Remzije Sherifi, “Gruaja Emigrante e Vitit” në Britani

Shqiptarja nga Gjilani, Remzije Sherifi është shpallur “Gruaja Emigrante e Vitit” në Britaninë e Madhe, një çmim që jepet nga organizata dhe shoqata britanike të të drejtave të grave dhe emigrantëve, për të nderuar punën dhe përpjekjet e saj për integrimin e grave dhe vajzave të reja emigrante në Britaninë e Madhe.
Remzija, 57 vjeçe, u nderua për punën e saj vullnetare me shoqatën “Maryhill Integration”, me qendër në Glasgow të Skocisë.
Çmimi iu dorëzua në një ceremoni në Londër me pjesëmarrjen e aktivisteve të shoqatave më të njohura të të drejtave të grave dhe vajzave emigrante në Britaninë e Madhe, për përkushtimin e saj në integrimin e kësaj shtrese në shoqërinë britanike.
Remzija la vendlindjen në vitin 1999 për shkak të luftës, duke u vendosur në kampin e refugjatëve në Stankovec, prej nga pas një periudhe bashkë me familjen emigroi drejt Skocisë, transmeton Koha.net.
Me këtë çmim në Britaninë e Madhe nderohen gratë që gjejnë forcën të rindërtojnë jetën e tyre në këtë vend pas luftërave dhe persekutimit në vendlindje.
Për këtë vit, Remzie Sherifi do të ndaje çmimin “Gruaja Emigrante Vitit” me kamerunasen Constance Nzeneu, një juriste që braktisi vendlindjen e saj në vitin 2005, për t’i shpëtuar një martese të detyruar. /Telegrafi/