Reportazh: Nasala po lidhet me botën

Gjilan – I madh e i vogël nasalas, komuna e Gjilanit, sot ishin dalë aty afër fshatit për të vërejtur më afër se si po asfaltohen edhe kilometrat e fundit të rrugës së tyre Lladovë-Nasalë. Tek secili qytetar shihej një gëzim i papërshkruar i tyre. Aty u gjenden plot shend e verë: Nexhmedini, Ymeri, Aliu, Rexhepi Nexhati e dhjetëra të tjerë qytetarë.
Ishte mesditë. Dielli i lëshonte rrezet pingul mbi tokë dhe ndjehej se bënte vapë. U gjendemi atë kohë pas varrezave të këtij fshati, ku ishin ardhur më tepër se dhjetë kamiona me asfalt të ngarkuar. Pse jo? Pritnin makinën e madhe për ta rrafshuar asfaltin edhe në ato 700 metra rrugë të mbetur pa asfalt.
Sot kompania ndërtimore “Tali”, nga Gjilani, si një, ishte zotuar se punët do ti përfundojë para Festës së Kurban Bajramit. Dhe, kjo u bë realitet. Kështu tha Nexhat Selimi, arsimtar i këtij fshati, i cili edhe në një moshë të shtyrë, ai ishte dalë për të parë nga afër ndryshimin e jetës së këtij fshati. – O gazetar, zemra na u bë mal. Na shkuan vitet, por, ani, le ta gëzojnë të rinjtë tanë. Pse jo? Kurrë nuk ka qenë kjo rrugë kështu. Shihni si është bërë. A të kujtohet xha Ali Hajdari, tash i ndjerë, edhe para dyzet viteve i dha “zor” për ta rregulluar këtë rrugë, ku, u pati thënë fshatarëve: “O sot, o kurrë, rrugën duhet ta ndërtojmë! Merrni qerret dhe dilni i madh e i vogël e hodhi gurë e rërë, se këta fëmijë tanë, që po udhëtojnë gjashtë kilometra rrugë për në shkollë gjer në Lladovë e Zhegër, po pësojnë keq e rëndë”. Nuk na duhet jeta pa rrugë”. Të nesërmen, fshati u zgjua dhe dolën e në rekën e Lladovës e nxorën rërë dhe hudhën në rrugë. U bë pak më mirë se ishte. Për ta bartur një qerre me dru nga Lladova e gjer Nasalë, duheshin dy palë qe, sepse rruga ishte e pakaluar nga balta e uji.
Pra, Ali Hajdari ia nisi i pari para 40 viteve ta ndërtojë këtë rrugë, e cila sot po bëhet një mrekulli e rrallë e kësaj ane, jo me rërë, por e asfaltuar. Gjer sa ne vëzhgonim rrugën, aty arritën dhjetëra kamiona të rëndë me asfalt të ngarkuar. Ata pushonin gjer sa erdhi makina kryesore e asfaltit. O, Zot, tamam ashtu ishte. Dhjetë punëtorë të kësaj kompanie lëviznin e bënin punë duke rregulluar makinën gjigante të asfaltit, e cila pritet ta “hajë” asfaltin në gojë për ta hudhur e shtrirë të gatshëm mbi rrugën e rregulluar me rërë. Për një orë e gjysmë, sa e aftësuan punëtorët makinën gjigante, menjëherë nisi asfaltimi i fundit i më pak se 700 metrash rrugë.
Ishin ardhur të vegjël e të mëdhenj të këtij fshati dhe shihnin mrekullinë që i bëhej një rruge, e cila ka një histori të dhimbshme, por edhe krenare. Të dhimbshme, për faktin se, këtë rrugë e ka ndërtuar popullata e kësaj ane duke bartur gurë me duqi apo qerre me qe. Ishte kohë e bugarit. Nuk ka guxuar askush të mos dali “hangari” të punojë rrugën nga Lladova e gjer në Gjylekreshtë. Thonë, kush i bishtnonte punëve, polici bugar e dërmonte me dru. Dhe, kjo rrugë e Nasalë për Remnik është quajtur rruga e bugarit. Dihete, Bugaria e ka pasur kufirin në Moravë. Andaj, asaj, atë kohë iu ka dashur të ketë rrugë nga Pasjani, Lladova, Nasala, Gjylekreshta e gjer në Viti. Kjo ishte historia e kësaj rruge, e cila sot po ndryshon jo me gurë, por me asfalt.
Dhe, tash e gjithmonë, nasalasit, por edhe banorët e Malësisë së Karadakut do të kenë rast jo të udhëtojnë për 12 km për Ferizaj apo Viti, por për gjashtë km më pak nëpër rrugën e Nasalës, nëse do të ndërtohet gjer në fshatin Remnik. Ay u gjen edhe Afrim Emini, qytetar i këtij lokaliteti.
