KKVITI

Repriza e turpit në Kuvend

/ 10 minuta lexim
KKVITI

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, e pakonstituuar akoma sipas ligjit dhe Kushtetutës, ka zhvilluar edhe të premten një takim të radhës, vazhdim të seancës së filluar të enjten, e ftuar nga kryesimi i deputetit më të vjetër, Adem Mikullovci, në përpjeke për të vazhduar me pikën e fundit të rendit të ditës, që është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

BLLOKUESIT E SHTETIT NUK E MERITOJNË VOTËN E QYTETARËVE

Burjani: E koritën shtetin, përbuzën qytetarët

“Kjo klasë kusarësh politikë tashmë qytetarëve të vendit u ka ardhur në maje të hundës. Papërgjegjësia ndaj votës së qytetarëve në njërën anë dhe loja djallëzore me standarde të dyfishta në anën tjetër e ka irrituar tej mase elektoratin e zgjedhjeve të 11 qershorit. Vota e qytetarëve ishte votë për krijimin e institucioneve të reja e jo votë për bojkot parlamentar dhe bllokadë institucionale”, është shprehur analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, e pakonstituuar akoma sipas ligjit dhe Kushtetutës, ka zhvilluar edhe të premten një takim të radhës, vazhdim të seancës së filluar të enjten, e ftuar nga kryesimi i deputetit më të vjetër, Adem Mikullovci, në përpjeke për të vazhduar me pikën e fundit të rendit të ditës, që është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, përveçse një takim të kotë të deputetëve të koalicionit LAA dhe të VV-së dhe një deputeti nga koalicioni PAN, Milaim Zeka, pjesa tjetër e deputetëve e ka bojkotuar këtë seancë, duke përfshirë koalicionin PAN dhe të gjitha grupet parlamentare të minoriteteve. Koalicioni PAN tani edhe sipas deklaratave zyrtare, por kërkon me ngulëm që të votohet kandidati i tyre për kryetar Kuvendi, edhe me mundësi të tërheqjes së Kadri Veselit dhe zëvendësimit të tij nga një person tjetër, por me kusht që më pastaj, në një seancë të radhës, në pako të votohet kryetari i Kuvendit nga PAN-i dhe Qeveria e koalicionit PAN me kryeministër Ramush Haradinaj. Kjo formulë vazhdon të kundërshtohet nga LAA dhe VV-ja. As takimi i djeshëm konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike, në emër të grupeve parlamentare me kryesuesin Mikullovci, nuk i ka ndryshuar qëndrimet, derisa një takim tjetër është caktuar të mbahet të mërkurën e javës që vjen. Sidoqoftë edhe gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend nuk dhanë sinjale për mundësi të arritjes së ndonjë kompromisi për të dalë nga kriza në të cilën po zhytet vendi, por vetëm kanë adresuar akuza ndaj njëri-tjetrit se kush po e bllokon krijimin e institucioneve dhe kush, sipas tyre, ka të drejtën ta bëjë atë.”Bojkoti nga koalicioni PAN dhe grupet minoritare e pamundësoi të drejtën kushtetuese që sot të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Kjo tregon qartë që ata nuk e kanë shumicën, se si do të procedojmë më tutje mbetet të shihet. Është më se evidente që koalicioni PAN nuk e ka mundësinë që i vetëm t’i krijojë institucionet por mundësia kushtetuese u takon dhe ata duhet ta shfrytëzojnë këtë të drejtë duke lejuar që Kosova t’i ketë institucionet e saj të zgjedhura të dala nga vota e 11 qershorit. Pjesa tjetër konsideroj që është obligim edhe i subjekteve të tjera politike, të cilat do të ecin më tutje duke krijuar mazhorancën për krijimin e qeverisë për katër vitet e ardhshme”, theksoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Pazaret nuk pranohen

