Republika në qorrsokak

Komisioni për Punë të Jashtme, nën tymin e gazit lotsjellës, procedoi në kryesi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Qeveria këmbëngul se nuk po humbim asgjë, por faktet e palës kundërshtuese tregojnë për një humbje mijërahektarëshe. Në kufi sot mblidhen banorët në bjeshkën e tyre në Zhlep, që mund të kalojë në pronësi të Malit të Zi, nëse ratifikohet marrëveshja.
Përfaqësuesit e dy partive në koalicionin qeveritar janë zotuar se do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për votim të Ligjit për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend. Këtë zotim e kanë shprehur Elmi Reçica nga radhët e PDK-së, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, dhe përfaqësuesi i LDK-së në këtë komision, Ismet Beqiri.
Por, mungese e konsensusit me opozitën, që e kundërshton marrëveshjen, po i rikthen tensionet. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Malit të Zi, nga Komisioni i Punëve të Jashtme, ka rikthyer sërish gazin lotsjellës në Kuvend. Driton Çaushi, deputet nga radhët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ pak para se të votohet Projektligji nga komisioni për procedim në Kryesinë e Kuvendit për procedura të mëtutjeshme, ka hedhur gazin lotsjellës në sallën ku po mbahej mbledhja. Ai më pas për këtë veprim është shoqëruar në polici.
Pretendimet e opozitës dhe të disa deputetëve të koalicionit janë se me këtë marrëveshje Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë. Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se deklarimet e partive politike opozitare se Kosova ka humbur territor me marrëveshjen për Demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk qëndrojnë. Ai në një konferencë për medie, të organizuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, e që është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, tha se kauza e opozitës rreth Demarkacionit është me motive politike.
Opozita paralajmëron revoltë popullore Ndërkohë, deputeti Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se me veprimet e saj Qeveria po krijon huti dhe po e thellon krizën politike në vend.”E them para jush, para deputetëve, para të gjitha medieve se qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe nëse kalon kjo marrëveshje me besoni se do të fillojmë një revoltë që ndoshta askush nuk ka dëshirë ta përjetojë”, ka paralajmëruar Lekaj.
Deputetja e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Donika Kadaj – Bujupi, tha nëse Kuvendi e ratifikon këtë marrëveshje, atëherë kundërshtimi do të jetë radikal. Ajo ka kundërshtuar projektligjin dhe ka kërkuar që t’i kthehet Qeverisë, e cila e ka proceduar për miratim në Kuvend. Por, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme nga partitë në pushtet kanë dhënë arsyetimet e tyre, sipas të cilave, marrëveshja është arritur në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi. Ata gjatë mbledhjes së komisionit kanë përsëritur qëndrimet se Kosova me marrëveshjen e arritur me Malin e Zi për Demarkacion nuk ka humbur asgjë. Deputeti Ismet Beqiri, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pos tjerash, ka kundërshtuar paralajmërimet e opozitës se do ta tensionojnë gjendjen në vend.
Kurse kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Hilmi Reçica, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se qëndrimet aktuale të opozitës nuk i duhen vendit.
Sipas tij, ajo çfarë ka bërë sot opozita në mbledhjen e komisionit në Kuvend, duke hedhur gazin lotsjellës, paraqet një pabesi të madhe. “Ne ua mundësuam që të flasin më shumë se të tjerët dhe në fund të bëjnë një veprim të tillë. Kjo e ka veç një emër, kjo është pabesi tipike”, ka thënë Reçica. Megjithatë, përkundër situatës së krijuar pas hedhjes së gazit lotsjellës, projektligj u hodh në votim dhe u përkrah me 6 votat e anëtarëve të Komisionit, që ishin deputetë nga radhët e partive në pushtet.
Procedimi në kryesi, pastaj seanca Pas shqyrtimit që ky komisioni i bëri projektligjit ai pritet të procedohet në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas ky organ pritet të caktojë mbajtjen e seancës për ratifikimin e Marrëveshjes. Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka dërguar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, vetëm pak orë pasi u përmbyll një debat në tryezën shkencore-profesionale të Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e deputetëve, ekspertëve, Komisionit Shtetëror, udhëheqësve të institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ka ngjallur për afër një vit reagime të fuqishme të opozitës, e cila bllokoi punimet e Kuvendit, duke përdorur edhe gazin lotsjellës.
Kurse tani, kur çështja është në prag të votimit, opozita paralajmëron edhe reagime të tjera, qofshin ato protesta apo edhe përshkallëzim të situatës së sigurisë vetëm e vetëm që të mos lejohet ratifikimi i Demarkacionit aktual me Malin e Zi. Nisur nga këto zhvillime, Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron nga afër punën e Kuvendit përmes një komunikate u bën thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur./kosova sot/