Fundamenti

Reshat Sadiku e mbylli begatshëm kaptinën e tij jetësore

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ishte i veçantë Reshati në ndërtimin dhe edukimin e familjes së tij, në përkushtimin atdhetar dhe institucional andaj e themi me plotë mburrje e krenari që Reshat Sadiku e mbylli sot begatshëm kaptinën e tij jetësore edhe si njeri e qytetar, edhe si prind edhe si epror e shtetëndërtues ka thënë Qemajl Mustafa.

Me rastin e vdekjes së veteranit të luftës së UÇK-së, Reshat Sadikut, Kuvendi Komunal i Gjilanit, OVL e UÇK-së dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në Gjilan kanë mbajtur një akademi përkujtimore, ku janë theksuar vlerat njerëzore dhe atdhetare të këtij veprimtari të dalluar të çështjes kombëtare.

Izmi Zeka, në emër të Kuvendit Komunal, tha se Reshati ishte njeriu me të cilin udhëtuam bashkë nëpër sfida dhe momente të këqija e të mira në rrugën e madhe të lirisë. Me shembullin e tij, ai la gjurmë të përjetshme se si duhen njerëzit e si duhet atdheu dhe liria e tij, tha Zeka.

Edhe Qemajl Mustafa tha se u pikëlluam sot të gjithë kur kuptuam që njëri nga njerëzit tanë të vyeshëm e të përkushtuar për lirinë e shtetësinë tonë kishte ndërruar jetë. “Me këtë rast natyrshëm e kemi një zbrazëti në veten tonë dhe bashkëndjehemi me dhembjen e familjarëve, të miqve e shokëve të Reshat Sadikut. Është kjo kështu sepse nuk e kemi fizikisht një pjesë tonën të vlefshme – nuk e kemi një bashkëqytetar e bashkëkombës tonin të spikatur” tha Mustafa.

Tutje Mustafa tha se fundi i jetës vije disi për të gjithë ne që e kemi nisur rrugëtimin nëpër jetë që nga lindja e jonë. “Ky fund ndonjëherë vije më herët si në rastin e familjarit, shokut e mikut tonë Reshat Sadikut e ndonjëherë vije sikur na duket neve „në kohën e duhur“. Ndonjëherë vije me paralajmërim, ndonjëherë vije befasisht e ndonjëherë edhe tragjikisht. Sidoqoftë, një e vërtetë qëndron përherë – vdekjet sjellin pikëllim e dhembje, por disa nga to sjellin edhe plotë krenari bile aq shumë krenari sa dhembja vjen e relativizohet dukshëm” tha Mustafa.

Mustafa tha se përbri dhembjes për Reshatin qëndron vertikalisht dhe lartë mbi të Krenaria e neve të gjithëve, edhe e familjarëve, edhe e shokëve e kolegëve për njeriun e veçantë, për njeriun elitar që e patëm. “Ishte i veçantë Reshati në ndërtimin dhe edukimin e familjes së tij, në përkushtimin atdhetar dhe institucional andaj e themi me plotë mburrje e krenari që Reshat Sadiku e mbylli sot begatshëm kaptinën e tij jetësore edhe si njeri e qytetar, edhe si prind edhe si epror e shtetëndërtues”.

Uji Dea

Kurse Hydajet Hyseni, në emër të ish-të burgosurve politikë, theksoi se Reshati ishte nga ata veprimtarë të çështjes kombëtare që të bëjnë borxhlinj me punë shumë e fjalë pak. I tillë ishte në gjithë veprimtarinë e tij atdhetare Reshati. Ai ishte i dashur me shokë dhe i pamëshirshëm me kundërshtarët dhe armikun, tha Hyseni.

Ndërkaq, në emër të OVL të UÇK-së, foli Ahmet Daku, i cili tha se Reshati tërë jetën ia kushtoi atdheut, lirisë, humanizmit, tolerancës dhe bashkimit kombëtar. Në këtë rrugë, nuk kurseu asgjë, as veten, as familjen. Ishte shembull si duhet punuar në çdo kohë për vendin, si para luftës, ashtu edhe gjatë luftës dhe pas saj.

Me rastin e vdekjes së togerit Reshat Sadiku, telegram ngushëllimi ka dërguar edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai nënvizon kontributin e këtij veprimtari e atdhetari të dalluar në luftën për çlirimin e vendit si dhe ndërtimin e institucioneve të tij, pas luftës.

Reshat Sadiku, veteran i luftës së UÇK-së, vdiq të dielën, në moshën 54-vjeçe. Në UÇK, në njësitet e qytetit, kyçet me 1998. Me transformimin e UÇK-së, Reshati sistemohet në Departamentin e Operatives të Zonës së 6-të të TMK-së në Gjilan, me gradën toger, ku punoi deri në vitin 2008, kur edhe pensionohet.

Me vdekjen e Reshat Sadikut, Komuna e Gjilanit dhe OVL e UÇK-së, kanë humbur një veprimtar të madh dhe një luftëtar të devotshëm të çështjes kombëtare./rajonipress/

Mund të ju interesoj: