Republika rrezikon të goditet nga eksodi i dytë
Interesimi i qytetarëve të vendit për të ikur jashtë, edhe pas atij eksodi masiv të vitit 2014, nuk ka të ndalur, madje duke shfrytëzuar qoftë rrugët legale apo edhe ato ilegale. Duke komentuar këtë fenomen, analistët vlerësojnë se vazhdimi tani i heshtur i ikjes së qytetarëve jashtë vendit është një kërkim i shpresës e mbijetesës, sepse është krijuar në vend një bindje e përgjithshme nga i madh e i vogël, i varfër e mesatarisht i pasur, se perspektiva për një jetë dinjitoze është në ikjen sa më të shpejtë nga Kosova, si pasojë e stërlodhjes së qytetarëve, nga keqqeverisjet në vazhdim, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në çdo sferë të jetës, që nuk po munden ta paramendojnë të jetojnë me asnjë mënyrë.
E në këtë kaos dhe varfërisë, që troket në prag të derës në shtetin e kapur të Kosovës, nuk po shohin ardhmëri për pasardhësit, fëmijët e tyre. Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, i ka thënë gazetës ‘Kosova Sot’ se të dhënat e institutit “Gallup”, të dala në fillim të muajit, janë vërtet alarmante për dëshirën e qytetarëve të Kosovës për të ikur nga ky vend.”Përderisa matjet 2010-2012 jepnin 29% të të rriturve, shifrat 2013-2016 japin 34% të të rriturve që dëshirojnë të ikin nga Kosova, e shifra është tejet e madhe nëse matet vetëm tek të rinjtë. Që i bie se ne hyjmë në rendin e shteteve si Sudani, Guinea, Moldavia, Senegali, Gaboni, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, etj. Kjo tregon se qytetarët e Kosovës çdo ditë e më shumë po e humbin shpresën për jetesë në Kosovë dhe nuk shohin të ardhme, madje as të afërt, sepse vetë ndërtimi, funksionimi i politikës e i biznesit nuk të jep shpresë”, theksoi ai.
Shteti i kapur i dekurajon të gjithë
Sipas Kuqit, kemi një sektor publik komplet me militantë të partive politike dhe 90% analfabetë, bizneset private janë krejt të lidhura apo janë në politikë dhe punëtorët i trajtojnë si skllevër, duke i munduar me orë të gjata pune, pa kushte, pa paga normale, shumë herë edhe me vonesa apo mosdhënie të pagave fare, nuk kanë sigurime shëndetësore e gjithçka tjetër u mungon.
Politologu Kuqi thotë se qytetarët po e shohin që shteti është i kapur plotësisht dhe gjithçka funksionon në mënyrë mafioze, nuk mund të arrijnë askund nëse nuk janë të lidhur me pushtetin dhe garnitura e saj politike që udhëheq që 17 vite nuk dëshiron as nuk ka vullnet për të ndryshuar për të mirë apo për tua lëshuar vendin njerëzve që dëshirojnë të punojnë mirë, por vetëm si të bëjnë obstruksione për të mbetur apo hyrë në pushtet për interesa klanore e personale. “Kjo Kosovën po e bën një vend dhe vrimë të zezë, ku në një të ardhme me ritmin e tanishëm mosdurimi do të rritet, e me të edhe prishja e shoqërisë, krimi, degjenerimi dhe mund të bëhet një shtet banditësh, pasi rinia dhe qytetarët e ndershëm do të ikin dhe do të bëhet një vend tamam si ëndërrojnë dhe po punojnë politikanët ta bëjnë”, tha Gurakuq Kuqi.
Polarizimi i skajshëm i jetës
Analisti politik Hidajet Ahmeti vlerë- son se ndërtimi i një logjike të mbrapshtë dhe instalimi i një fryme të tillë ka prodhuar një gjendje mjerimi socio-ekonomik, e cila është përkthyer në një humbje shprese për qytetarët e Kosovës.”Humbja e shpresës nuk ka ndodhur brenda një kohe të shkurtër për në mënyrë kontinule dhe brenda kornizës së shkatërrimit të shtetit nga pushtetet e pasluftës. Shkatërrimi i institucioneve publike në mënyrë të orkestruar nga pushtetet e pasluftës ka prodhuar një realitet të hidhur, i cili ka vrarë të ardhmen e qytetarëve e posaçërisht të rinjve, të cilët nuk po shohin perspektivën në Kosovë”, ka potencuar ai.”Ikja e qytetarëve të Kosovës nuk është e rastë- sishme dhe ka ndodhur si pasojë e stërlodhjes së qytetarëve, të cilët nuk zgjedhin rrugë për t’ia arritur qëllimit, gjithherë me pretendimin për të gjetur një jetë më të mirë. Kjo gjendje e rëndë socioekonomike korrespondon me komoditetin e pushteteve të pasluftës, duke shfrytëzuar këtë gjendje të rëndë për të manipuluar me ndjenjat e qytetarëve të lodhur nga ky mjerim socioekonomik”, tha Ahmeti për “Kosova Sot”.
