KKVITI

Rënia e Bakhmutit, dështimi më i madh i udhëheqësve kosovarë në skenën ndërkombëtare!

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Mundi i shkuar huq: Informatat e fundit thonë se Bakhmuti, qytet i shndërruar në rrënoja gjatë luftës dyvjeçare midis Ukrainës dhe Rusisë ka rënë në duar të grupit paramilitar mercenar “Wagner”, gjithnjë sipas pohimeve të Jevgenij Primozhinit, udhëheqës i këtij formacioni paraushtarak mercenar. Në këtë luftë, çlirimtare për Ukrainën dhe okupuese për Rusinë, lufta e ftoftë në planin e propagandës ka qenë jashtëzakonisht e theksuar; palët ndërluftuese dhe përkrahësit e tyre asnjëherë nuk e kanë treguar të vërtetën. Unë, sigurisht se do t’i merrja me rezervë deklaratat e Primozhinit mirëpo, edhe më shumë po më brengosë heshtja e pakuptueshme e presidentes me korrespondencë të Kosovës e cila, në të njëjtën kohë pjesën më të madhe të aktiviteteve ia ka kushtuar pikërisht luftës në Ukrainë duke e përkrahur Zelenskin dhe duke e luftuar me të gjitha mjetet Putinin e Madh në Rusi dhe Putinin e Vogël në Serbi (Aleksandar Vuçiqin). Botërisht, nga distanca jepte këshilla se si duhet të luftohet ushtarakisht dhe politikisht në Ukrainë gjithnjë e këshilluar nga Garda Pretoriane e identifikuar në linjat buxhetore si këshilltarë politikë të saj; të jashtmit për ta luftuar Rusinë dhe Serbinë, të brendshmit për t’i luftuar mediat dhe ata që nuk pajtohen me Zyren e Kryeministrit e quajtur Presidenca e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, si intelektual multidisiplinar dhe mesia i grixhës që për interesa personale dhe materiale i shkonë pas, deri në theqafje të kryeministrit dhe jo të tyre, ka dokumentuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që i ka bërë Rusia më mirë dhe më bindshëm se që do ta bënte Karim Khan, kryeprokurori ndërkombëtar për hetimin e krimeve ruse në Ukrainë. Përcjellësit e rregulltë të kryeministrit që edhe pordhët e tij i marrin si puhiza freskuese aromatike të një nate vere, me mallëngjim dhe pasion e kujtojnë përshkrimin brilant që e bëri kryeministri i Kosovës për ta përshkruar masakrën që e bëri Rusia në Buça të Ukrainës gjatë drejtimit të tij opinionit botëror, që me ankth dhe padurim priste një prononcim të tillë. Madje, duke e shpërfillur enciklikën e Papës Françesku urbi et orbi në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan!

Besnik Bislimi, njeri pa të kaluar politike dhe kombëtare, në përpjekje për ta ndërtuar të ardhmen përmes një të tashmeje mashtruese dhe nënshtruese, të gjitha angazhimet kryesore i ka të përqëndruara në futjen e të gjitha sanksioneve ekonomike Rusisë dhe Bjellorusisë të cilat, nëse mbledhen matematikisht janë më shumë se të gjitha sanksionet që ua ka vendosur Amerika, me të gjitha shtetet aleate, nuk arriti ta thyej boshtin kurrizor të ekonomisë ruse dhe bjelloruse ndonëse, të jemi të drejtë dhe të sinqertë këto ekonomi i ka sjellë buzë bankrotit në kohën kur ekonominë kosovare, bashkë me Teneqe Muratin, urrejtësin e madh të UÇK-së dhe komandantin e mercenarëve, tashmë e ka falimentuar!

Donika Katran (Shvarc) Gërrvalla, kjo sizifja që me një këmbëngulje mahnitëse, ndonëse pa asnjë sukses po përpiqet ta bind qytetarinë kosovare se është ministre për punë të jashtme e Kosovës, kohën më të madhe e ka shpenzuar në luftë kundër Rusisë, në përkrahje të Ukrainës, kundër UÇK-së dhe kundër çlirimtarëve që e sollën lirinë, e shpallën pavarësinë dhe e ndërtuan shtetin e që tash po mbahen peng në Burgun e Hagës. Me një fjalë, dora e djathtë diplomatike dhe politike e Volodimir Zelenskit. Gjatë mandatit të saj, deri më tani asnjë shtet nuk e ka njohur Kosovë, madje as Ukraina.

Mos ta injorojmë kontributin e madh të kryefolësit sheik të Kuvendit të Kosovës, Galuk el Thani që i dha hapësirë të madhe një deputeti nga Ukraina, shtet që as nuk e njeh Kosovën e pavarur dhe as që e ka mendjen ta njehë këtë pavarësi, gjysmë të dhunuar nga ndërmjetësuesit dhe “lehtësuesit”.

