Reshat Hyseni e fiton betejën me MPB

Gjilan – Gjykata Themelore në Ferizaj e ka anuluar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme duke e obliguar këtë të fundit që ta kthejë në punë Reshat Hysenin me të gjitha të drejtat e marrëdhënies së punës thuhet në vendimin e gjykatësit Fejzullah Rexhepi. Avokati mbrojtës Shemsedin Pira thotë se kjo është beteja përfundimtare e klientit të tij.
Reshat Hyseni nga Ramjani i Vitisë (në foto me Shemsedin Pira) ish toger policie i suspenduar nga puna në qershor të vitit 2010 edhe pse i ka fituar të gjitha gjykimet dhe është liruar nga fajësia, rasti i tij vazhdon të kontestohet nëpër gjykatat kosovare.
Megjithatë vendimi i fundit i Gjykatës Themelore në Ferizaj mund t`i jap epilog përfundimtar dhe pozitiv rastit të Reshat Hysenit raporton rajonipress.
Gjykata Themelore në Ferizaj e kryesuar nga gjykatësi Fejzullah Rexhepi në janar të këtij viti mori vendim që ta anuloj vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila edhe pse i kishte të gjitha faktet dhe dëshmitë se Reshat Hyseni ishte shpallur i pafajshëm dhe ishte liruar nga akuzat, nuk e kishte kthyer në vendin e tij të mëparshëm të punës.
Beteja e Reshat Hyseni dhe vet avokatit mbrojtës Shemsedin Pira ishte e gjatë , por e vendosur. Avokati Pira ka bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të MPB-së, por kjo gjykatë ishte shpallur jo kompetente dhe rasti ishte kthyer në Gjykatën e Ferizajit.
Tani Gjykata e Ferizajit vendos ta anulojë vendimin e MPB-së dhe obligon këtë të fundit që ta kthejë në marrëdhënien e punës me të gjitha të drejtat, pasiqë ndaj tij kanë pushuar të gjitha procedurat penale.
Ankesa e mbrojtjes vlerësonte se e paditura MPB ka bërë një varg shkeljesh dhe vendimet e saja si të tilla ishin jo ligjore.
Pira thotë për rajonipress se zhagitja e rastit të Reshat Hysenit nuk ka kurrfarë justifikimi meqë janë pezulluar të gjitha procedurat ndaj tij.
Megjithatë Pira tha se Gjykata e Ferizajit përfundimisht e ka vulosur të drejtën e Reshat Hysenit që të kthehet në punë i lirë dhe të punojë me nder e përkushtim për vendin e tij.
Edhe, Reshat Hyseni tha se është dashur të pres katër vite për të marrë një vendim që kaherë e ka pritur.”I kam kaluar dhe kapërcyer të gjitha peripecitë. Unë gjithmonë kam deklaruar se isha viktimë e disa kolegëve të mi në Ferizaj dhe më vonë u vërtetua kjo, por nuk mund t`i kuptojë vonesat për tu kthyer në vendin e punës” tha Hyseni.
Togeri Hyseni pret që shumë shpejt të kthehet në punë dhe t`i bashkëngjitet profesionit nga i cili ka marrë dhjetëra mirënjohje.
Ndryshe rasti i Reshat Hysenit kishte bërë bujë të madhe pasiqë Gjykata Supreme e Kosovës e kishte liruar nga paraburgimi me arsyetimin se ndaj tij kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore.
Hyseni kishte deklaruar se vazhdimisht kishte dyshuar në kolegët e tij të stacionit në Ferizaj të cilët ishin të lidhur me njerëzit e krimit të organizuar. “Unë thjeshtë me punën time dhe përkushtimin që kam treguar ndaj dukurive negative isha pengesë serioze e njerëzve që merreshin me krimin e organizuar”.
Togeri Hyseni i kishte përjetuar shumë rëndë akuzat dhe montimet para dhe gjatë shqyrtimit kryesor në gjykimin e zhvilluar ndaj tij. “Është e vështirë për një intelektual me gradë togeri dhe me shumë mirënjohje e rezultate të arrestohesh në sallën e gjykimit. Ditën që jam liruar jam pritur në mënyrë spektakulare në fshat dhe shumica e kolegëve të mi më kanë vizituar dhe ky fakt më ka lehtësuar pak”.
Ndryshe, Reshat Hyseni ish komandant (u.d .) i stacionit policor në Ferizaj ishte dënuar me 8 vite e gjashtë muaj burgim,(25 maj 2009) nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë nga trupi gjykues i kryesuar nga Fllanza Kadiu-gjyqtare.
Por pas shtjellimit të provave dhe pas rigjykimit Hyseni ka arritur të bindë trupin gjykues se procesi ndaj tij ishte i montuar.
Reshat Hyseni edhe në mbrojtjen e tij para trupit gjykues ka mohuar kryerjen e veprës penale . /rajonipress/