Remi: Raporti i Williamson, përmbyllje e fushatës ndaj luftës së UÇK-së

Deklaratat e Prokurorit Special të Task Forcës së Bashkimit Evropian, Clint Williamson, se janë rreth 10 ish-drejtues të UÇK-së ndaj të cilëve pritet të ngritet aktakuzë, nën dyshimin se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë, nga ish-komandantë të UÇK-së shihet si përmbyllje e një proces të gjatë të dyshimeve për luftën e drejtë UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj. Kurse analistët vlerësojnë se raporti e hap rrugën për një fushatë të egër që tash e tutje fatkeqësisht Serbia do ta bëjë për ta kontestuar legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deklarata e Williamsonit, i cili ka theksuar se ka pasur disa elemente të UÇK-së të cilët kanë eliminuar kundërshtarët politik gjatë dhe pasluftës në Kosovë, është një lajm i mirë për Kosovën që po përmbyllet kjo fazë e ndjekjes dhe hetimeve ndaj kësaj ushtrie.
Sipas tij, është mirë që edhe njëherë u vërtetua se pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë bërë trafikim të organeve njerëzore, duke shtuar se tash kanë mbet që edhe “thashethemet për luftën tonë të pastër të përmbyllen”.
“Akuza të cilat kohë të gjatë janë folur e përfolur, pres që të përmbyllen njëherë e përgjithmonë. Deri më tani nuk ka shenja të cilat e vërtetojnë së pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer krime, duke u përmbyllur kështu një proces i thashethemeve dhe i luftës speciale. Edhe nëse ka pas diçka të tillë duhet të përmbyllen këto raste. Nuk kemi pse të shqetësohemi se çfarë verdikti do të jetë për pastërtinë e luftës sonë çlirimtare. Kemi zhvilluar luftë të drejtë, duke qenë kështu në krye të detyrës për ta fituar lirinë”, ka thënë Mustafa për Telegrafin.
Në anën tjetër, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Telegrafin se raporti i sotshëm i Prokurorit të Task Forcës së BE-së, Clint Williamson përbën një barrë të madhe për Kosovën, meqë sipas tij, e hap rrugën për një fushatë të egër që tash e tutje fatkeqësisht Serbia do ta bëjë për ta kontestuar legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Korenica ka theksuar se është pro gjetjes së përgjegjësisë individuale mbi çdokënd që ka mundur të bëjë veprat e tilla. Por, ai ka thënë se është kundër që një proces i tillë megjithatë të jetë monoetnik, dhe të lë pa përfshirë gjithashtu edhe zyrtarët e shtetit Serb që kanë ushtruar gjenocid në Kosovë.
“Është interesant konkludimi i Prokurorit Williamson që për momentin nuk ka dëshmi për trafik organesh, por që kjo çështje do të mbetet e hapur për hetime në një periudhë afatgjatë, gjë që mund të rezultojë në një instrument të ‘errësimit’ afatgjatë të imazhit të Kosovës dhe mjet të mbajtjes së Kosovës në një hije të pasqaruar asnjëherë. Është gjithashtu interesant fakti që raporti përfshinë edhe krime të kryera pas përfundimit të luftës në Kosovë, gjë që në fakt mund të përbejë një indikacion që Task Forca Speciale e Hetuesve (SITF) do të ketë një juridiksion shumë të gjerë kohor dhe material. Sido që të jetë, Republika e Kosovës duhet që të respektojë çdo vendim të SITF, dhe Qeveria duhet të ketë parasysh që marrëdhënia me këtë njësi prokuroriale është tepër e rëndësishme për të gjitha proceset ndërkombëtare kah po kalon Kosova”, ka thënë Korenica.
Ndryshe, në një konferencë për media në Bruksel, të mbajtur sot ambasadori dhe Prokurori Special i Task Forcës së BE-së, Clint Williamson, duke paraqitur raportin e hetimeve të bazuara në “Raportin e Dick Marty”-it, ka thënë se gjatë luftës në Kosovë, ka pasur dhunë dhe krime ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, por edhe ndaj figurave politike gjatë dhe pas luftës andaj ekziston baza për ngritjen e aktakuzave ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ai ka thënë se Gjykata duhet të themelohet por kjo do të ndodhë pasi të themelohet kuvendi. Deri në themelimin e Gjykatës ne do ti mbajmë të mbyllura të gjeturat. Ai ka thënë se Gjykata Speciale duhet të themelohet, por kjo do të ndodhë pasi të themelohet Kuvendi.
“Deri në themelimin e Gjykatës ne do t’i mbajmë të mbyllura të gjeturat”./Telegrafi/