Mobi Casa

Ndryshe koalicioni LAA dhe VV-ja e kanë quajtur të papranueshëm opsionin e kompromisit të ofruar nga PDK-ja që në pako të votohen Qeveria dhe kryetari i Kuvendit, qoftë edhe me tërheqjen e Veselit nga kandidatura për kryeparlamenar. Mirëpo përfaqësuesja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar menjëherë pas seancës së djeshme, duke drejtuar akuza kundër LAA dhe VV-së dhe duke paralajmëruar se PDK-ja me partnerët nuk tërhiqet nga e drejta për formimin e institucioneve. “Qytetarët e dinë mirë se cilët janë aktorët politikë në Kosovë, të cilët jo vetëm i kanë bllokuar, por edhe i kanë sulmuar institucionet me molotov, gaz lotsjellës dhe zolla. Ne nuk do të pranojmë që asnjë parti të na imponohet apo të na detyrojë që të bëhemi pjesë të agjendës së saj. Ne na vjen keq që kryesuesi i seancës konstituive të instrumentalizohej politikisht nga partia e tij, duke mos u dëshmuar në lartësinë e detyrës. Ne jemi të vendosur për të vijuar seancën konstituive, pasi të arrihet një frymë mirëkuptimi nëpërmjet konsultimeve partiake paraprake”, është shprehur ajo. Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, tha se mund të diskutohet dhe shqyrtohet mundësia e çdo kandidati tjetër që e propozon PAN-i për krye kuvendar, por me Veselin nuk do të bëhen pazare, madje as nuk mund të pranohet kërkesa e PAN-it që në këmbim të votës për qeverinë ‘Haradinaj’ të tërhiqet kandidatura e Veselit. “Jo kushte, jo, ne nuk pranojmë. Deklarimi i Kadri Veselit se është i gatshëm është shumë i mirë, por kushti që e ka paraqitur nuk bën, pazar nuk ka, sepse ne këtu nuk jemi në treg”, tha Adem Mikullovci, kryesues i seancës.

Kuqi: Cirk për ruajtjen e pushtetit

Nga këndvështrimi i analistëve politikë, edhe seanca e 4 gushtit, që ishte vazhdim i asaj të filluar më tre gusht, nuk ishte gjë tjetër veçse një reprizë e turpit të ditës së parë. Ai mendon se duhet të involvohet edhe faktori ndërkombëtar e ambasadorët e Kuintit. Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në institutin e pavarur për studime politike dhe media, tha se edhe kjo seancë ishte një nga ato në vazhdën e shumë seancave të dështuara të Kuvendit, edhe në periudhën e rregullt të punës legjislative. “Nuk kam parë asnjë seancë normale asnjëherë në Kuvendin e Kosovës, madje me rënien e fuqisë elektorale të PDK-së, jo normaliteti dhe cirku për ruajtjen e pushtetit vetëm sa është rritur, ndërsa partitë tjera vetëm sa janë bërë më të egra dhe shfrenuese po ashtu të etur për pushtet. Pra, ne jemi përsëri në krizë politike dhe institucionale, ku prapë PAN-i me obstruksionet e saj dëshiron të detyrojë opozitën të votojë, apo thënë më saktë PDK-ja. Gjitha ngjarjet e 3 dhe 4 gushtit janë grackat e PDK-së që duan me forcë ta mbajnë pushtetin dhe pa legjitimitet, duke bërë AAK-në dhe Nismën vetëm mjete kuzhine dhe në fund të shtyjë involvimin e vendeve të Kuintit, duke e shtyrë zgjidhjen deri sa të mbetet pushteti prapë formalisht tek PAN dhe realisht tek PDK-ja. Madje edhe deklarimi për mundësinë e tërheqjes së kandidaturës së Kadri Veselit për kryeparlamentar me kushtin autokratik që qeveria dhe kryeparlamentari të votohen në pako, është një poshtërsi që nuk duhet të pranohet assesi nga askush, sepse PDK-së i duhet të mbetet në çdo mënyrë në pushtet për të mos u shkatërruar piramida kriminale e tyre. Madje pas këtyre veprimeve opozita duhet ta ashpërsojë qëndrimin e saj që PAN t’ia bëjë si të dojë, por nuk ka votë për kryeparlamentarin e tyre, pa marrë parasysh kandidatin. Injoranca dhe fyerja e PAN-it ndaj qytetarëve të Kosovës është më e rëndë se lejimi për zbatimin e obstruksioneve të tyre për formimin e institucioneve”, ka theksuar Kuqi për “Kosova Sot”.

