Republikanët i thonë “po” LDK-së

Gjilan – Sipas Selver Xhelilit, nënkryetar i Partisë Republikane ata do të jenë mbështetës të fuqishëm dhe do të jenë partner strategjik i LDK-së e pas katër vjetësh do të arrijnë marrëveshje koalicioni në nivel vendi e jo vetëm në Gjilan.
Kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se bashkërisht do t’a zhvillojnë Gjilanin, Anamoravën e Kosovën, Ai ka kërkuar që natë e ditë të punohet edhe për Kosovën Lindore, sikurse që ka thënë se kishin bashkëpunim të mirë me republikanët në nivel lokal, me të cilët pati përkrahje pa kushte, raporton rajonipress.
“Ka ardhur koha për ta larguar PDK-në nga pushteti, ka ardhur koha e reagimit qytetar, sepse Anamorava do investim, do autostradën, do që të shpërblehet mundi i kurbetçinjve”, ka thënë Haziri.
Haziri tha se prej se është zgjedhur kryetar, ka pritur mbi 6000 qytetarë dhe shumica prej tyre kërkojnë punë, andaj është koha që të ndërrohet pushteti në nivel nacional.
Kurse Selver Xhelili nënkryetar i Republikanëve tha se ata do të jenë mbështetës të fuqishëm dhe do të jenë partner strategjik i LDK-së. “Pas katër vitesh do të arrijmë marrëveshje koalicioni në nivel vendi e jo vetëm në Gjilan. Në Gjilan kemi simpatizantë të fuqishëm sepse shpresa e gjeneratave të ardhshme është republikanizmi” ka thënë Xhelili.
Në këtë tubim ka folur edhe Gani Krasniqi, nga Lëvizja “Vatra” që tha se edhe Lugina e Preshevës e mbështet LDK-në, pastaj, Arben Maliqi, që nga AKR ka kaluar në LDK e i cili ka theksuar se si në zgjedhjet lokale, pa dyshim se edhe në ato nacionale do të fitoj LDK, që është e vetmja shpresë për të ardhmen./rajonipress/