Hidromorava

Rektori zgjidhet më 4 mars

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka mbetur pa rektor. Pas dorëheqjes së rektorit, Ramadan Zejnullahu, ky Universitet nuk ka emëruar as zëvendësues deri në zgjedhjen e rektorit.

Sipas Statutit të UP-së, në rastin e shkarkimit të rektorit apo në çfarëdo rasti të mbetjes vakant të pozitës së rektorit, Këshilli Drejtues zgjedh ushtruesin e detyrës së rektorit deri në përfundimin e procedurës të zgjedhjes së rektorit për mandatin e mbetur. “Ushtruesi i detyrës së rektorit do të mbajë postin e rektorit deri në fund të mandatit, në qoftë se deri në shpalljen e zgjedhjeve në Universitet kanë mbetur jo më shumë se 6 muaj. Ushtruesi i detyrës së rektorit zgjidhet personi që i plotëson kushtet e parapara për zgjedhjen e rektorit”, thuhet në Statut.

KKVITI

Por, Marjan Dema, kryetar i Komisionit Zgjedhor në UP, ka thënë për “Zërin” se Bordi i Universitetit do të zgjedhë ushtruesin e detyrës së shpejti. Dema ka bërë të ditur se më katër mars të këtij viti do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues për zgjedhjen e rektorit të ri.

Konkursi për rektor do të jetë i hapur deri më një mars. Ky konkurs është hapur të martën. Dema ka paralajmëruar se do të formohet edhe një komision që do t’i verifikojë aplikacionet e kandidatëve për rektor. Gjatë së premtes ka reaguar dhe Ministria e Arsimit lidhur me dorëheqjen e Zejnullahut. “Me keqardhje pranova njoftimin për dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Ramadan Zejnullahu. Duke e kuptuar dhe respektuar drejt këtë vendim, në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dëshiroj ta falënderoj prof. Zejnullahun për rolin dhe kontributin e dhënë gjatë rreth dy vjetëve të udhëheqjes së Universitetit të Prishtinës. Pa dyshim, që energjia dhe reformat e nxitura nga menaxhmenti i udhëhequr nga rektori Zejnullahu me ekipin e prorektorëve të tij, duhet të zhvillohen dhe avancohen më tutje nga stafi akademik dhe studentët e Universitetit të Prishtinës”, thuhet në deklaratën e ministrit, Arsim Bajrami./zeri/