KKVITI

Rënia e një gjenerali të madh

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

David Petraeus nga amerikanët konsiderohej si një hero, madje edhe si autoritet moral. Tani, shefi i CIA-s dhe ish-gjenerali befas dhe papritur ofroi dorëheqje. Petraeus duhet të largohet, ngase kishte një aferë jashtëmartesore të dashurisë, duke tradhtuar kështu parimet e tij.

Nuk ka një javë që revista amerikane, “Newsweek”, publikoi edicionin e jashtëzakonshëm. “Edicioni i Heronjëve”, ishte titulli në ballinën e revistës. Faqja e fundit ju dedikua njeriut, të cilën amerikanët e kanë konsideruar si heroin më të madh të së sotmes: gjeneralit David Petraeus.

Petraeusi 60 vjeçar ofron 12 këshilla për udhëheqje të mirë. Këshilla numër një është: “Qëndro në krye të formacionit dhe udhëheq duke ofruar shembull”. Dhe në kuadër të këshillës numër pesë, Petraeus pranon:”Të gjithë bëjmë gabime. Me rëndësi është që ato të pranohen”.

Pikërisht këtë duket se e ka bërë shefi i CIA-s, Petraeus. Të premten, ai papritmas dha dorëheqje nga funksioni i tij dhe bëri këtë deklaratë:”I martuar që 37 vjet, kam dëshmuar një aftësi të mjerë për të gjykuar, pasi që kam pasur një aferë jashtëmartesore. Një sjellje e këtillë është e papranueshme, sikur si bashkëshort, ashtu edhe si udhëheqës i organizatës tonë. Presidenti ka pranuar dorëheqjen time”.

Rënie e thellë e një ylli të ushtrisë. Është ky fundi i një karriere shembullore amerikane. Ngase Petraeus nuk ishte një gjeneral çfarë do qoftë, të gjithë e njihnin, të gjithë dinin për meritat e tij.

Kur Iraku u zhyt në kaos, kur një numër gjithnjë e më i madh i ushtarëve amerikanë dhe civilëve irakianë po humbnin jetën si pasojë e sulmeve, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George Bush, e dërgoi Petraeusin në vitin 2007 në Bagdad. Petraeusi siguroi shtimin e dukshëm të numrit të ushtarëve amerikan në Irak dhe ndryshoi rregullat e luftës: ushtarët amerikanë tregonin më shumë prani në Irak, patrullonin së bashku me ushtarët irakianë, u përpoqën të krijojnë një atmosferë besimi me banorët lokalë. Mbrojtja e popullatës ishte qëllimi kryesor.

Ky angazhim u tregua i suksesshëm dhe situata u shtendos. Petraeus që nga ai moment konsiderohej si një njeri i madh, si në Irak, ashtu edhe në atdhe.

I biri i një kapiteni me prejardhje holandeze, ai shumë herët vendosi themelet për karrierën e tij në ushtrinë e SHBA-së. Si parashutist, ai diplomoi në akademinë elite ushtarake të SHBA-së, West Point. Në Universitetin e Princetonit ai mori titullin e doktorit të shkencave politike me një studim, në të cilin u trajtua debakli i ushtrisë amerikane në Vietnam.

Fakti se ky ushtarë shembullor tani duhet të largohet nga funksioni i tij në CIA, për shkak të një afere dashurie, është thjeshtë i pabesueshëm për disa kolegë të tij.

Eco Higjiena

“Gjithmonë kemi menduar se për Petraeusin ekziston vetëm karriera”, deklaroi një oficer.

Por dorëheqje e tij me gjasë ka qenë e detyruar. Sipas informatave të CNN, edhe FBI duket se ka hetuar këtë rast. Herët apo vonë publiku do të kishte mësuar për këtë aferë. Shefi i shërbimit më të fortë të fshehtë në botë nuk guxon të jetë i lëndueshëm ndaj sulmeve.

Presidenti nuk e priti me gjakftohtësi dorëheqjen e Petraeusit dhe kjo mund të shihet më së miri në reagimin zyrtar të Obamës. Ai falënderoi Petraeusin për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm për SHBA-në. Sipas Obamës, ai e ka bërë vendin më të fortë dhe më të sigurt. Në fund, ai pati edhe një porosi personale për çiftin Petraeus:”Mendimet dhe lutjet e mia janë me Dave dhe Holly Petraeusin. Ju dëshiroj të gjitha të mirat në këtë periudhë të vështirë për ta”.

Këto fjalë dëshmojnë se Petraeus, i cili për shkak të angazhimit të tij në Irak dhe bindjeve të tij konservatore cilësohej si “gjeneral i Bushit”, u shndërrua edhe në njëri të Obamës për punë të vështira.

Në shtator të vitit 2011, Obama emëroi Petraeusin për shef të CIA-s, pasi që paraardhësi i tij, Leon Panetta, mori përsipër funksionin e sekretarit të Mbrojtjes. Një përzgjedhje, e cila u mirëprit edhe nga Kongresi.

Me një shumicë absolute prej 94 vota, prej 100 senatorëve, edhe Senati konfirmoi emërimin e Petraeusit për shef të CIA-s.

Gjithmonë ishte e qartë se Petraeus, njeri i adhuruar përtej vijave partiake, nuk kishte vetëm kualitete ushtarake. Për të ishte parashikuar edhe një karrierë e ndritshme politike, nga e cila me gjasë nuk do të ketë më asgjë.

Sipas informatave të disa medieve amerikane, Petraeus ka pasur një aferë me autoren Paula Broadwell, e cila e ka shkruar biografinë e Petraeusit:” “All In: The Education of General David Petreaus.”