Ikje nga skamja
Po një gjykim identik e ka edhe politologu Faton Mehmeti. Në bisedë me gazetën “Kosova Sot”, Mehmeti thotë se është fakt që viteve të fundit jemi përballur me shifra të frikshme të emigrantëve që kanë mbërritur në dyert e shteteve të ndryshme të Evropës, pjesa më e madhe e tyre janë nga Siria, Libani, Iraku Jordania etj.
Ai thekson se të gjitha këto shtete kanë një emërues të përbashkët, luftën qe po zhvillohet në vendet e tyre ku paralelisht me këtë është edhe një eksod në heshtje që si të tillë po kalon edhe Kosova.”Shqiptarët shesin çfarë kanë, lënë pas çdo gjë dhe ikin në vende të ndryshme të Evropës dhe sa më larg madje. Arsyet pse ikin shqiptarët e Kosovës janë së pari pasi janë të varfër. Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare një në tre shqiptarë është në varfëri absolute dhe ekstreme. Nga një sondazh i publikuar kohët e fundit rezulton që 53% e familjeve në Kosovë jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute. Rreth 10% e tyre janë në nivelin e varfërisë ekstreme. Pastaj shqiptarët ikin sepse u zhgënjyen nga premtimet elektorale të partive politike për rritjen e punësimit, shëndetësi dhe arsim cilë- sor, liberalizim i vizave etj., të cilat ishin vetëm premtime boshe. Ata premtuan 300 mijë vende pune, në këtë mënyrë shqiptarët humbën besimin tek politika. Kosova është shndërruar me shpejtësi në një vend të pashpresë, ku gjithkush rreket të largohet e të kërkojë azil nëpër Evropë”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.
Sipas tij, premtimet e zyrtarëve të institucioneve për parandalimin e krimit dhe korrupsionit dhe kthimin e shpresës për qytetarët po mbeten fjalë në erë që nuk iu beson më askush, sepse edhe ata vetë janë të korruptuar. “Derisa qeveritarët të cilët janë të dyshuar, por madje edhe të akuzuar për vënien e një pasurie marramendëse nëpërmjet korrupsionit dhe posteve publike që mbajnë aktualisht dhe në te shkuarën, nuk u dënua deri me sot për shpërdorim të posteve publike, pavarësisht shumë padrejtësive”, u shpreh Mehmeti.
Qeverisja antikombëtare largon popullin
E nga ana e tij analisti Reshat Sahitaj rikujton fillin e shpërnguljeve të shqiptarëve nga trojet e tyre, që sipas tij ndahen në dy kategori: në kategorinë e parë janë shpërnguljet nga presionet dhe terrori i sistemeve okupuese dhe që fillojnë pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut kah viti 1469 deri në 1555, ku u shpërngulën mbi 750 mijë shqiptarë për në Sicili, që t’i shpëtojnë masakrave të Perandorisë Osmane e shpërnguljet nga presionet vazhduan deri në vitin 1999. Derisa tani vazhdon një tjetër shpërngulje e heshtur nga presioni i ngecjes së zhvillimit të shtetit.”Nga Kosova e pasluftës nuk ekziston asnjë presion i dhunshëm politik që të jetë shkak për t’u shpërngulur nga Kosova, mirëpo nga paslufta e gjer më sot në popullin tonë është krijuar një presion psikologjik që është që është po aq i rrezikshëm sa presioni dhe masakrat politike të sistemeve sunduese të armikut. Nga Kosova është hequr armiku i huaj që sundonte pamëshirshëm për t’u zëvendësuar me një armik tjetër, e ai është armiku i prodhimit vendor. Të shkruash se qeveria jonë e përbërë nga shqiptarët është armiku ynë të etiketojnë spiun i Rusisë apo i Greqisë, por fakti është se qeveria jonë që 17 vjet me vendimet dhe sjelljet po tregon se punon për interesa personale e aspak për interesat e popullit dhe ato kombëtare”, është shprehur ai.”Me presionin psikologjik duhet të nënkuptohet se në Kosovë nuk ekziston së pari sigurimi shëndetësor, nuk ekziston cilësia e arsimit që në kushte të okupimit ishte shumëfishë më cilësore, nuk ekziston sigurimi i punës për të rinjtë e posa diplomuar të cilët edhe pse magjistra punojnë kamerierë ose punë tjera fizike, nuk ekziston liberalizimi i vizave që në kohë të okupimit me pasaporta të okupuesit shqiptarët udhë- tonin lirshëm dhe ktheheshin përsëri në vendlindje, nuk ekziston asnjë shenjë se së shpejti këto do të rregullohen, nuk ekzistojnë asgjë e mirë për pensionistët, andaj rrugët e shpërnguljeve janë të hapura”, tha Reshat Sahitaj për “Kosova Sot”.