Ai tha edhe këtë: “Shihni, nga sot Nasala po merr frymë më shlirshëm. Kjo rrugë po na lidh fort për këtë vend të pasur me kullosa e me blegtori. Kur e vizituam pak ditë më parë rrugën në fjalë, takuam Hasan Shabani, punëtor i firmës ndërtimore “Tali” nga Gjilani. Ai punonte punë krahu. Punonte me shokë dhe e hijeshonte bankinen me gurë të imtë. “O gazetar, unë me këta shokë po punoj, por po e ndiej vetën fort mirë, se kjo anë po ndryshon. Edhe na po gëzohemi. Qytetarët e Nasalës na kanë pritur fort mirë. Na kanë nderuar me kafe, qaj e “sende” tjera. Ishin qytetarë zemër gjerë. E gëzofshin rrugën e asfaltuar! Qe 10 vjet jam punëtor i kësaj kompanie. Sot po e rregullomë trotuarin. Punëtorët po punojnë dhe së shpejti kjo rrugë të të përfundojë. Do të përfundojë një ditë para ditës së Kurban Bajramit. Do ta gëzojmë këtë popullatë, e cila, siç kemi dëgjuar, shumë kishin vuajtur. Kjo rrugë ka 2. 950 metra që duhet të asfaltohet. Po bëhet një mrekulli e mirë e kësaj ane. Pse jo? Banorët e këti lokaliteti nuk do të shpërngulen. Do të qëndrojnë në vendlindjen e tyre, ku do të vazhdojnë jetën.
Sami Zuka, punëtor i firmës ndërtimore “Tali”. Ky punëtor është prej Zarbince. Punon pa u ndalë. Pa punë s’ka jetë, thotë ai. Punët po shkojnë mbarë. Vetëm të na premtojë koha”. E takojmë Mefail Ajeti, nga Lladova. Ai na rrëfen gjatë jo vetëm për dhimbjen e vet, por edhe për rrugën e asfaltuar të Nasalës. Ai thotë: “Po lëngoj pak, se jam i plagosur në luftën e fundit. “O gazetar, nuk po më rrihet në shtëpi. Po shoh se po punohet. Po asfaltohet rruga e Nasalës nga fshati ynë. Po bëhet një mrekulli e rrallë e kësaj ane. Unë, kur po e shoh këtë të mirë, po dali e po shetis rrugës. Kurrë s’ka qenë më bukur. Por, s’po më punon shëndeti. Shih, kur isha te një mjek, ai më tha se mos plumbi në këmbë të ka infektuar dhe tash po janë dhembjet. S’po mund ti besoj. Por, po kthehem te rruga e Nasalës. Kjo, çka po bëhet. Ishalla e gëzojnë të rinjtë tanë. Tash as të Nasalë e as të Lladovës nuk do ta kenë problem. Po shumë kanë hequr qytetarët e Nasalës. Nuk di si e kanë përballuar gjendjen që ka qenë. Ata kurrë gjatë kohës së vështirë nuk janë kthyer në shtëpi të terur, por të lagur e me baltë. Kjo rrugë, që spo asfaltohet do ta ndryshojë krejtësisht gjendjen e këtij fshati. Fëmijët më me rregull do të udhëtojnë në shkollë. Më nuk ka dimër për këtë anë, tha Mefail Ajeti, i cili, edhe sot ankohet se është i plagosur dhe i ka akoma ethet e luftës së fundit 1999.
Ndërsa, Ruzhdi Selimi, i cili u gjend aty, tha se kjo është një arritje e madhe e jona, e krejt fshatit. “Shihni se çka po bëhet. Kjo është një histori në vete. Na jemi munduar gjer këtu, ta shohim pastaj të tjerët. Shihni edhe këta dy djem të rinj, të cilët janë nga ministria, janë ardhur për ta parë nga afër asfaltimin e rrugës dhe po e testojnë punën e bërë. Edhe kjo na duket se është mirë. Nuk do ta na zhgënjejnë, por edhe ata po mundohen që rruga të jetë e ndërtuar mirë dhe me standarde. Na thanë se do ta bëjmë punën punë. Edhe po zotohen që të ndërtohet pjesa e rrugës së mbetur nga Nasala e gjer në Remnik, shtoi R. Selimi, qytetar nga Nasala. U kthyem kësaj rruge kah është ndërtuar me asfalt, por pas mbetën makinat dhe kamionat e mbushur me asfalt, ku pritnin radhën të zbarkohen te makina gllabëruese, e cila e palonte asfaltin e zi gjashtë metërshe në rrugën e përgatitur.
Një qytetar, në ikje, na shtoi: “O kurrë më s’do ta lëshojmë Nasalën, se tash e tutje do të lidhemi me botën. Një fjalë të mirë e thanë edhe për udhëheqjen komunale, e cila jo vetëm që ju ka premtuar se rruga e Nasalës do të asfaltohet, por ata do të ndihmohen edhe në fusha të tjera të jetës e punës. Na thanë edhe këto fjalë, se, në ditën, kur do të përurohet rruga, do vijë kryetari Luta me stafin e tij, ku do të na gëzojë e të na përurojë këtë mrekulli të kësaj kohe. “Edhe juve do t’ju ftojmë në përurim”. Na qoftë për të mirë ky Kurban Bajrami me rrugë të re të asfaltuar”, shtoi një i ri, i cili e vraponte biçikletën dhe nga gëzimi, zemra i ishte bërë mal./tefik Selimi/rajonipress/