë se edukimi dhe vetëdijesimi i themeluesve të portaleve së pari dhe pastaj edhe i gazetarëve dhe i redaktorëve e ndihmon shumë etikën dhe na ndihmon shumë që të bëjmë gazetari të saktë dhe të verifikueshme.

Kurse, Imer Mushkolaj kryetar i KMSHK tha se mediat online janë të shpejta, por kanë edhe defektet e saja, tash nuk ka komoditet krahasuar me mediat e shkruara. “Ka portale të veçanta që merren me etiketimin e njerëzve dhe e shkelin etikën me dy duar dhe kështu po u ndihmohet gazetarisë së keqe. Ne duhet ta edukojmë publikun, por edhe mediet duhet të profesionalizohen. Gazetaria online po zhvillohet hovshëm dhe nga ky zhvillim janë përfitues edhe lexuesit edhe gazetaria e mirë dhe e shpejt, por jo gjithmonë portalet mund të jenë të sakta dhe të balancuara” tha Mushkolaj.

Muhanmet Halili themelues në portalin 2lonline tha se lexuesi ynë duhet të vetëdijesohet dhe të edukohet dhe mos të pranoj apo lexojë portale që nuk kanë adresë dhe portale që punojnë copy paste. “Lexuesi e ka mundësinë e zgjedhjes dhe selektimit të lajmeve duke ikur nga portalet që çdo ditë merren me sensacione dhe lajme të rreme”.

Halili tha se KMSHK është mirë të ruajë këtë traditë të takimeve dhe në të ardhmen edhe të botojnë udhëzues që lidhen me rregullimin profesional dhe etik të portaleve.

Në debat ka folur edhe Tefik Selimi i cili ka rrëfyer mbi përvojën e tij në gazetari të shkruar dhe qasjen që tani kanë mediat online./rajonipress/