Rënia e çmimit të naftës nuk ka ndikuar në çmimet e produkteve
Çmimi i naftës ka rënë dukshëm ditëve të fundit. Nga 1 euro e 20 centë, sa ka qenë në muajt e verës, tash një litër naftë mund të blihet me një euro, apo në raste me të mira edhe me 98 centë, shkruan sot Koha Ditore. Krahasuar me një vit më parë çmimi i naftës ka rënë deri në 35 centë, pasi rreth 1 euro e 32 centë pati arritur çmimi i naftës në kulmin e saj.
Por kjo ulje drastike e çmimit të naftës nuk pritet të reflektojë shpejt edhe në uljen e artikujve të tjerë ushqimorë për prodhimin e të cilëve si kosto hyjnë edhe shpenzimet për derivate.
Ndonëse bizneset çdoherë e kanë arsyetuar shtrenjtimin e çmimit të artikujve të tyre me çmimin e lartë të karburanteve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e pranon se bizneset në Kosovë po reagojnë shumë ngadalë për t’i ulur çmimet e produkteve që importohen e sidomos atyre që janë në bursë, siç është nafta.
Burim Piraj, drejtor i përgjithshëm në fabrikën e mishit “Meka”, ka thënë se rënia e çmimit të naftës do të ndikojë në rënien e kostos së prodhimit të produkteve të mishit.
E një furrtar, i cili ka kërkuar të mos i përmendej emri, ka folur sinqerisht duke thënë se nuk e ka në plan t’i ulë çmimet e bukës, megjithëqë ka rënie të kostos së prodhimit.
Kryetari i Shoqatës së Naftës, Fadil Berjani, ka thënë se çmimi i naftës gjatë këtyre javëve ka rënë për rreth 20 centë