Zeqa: Shpërfaqja më e keqe e kësaj klase kusarësh politikë

Sipas analistit Florim Zeqa, thirrja e seancës së 4 gushtit është argumenti më i mirë dhe shpërfaqja më e keqe e kësaj klase kusarësh politikë, të cilët asnjëherë deri më sot në këto dhjet vjetët e fundit nuk punuan për interesat e qytetareve e të shtetit të Kosovës, por vetëm për interesat e tyre personale.”Kjo klasë kusarësh politikë tashmë qytetarëve të vendit u ka ardhur në maje të hundës. Papërgjegjësia ndaj votës së qytetarëve në njërën anë dhe loja djallë- zore me standarde të dyfishta në anën tjetër e ka irrituar tej mase elektoratin e zgjedhjeve të 11 qershorit. Vota e qytetarëve ishte votë për krijimin e institucioneve të reja e jo votë për bojkot parlamentar dhe bllokadë institucionale. Veprimet e fundit në Kuvendin e Kosovës mund të bëhen shkas për bojkot masiv nga ana e qytetarëve e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe atyre lokale të 22 tetorit 2017. Tashme përfundimisht qytetarët e vendit e kanë të qartë se shkaktar të izolimit dhe getoizimit të tyre nuk është bashkësia ndërkombëtare, as demarkacioni me Malin e Zi dhe as Asociacioni i komunave serbe në veri të vendit, por është pikërisht kjo klasë politike e korruptuar dhe tej inkriminuar, e cila për interesat e tyre personale është e gatshme të sfidojë të ardhmen e qytetarëve dhe perspektiven evropiane të shtetit të Kosovës”, ka pohuar Zeqa. Ai shton se ndërhyrja e ambasadorëve të Kuintit pritet të ndodhë vetëm atëherë kur degradimi i kësaj klase politike të arrije kulmin, që i bie humbja totale e besimit në elektorat, e cila do të reflektohet në degradimin total të institucioneve shtetërore. “Vetëm kështu do të arsyetohet ndërhyrja dhe prezenca e tyre në Kosovën e katandisur nga vetë qytetarët (politikanët) e saj. Vetëm një situatë e tillë, e kriminalizuar, e korruptuar dhe primitivizuar, mund t’ia arsyetojë prezencën 18-vjeçare bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, theksoi analisti Zeqa për “Kosova Sot”.

Burjani: Kjo klasë politike analfabetike, e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin

Për analistin Blerim Burjani, seanca e djeshme po ashtu ka treguar se kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, aktualisht që janë në Kuvend, e koritën shtetin dhe qytetarin, e përbuzen votën e qytetarëve dhe e rrezikuan funksionimin e shtetit, duke kushtëzuar dhe shantazhuar shtetin e Kosovës, prandaj të tillët nuk e meritojnë votën e qytetarëve herë të tjera.”Kosova ka nevojë urgjente ta reformojë urgjentisht Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, dhe partitë që kushtëzojnë, shantazhojnë dhe minojnë të drejtat demokratike duhet të çregjistrohen nga regjistri i partive politike. Kjo klasë politike analfabetike, e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin, ka bërë që sot inatet të pengojnë ndërtimin e institucioneve. Askush, as partitë as individët, nuk mund të shkelin parimet themelore demokratike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në poste publike, cilido qoftë ai. Çdo tentativë e tillë përbën një vepër të kundërligjshme penale bazuar në kodin penal të vendit, edhe në politikë ka rregulla e ato rregulla gjinden në legjislacionin e Kosovës dhe Kushtetutën e vendit”, është shprehur Burjani dhe ka shtuar. “Skena politike e vendit sot përbëhet nga tri kategori: nga korruptuarit, të paaftit në vendimmarrje dhe rrugaçët”.kosova sot.