Republikanët e Serbisë e njohin shtetin e Kosovës, Kurti e Xhelili flasin pro bashkëpunimit
Gjilan – Të enjten për herë të parë, ndodhë takimi në mes të dy partive politike të dy shteteve fqinje, atë të Kosovës dhe të Serbisë. Partia Republikane e Kosovës, ka pranuar ftesën e Partisë Republikane të Serbisë, që të jetë mysafire e një takimi të përbashkët në mes të këtyre dy subjekteve politike, që do të mbahet sot në Beograd.
Vizita e drejtuesve të Partisë Republikane të Kosovës në Beograd, Faton Kurti-kryetar dhe Selver Xhelili-nënkryetar, për të cilën janë njoftuar edhe institucionet relevante ndërkombëtare, po ndodhë me kusht që Republikanët e Serbisë, së pari ta njohin publikisht shtetin e Kosovës, pastaj, me ardhjen e republikanëve serb në pushtet, Serbia dhe Kosova të bashkëpunojnë si dy shtete fqinje të pavarura, raporton rajonipress.
Partia Republikane e Serbisë, e cila udhëhiqet nga Nikolla Sandulloviq mbi të cilin ishin bërë dy atentate në Serbi, për shkak të kundërshtimit të politikave radikale serbe. Kjo parti, faktikisht e pranon realitetin e ri në Kosovë – Pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga shteti serb dhe qeveria e Serbisë që ta njoh shtetin e Kosovës, dhe të njëjtën kohë, të kërkojë falje publike popullit të Kosovës për atë që bëri Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të normalizojë raportet si dy shtete fqinje dhe të pavarura.
Udhëheqësit e Partisë Republikane të Kosovës, z. Faton Kurti dhe z. Selver Xhelili, nën masa të sigurisë nga Partia Republikane e Serbisë, tashmë arritën në Beograd.
Në fjalën e tij, kryetari Kurti, ka thënë se, Partia Republikane e Kosovës, do të bashkëpunojë me Partin Republikane të Serbisë, të Shqipërisë, si shtete fqinje, dhe të gjitha partitë si motra të vendeve tjera në rajon e më gjerë, duke i harmonizuar planet e përbashkëta, në interes të shteteve tona të pavarura, sovrane e demokratike dhe qytetarëve tanë.
Ndërkaq, nënkryetari i PRK, z. Selver Xhelili, në paraqitjen e tij sot në Beograd, ka thënë: “Më vjen mirë që më në fund Serbia po e kupton realitetin e ri në Ballkan dhe një parti si Partia Republikane e Serbisë, e pranon Pavarësinë e Kosovës, është një fakt Serbia duhet t’i tregoj gjeneratave të reja se Kosova fitoi pavarësinë e saj në vitin 1999, me luftën e saj të drejtë nga UÇK-ja, të ndihmuar edhe nga NATO dhe SHBA, për liri dhe Pavarësi. Tani Kosova është një shtet i ri në Ballkan dhe Europë. Prandaj, duke e njohur ketë fakt të ri, Serbia dhe populli i saj, duhet të kërkojnë falje popullit të Kosovë për gjenocidin që ushtroi regjimi serb në krye me Millosheviqin, mbi popullin e pafajshëm të Kosovës”.
Kurse kërkoi nga drejtuesit e Partisë Republikane të Serbisë, që të insistojnë për zbulimin sa më të shpejt të të pagjeturve të luftës. “Duhet që Serbia të jetë fqinj i mirë, ta pranojë fajësinë dhe të ecim bashkë me popujt e përparuar të vendeve tjera demokratike, drejt Evropës”, ka thënë ndër të tjera z. Xhelili, i cili në vazhdim, ka kërkuar nga shteti serb, avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të barabarta me serbët e Republikës së Kosovës. “Duhet të thuhet realiteti i ri, këtu në Beograd se, me ardhjen e republikaneve në pushtet, përmes projekteve tona të përbashkëta në interes të qytetarëve tanë, në Ballkan do të ketë stabilitet për gjithë rajonin”, ka theksuar Xhelili.
Ndërkaq, kryetari i republikaneve të Serbisë Nikolla Sandulloviq, si nikoqir i këtij takimi, ka befasuar publikun serb, me qëndrimin e tij, se, Partia Republikane e Serbisë e njeh Kosovën shtet të pavarur e demokratik, si shtet fqinj dhe “me ardhjen tonë në pushtet, do t`i kërkojmë falje popullit shqiptarë të Kosovës, për atë që bëri Serbia mbi popullin e pafajshëm shqiptar, duke hapur kështu rrugët e bashkëpunimit si dy shtete fqinje. “Ne, republikanët do t’i japim të drejta të barabarta shqiptarëve që jetojnë në Serbi, ashtu siç i kanë serbët në Kosovë”, ka spikatur ndër të tjera ai, duke shpreh edhe kundërshtimin kundër gjithë këtyre “kriminelëve”, siç është shpreh ai, që sollën Serbinë në këtë izolim thuhet në njoftimin e delegacionit të PRK-së./rajonipress/