RTK-ja që më parë ishte shtëpia e vetme publike informative me letra, e shndërruar në bastion apo shtëpi publike informative të pushtetit aktual dha një kontribut të jashtëzakonshëm për Ukrainën duke i punësuar gazetarët ukrainas të ikur nga Ukraina si lektorë të gjuhës shqipe (për këtë arsye në aspektin gjuhësorë në RTK-ja ka shumë përmirësime) dhe, në të njëjtën kohë përzuri një Bord të mëparshëm që në aspektin e integritetit profesional, krahasuar me bordin aktual është Akademi Mediale.

KKVITI

Trafiku Urban gjithashtu kontribuoi për Ukrainën në luftë kundër Rusisë duke pajisur gazetarët ukrainas me bileta falas për linjat e trafikut urban në kohën kur ndonjë hallexhi që nuk ka pasur mundësi ta paguaj biletën e dërgojnë drejt dhe krejt në Qendrën e Ndalimit Policor!

Dhe, do të ishim të padrejtë me komunën e Prishtinës nëse ua mohojmë kontributin e tyre për Ukrainën dhe kundër Rusisë. Në një faqe ballore anësore të hotelit Grand në Prishtinë e keni një hapësirë të madhe ku shkruan FREE UKRAINE në kohën kur as Grandi e as Kosova nuk janë krejtësisht të lira; Hotel Grandi ka kontest për të drejtën e pronësisë, Kosova po kontestohet si shtet nga Serbia sepse këtë pavarësi nuk po e noterizojnë noterët nga Nishi dhe Kragujevci, Mirosllav Lajçak dhe Joseph Borrell.

Jam shumë i zhgënjyer që pas të gjitha këtyre angazhimeve të udhëheqësve më të lartë të Kosovës gjendja në terren nuk është në përputhje me angazhimin e tyre, me sakrificën e tyre, me injorancën e tyre dhe me mediokritetin antologjik!

Siç thuhet se: “shpresa vdesë e fundit” e që është ngushëllim për oportunistët, edhe unë po besoj se shpresa është ende gjallë. Në kundërofensivën e paralajmëruar të Ukrainës, pa asnjë dyshim se mund të kemi zhvillime të jashtëzakonshme apo përmbushje të planeve gjeniale të udhëheqësve të lartë kosovarë, shkatërrimin e makinerisë okupuese ushtarake dhe teknike ruse dhe përballje të dy titanëve apo udhëheqësve të mercenarëve, Wagnerit rus dhe Teneqes multietnik kosovar!

Betimi në Kullën e Isa Boletinit: Pas “çlirimit” të Veriut të Kosovës nga bandat paramilitare të Serbisë, pasi e përzëmë Wagnerin nga kjo pjesë, dikur të okupuar të Kosovës, pasi e vendosëm flamurin në stilin e Mitrush Kutelit në novelën “Tregëti me Flamuj “(i hoqëm të Serbisë), nuk na mbeti asgjë tjetër vetëm që kryetari që fitoi numrin maksimal të votave ta jepë betimin gjë që edhe e bëri. Atiqi kryetar në Mitrovicë, Antiqi kryetar në Surdullicë! Ka mbetur që të hapet edhe ura mbi lumin Ibër për të cilën fituesit e zgjedhjeve kanë marrë vendim që të bëhet. Janë edhe dy pengesa të vogla, njëra e natyrës teknike, tjetra e natyrës fiziologjike; të studiohet fizibiliteti teknik i urës dhe fizibiliteti i prapanicave të këtyre që duhet ta hapin urën. Rezultatin e kemi të qartë, besoj shumë!

Para një kohe pata shkruar se betimi i disa kryetarëve në veri mund të bëhet edhe në lokacione jashtë objekteve komunale. Në këtë pikë jemi pajtuar 100% me ambasadorin Hovenier. Tash, nëse është i vërtetë lajmi njëri ndër kryetarët paska vendosur ta japë betimin në Kullën e Isa Boletinit. Folklor politik dhe patriotik! Më së miri do të ishte që të vesh tirqit e Isës, të vendosë jataganët dhe armët e tjera të Isës në shokë sikur që bëri Isa në Londër dhe të betohet me betimin se: “kur është Kosova (jo Shqipëria) mirë, edhe unë jam mirë …”. Krejt kësaj ikonografie që i përmbush të gjitha kushtet e fizibilitetit teknik i mungon një kusht i fizibilitetit anatomik; i mungojnë koçet e Isa Boletinit!